Një shqiptar nga Kosova 23-vjeçar, i rritur në Zvicër, është dëbuar nga Zvicra për 5 vite, pasi i riu ka rrahur brutalisht një person nga Serbia.
Sipas mediave të huaja, Gjykata e Lartë Federale ka pranuar ankesën e prokurorisë publike të Cyrihut për dëbimin e 23 vjeçarit.
Viktima ka pësuar lëndime të rënda, ky incident ndodhi në gusht të vitit 2020, ndërkohë që i riu ishte ende në periudhën e provës për një dënim të mëparshëm me kusht.
Pas fillimit të hetimeve për këtë incident, kosovari dyshohet se ka kryer edhe krime të tjera, duke përfshirë kërcënimin e një punonjësi sigurie, shmangien e kontrollit policor, dhe goditjen e një personi tjetër në fytyrë, gjithashtu në gjendje të dehur.