Real Valladolid ka hyrë në një epokë të re. Klubi spanjoll ka konfirmuar se legjenda braziliane e futbollit, Ronaldo Luis Nazario de Lima (Fenomeni) ka shitur të gjitha aksionet e tij në klub, duke mbyllur kështu një kapitull shtatë vjeçar si president dhe aksioneri kryesor.
Sipas njoftimit zyrtar, aksionet e Ronaldos janë transferuar te një grup investitor amerikan, i mbështetur nga një fond evropian. Marrëveshja është në pritje të miratimit nga 'Consejo Superior de Deportes' (Këshilli i Lartë i Sporteve në Spanjë), por konsiderohet një çështje formale.
Ronaldo kishte blerë 51% të aksioneve të Valladolid në vitin 2018 për rreth 30 milionë euro, duke i rritur më pas në 82%. Megjithatë, periudha e tij në krye të klubit është shoqëruar me polemika, rënie nga La Liga dhe pakënaqësi të vazhdueshme nga tifozët.
Protestat e fundit kundër tij, me slogane si “Ronaldo, ik në shtëpi”, duket se ishin pika kulmore që çoi në largimin e tij nga klubi. Reagimet në rrjetet sociale, sidomos në platformën X, janë të ndara. Ndërsa një pjesë e tifozëve e quajnë këtë si "fundin e një makthi", të tjerë presin me skepticizëm se çfarë do të sjellë grupi i ri drejtues.
Klubi, që ka kaluar 47 sezone në La Liga dhe 36 në divizionin e dytë, shpreson për një fillim të ri pas kësaj marrëveshjeje. Në ditët në vijim pritet të publikohen më shumë detaje për projektin e ri dhe planet për të ardhmen.
Komente
