Basha, Kryemadhi dhe personazhe te PD e LSI

Opinion

Rotacioni nuk është punë radhe, por merite

14 Prill 2021, 11:18| Përditesimi: 14 Prill 2021, 11:24

  • Share

Garë më 25 prill?!

Ka një konstante kur vjen puna tek zgjedhjet dhe renditja e partive në elektorat. PS mbetet forcë e parë, përjashto vitin 1992 kur u perceptua si ndërrim sistemi dhe pati pritshmëri unike ndaj PD si risi politike me të famshmin “çek të bardhë”.

Edhe “fitoret” më pas të PD-së nuk ishin rezultat i ndonjë shumice “blu” në elektorat. Në mos lodhje apo përçarje e së majtës apo mosmarrja e mundimit për të votuar me idenë e fitores në xhep, ishte abuzimi me votën, dhuna e korrupsioni zgjedhor, trafiku mandateve (agrarët, LSI) apo mbyllja e kutive (2009) që sollën e mbajtën PD në pushtet etj.

Ky dominim i së majtës e fakti që PD mbetet pakicë nuk është rastësi dhe kryesisht bazohet si tek sjellja e partive në qeveri apo opozitë në tre dekada, ashtu edhe qëndrimi ndaj trashëgimisë historike të shekullit të kaluar.

PD nuk i tha kush puna e mbarë!

Ndryshe nga PS, në “turnin” e PD në pushtet e opozitë, ndodhën absurde e drama pafund. Nga neni 24/1 e radikalizimi i jetës politike me ndikim në kohezionin social, piramidat, kontrabanda e naftës, vota e dhunshme 96, anarkia me pronën, migrimin, ndërtimet, kioskëzimin, rrënimi i trashëgimisë ekonomike e sociale, 97, saga e rrugës Durrës-Kukës, “plepëzimi” i drejtësisë, Gërdeci, 21 janari, Rambujeja, marrëveshja e detit, dhuna e rrugës ndaj institucioneve, bojkotimi zgjedhjeve, braktisja e parlamentit etj.

Kjo “CV” ku morali politik, qytetar, kombëtar dhe demokratik është bërë si ujët e pakët në atë parti, nuk është ogur i mirë për shumicën e votuesve më 25 prill. Dhe ngre hamëndje plot, jo thjesht për pozat e moralistit që marrin drejtuesit e PD në kërkim të votës (janë në të drejtën e tyre) duke u bërë sikur kanë lindur dje(!), por të qytetarëve, analistëve etj që akoma u venë pas avazit, ca që bartin ende iluzione apo ca që deri reklamojnë PD e diskretituar si alternativa më e mirë(!) etj por që mbeten … pakicë në elektorat.

Tabori në krye të PD e ka humbur prej kohësh moralin e qeverisjes dhe pyetja shtrohet se mbi çfarë morali mund të arsyetohet vota e justifikohet mbështetja për të. Të reklamosh e votosh ata që kanë marrë peng PD me motivin se janë ikona të demokracisë dhe patriotizmit është si të pranosh si gjë normale abuzimin 30 vjeçar, 21 janarin, Gërdecin, marrëveshjen e detit, Piramidat, anarkinë 97 etj drama pafund njerëzore e kombëtare dhe kjo nuk ka sens dhe tregon për identitet kontradiktor të votuesit që rrezikon të kompromentojë vetë dinjitetin qytetar sa kohë bëhet urë para protagonistëve të tranzicionit problematik. Të votosh PD e sotme duke e ditur se je në pakicë nëse pranon të shkuarën abuzive dhe çimenton pozicionin e të përfolurve të tranzicionit, është si të shpresosh që ajo të mos vijë në pushtet, të mos modernizohet dhe të mos bëhet shumicë në këtë vënd.

Një PD pa frymë ndërkohë zbeh garën zgjedhore dhe dëmton vetë zhvillimin demokratik që bazohet tek rivaliteti real politik. Ajo pati 8 vite kohë të riorganizohej dhe ofronte alternativa si të djathtat në perëndim. Nuk e bëri dhe provokon elektoratin sërisht me të njëjtën “gjellë”. Dhe sa kohë PD nuk shkëputet prej protagonistëve e trashëgimisë problematike të së kaluarës, i bie veç murit me kokë dhe zgjat agoninë e saj në opozitë duke i dhënë një avantazh aforfe PS, ndonse për fat të saj, ligji zgjedhor i mundëson të mbetet forcë e dytë. PD do vijojë ta shohë pushtetin me dylbi sa kohë premisa e çdo rotacioni politik mbetet fillimisht rotacioni real brënda PD.

Vota e hedhur 80 vite më parë!

PD pati dhe ka një qëndrim anatemues të pafre ndaj së shkuarës historike duke u pozicionuar me pakicën dhe intimiduar ndjenjat e shumicës në këtë vend. Lufta Nacional-Çlirimtare e renditja me Koalicionin Antifashist, dekadat për ndërtimin e ekonomisë, konsolidimin e shtetit, emancipimin e shoqërisë etj, përtej kontekstit ideologjik, bartin plot sakrifica, mund e punë të jashtëzakonshme me të cilat krenohen dhe identifikohen breza të tërë dhe identifikohen edhe brezat e rinj.

Qasja revanshiste bardhë e zi e PD ndaj LANÇ e ndërtimit të vëndit në socializëm bie ndesh me qëndrimin e shumicës së shoqërisë që mbetet e lidhur shpirtërisht me punën e sakrificën e asaj kohe. Për më tepër, duke futur në emër të antikomunizmit gjithshka në një thes PD dëmtoi edhe vetë kauzën e disidencës së vërtetë. Kjo trashëgimi sot perceptohet si tipar i PD dhe refuzohet nga shumica e popullsisë ndaj për ironi, ende sot vota kushtëzohet nga ajo ç’ka ngjau afro 80 vite më parë!

“Fantazma” e 80 viteve më parë nuk ikën me agimin dhe shpresa e PD se PS do të rrudhej si parti e brezit të vjetër, mbeti ëndërr në sirtar sepse PS nuk është thjesht partia e brezit të shkuar por parti e vlerave të shkuara e të reja historike që vlejnë për çdo të ardhme dhe brezin që e jeton atë.

Vlerat historike të së shkuarës, sado të intimidohen, shpërfillen e arkivohen nga politika e tranzicionit për t’u fshirë nga kujtesa kolektive apo zëvëndësuar me antikomunizmin në thes (nga memecëria apo çensura e politikës, medias etj, ndaj ngjarjeve madhore e protagonistëve të luftës e ndërtimit, ngritja e muzeve bardhë e zi rreth së shkuarës, nderimi kolaboracionizmit, histeria e shpallja e fjalëve e simboleve “tabu” etj) sërisht ngjizin tek brezi në vijim që kanë aq sedër për të qënë të lirë në gjykim dhe nisur nga nevoja për identitet e krenari, nuk e pranojnë apriori indoktrinimin revanshist të historisë.

Ndryshe nga PS, që pavarësisht emërtimit të tejkaluar nga koha, ka tre dekada që tenton të evoluojë në drejtim, strategji apo filozofi drejt një të majte perëndimore, PD që spekuloi me të shkuarën në fillimet e saj, tashmë është marrë peng prej saj. PD sot është “fosil” politik, qoftë në ideologji ashtu edhe në protagonizëm dhe si e tillë, vetëm rikujton çdo katër vjet përse duhet lënë në opozitë.

Rotacioni ia vlen kur nuk shihet as si dramë e as si triumf

Ndryshe nga PD, PS ka tentuar, qoftë në qeverisje apo opozitë, të respektojnë kutin e masës në politikë e shpesh dëshmoi luajalitet demokratik për hir të interesave më madhore (reagimi i PS pas Gërdecit në prag të futjes në NATO që PD e trumbeton si arritje eskluzive të saj) sikurse në qeverisje ka qënë e hapur ndaj reformave, konsensusit, luajale me perëndimin etj.

Ndonse më realiste ndaj së shkuarës, sërisht PS ka rënë pre e kompleksimit të ushtruar nga PD në qëndrimin ndaj së shkuarës. Por qari i saj është se, përballë një PD që e uli stekën e antikomunizmit donkishotesk deri në absurd, ajo e hedh “lumin” paq edhe kur bën memecin ndaj së shkuarës, vlerave e protagonistëve të saj dhe kaq mjafton të favorizohet nga shumica në këtë vënd në kushtet e ligjit aktual zgjedhor që favorizon oligopolin politik.

Për rrjedhojë edhe të ligjit zgjedhor, votuesi shpesh merret i mirëqënë dhe “besa” ndaj partisë e liderit historik luan rolin e saj përgjatë emancipimit demokratik në vënd. Por kjo shpesh është bumerang për vetë votuesin që duke insistuar dhe votuar emocionalisht për protagonistët e kauzën e dështuar, shpërdoron sistematikisht shanset për rotacion politik.

“Besa” duhet merituar dhe kur atë e kërkon sërisht e sërisht e njëjta shpurë politike që asnjëherë nuk reflektoi dhe nuk u distancua nga drama të së shkuarës që morën peng zhvillimin për gjithë votuesit pa dallim, atëhere votuesi që pritet në besë nga kjo politikë që e merr të mirëqënë dhe tenton ta shndërrojë në “tufë”, duhet të dëshmojë me votën e tij se çmon dinjitetin e tij qytetar më shumë se pseudo-idhujt në parti. Partia është më shumë se disa individë dhe nëse çmimi për të ringritur partinë kalon përmes kalimit në opozitë, ashtu qoftë.

E korracuar në të shkuarën e saj, PD e ka lënë sot PS realisht pa rival. Sot PS konkurron me vetveten dhe sa kohë ajo nuk degradon nga mungesa e rivalitetit politik dhe realizon rrokadën e drejtuesve të saj në kohë (një kryeministër i suksesshëm hap krahun në kohë), ajo hyn në zgjedhje e qetë. Një avantazh për PS por disavantazh për demokracinë që në kushtet e ligjit aktual zgjedhor që dekurajon të renë në politikë, mund të degradojë në “merre me lëng se thelat mbaruan”.

Përtej butaforisë dhe gjetjeve marketing, PD është futur si humbëse në garën e 25 prillit. Rotacioni nuk është punë rradhe por merite dhe zgjidhja nuk është ndërrimi maskave por shndërrimi i saj në një parti të së djathtës si në perëndim. Nëse dëshiron të joshë shumicën në këtë vënd, PD duhet t’i heqë avantazhet aforfe PS duke u distancuar nga çdo trashëgimi dhe protagonist i së shkuarës problematike të saj dhe vlerësuar objektivisht të shkuarën historike.

Mund të humbasë ca nga elektorati i mëparshëm por do të bëjë për vete shumë më tepër të tjerë ndërkohë. Në lojë nuk është thjesht fati i PD por mbarë së djathtës dhe vetë zhvillimit të ekuilibruar demokratik në vend. Dhe kjo peshon më shumë se fati i disa individëve në parti.

Demokracia ka nevojë për rotacion por ai ka vlerë vetëm mes punë-mbarëve, pavarësisht logos partiake, që pushtetin e shohin si përgjegjësi dhe jo lluks, që ligjin e zbatojnë të parët dhe kanë aq sedër të japin dorëheqje kur gabojnë apo bëhen bozë dhe jo të intimidojnë këdo për të mos e dhënë atë. Dhe që të shkuarën nuk e servirin si sebep për ndarje mes nesh por si arsye për të na bërë bashkë. Vetëm atëherë, rotacioni nuk do të përjetohet as si dramë e as si triumf në shoqëri por si kontratë pune e radhës për të bërë më mirë në këtë vend, për të gjithë, pa dallim.

Gjasat janë që më 25 prill të ketë sërisht vijimësi. Vetëm nëse shumica nanurit mbi dafina dhe, duke e marrë fituesin të mirëqënë, nuk merr mundimin të votojë. Ndodh në politikë ndaj dhe indiferenca ndaj votimeve, konteksi i pandemisë dhe shfryrja e “tollumbaceve” të PD, mbeten sfida reale për politikën e urtë që sa kohë në pushtet shumica gjithmonë u ka thënë puna e mbarë!

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?