'Ngjizja e papërlyeme' e shkrimtarit Agron Tufa u vlerësua si Romani më i mirë për vitin 2021, gjatë ceremonisë së mbajtur sot nga Qendra e Librit në Akademinë e Arteve për Çmimet Kombëtare të Letërsisë për 2021. E megjithatë mirënjohjen ndaj jurisë dhe mesazhin e tij për lexuesin autori e ka dhënë përmes një letre nisur prej Zvicrës ku jeton.
"Të dashur profesorë, gjuhëtarë, shkrimtarë, kritikë dhe teoricienë të Letërsisë,
Lajmi i vlerësimit tuaj me çmimin Letrar Kombëtar për romanin tim “Ngjizja e papërlyeme” më befasoi sot, në këtë prag Krishtlindjesh. Befasia ka të bëjë me festën tradicionale të çmimeve Letrare Kombëtare të çdo fundiviti dhe se unë nga viti 2013 kam qenë për tetë vite radhazi i nominuar në finale me nga një a dy vepra në një nga zhanret e konkurrimit.
Sigurisht, zonja e zotërinj të Jurisë, kurrë nuk kam menduar (dhe asnjë krijues nuk ia vlen të mendojë) se çmimi letrar është Gjyqi i Fundit për krijimtarinë e tij. Por sot jam i gëzuar dhe mirënjohës për vlerësimin tuaj profesional, që fare mirë (dhe me plotë të drejtë) mund të kishte shenjuar veprën e cilitdo kolegu tjetër konkurues. Por le ta them hapur: jam i gëzuar për rëndësinë artistike që paraqet në krijimtarinë time ky roman, të cilin e rrëfen një narrator me emrin Roman; jam i gëzuar për lexuesit e mi, që pavarësisht mungesës sime në atdhe dhe në rrjete sociale komunikimi, do kenë një tjetër shenjë shtesë e të sigurtë se dialogu ynë vazhdon; jam i gëzuar sepse vëmendja juaj më forcon besimin të vazhdoj të ekzistoj në rrafshin më të lartë të dashurisë sime, e cila që nga fëmijëria ime ka qenë Letërsia dhe, po, e theksoj, është një gëzim i veçantë për mua në periudhën më të vështirë të jetës sime e të familjes kur, në kushtet e mërgimit dhe mungesës fizike të atdheut, personalisht nuk më ka mbetur asgjë tjetër përveç krijimtarisë letrare. Ju i njihni ndoshta më mirë se unë ndjesi të tilla që kanë shoqëruar fatin e shkrimtarëve dhe poetëve me plot ilustrime, që nga poeti romak i periudhës augustine, Ovidi.
Vlerësimi juaj më vjen veçanërisht i çmuar edhe pse, përpos vlerës artistike, orienton lexuesin e specializuar për kah ndjeshmëria dhe diskursiviteti i ideve, pengjeve të pangushëllimta që vuajtën në lëkurë breza të tërë viktimash nën diktaturë. Dhe romani im qe shkruar si requiem për ta, në përputhje me thelbin tim të kauzës që më ka mbajtur e më mban gjallë", shkruan më tej Tufa duke shprehur mirënjohjen ndaj shtëpisë botuese.
Lajmi kryesor: