Rraklli në Report TV për ndeshjen me Çekinë: Të kalojmë të parët në avantazh dhe të vrasim ndeshjen! Ata luajnë për barazim, Silvinjon e këshilloj që...

15 Nëntor, 19:52| Përditesimi: 15 Nëntor, 20:14

  • Share

Nesër kombëtarja kuqezi ka një nga ndeshjet e rëndësishme të saj në kuadër të Ligës së Kombeve (Nation League), me rivalin e drejtpërdrejtë për vendin e parë, Çekinë.

Të dyja ekipet do luajnë (16 Nëntor) me një ‘epidemi' mungesash të rëndësishme, por më shumë bien në sy në krahun e Shqipërisë.

Çekët vijnë në Tiranë edhe me mendjen për një barazim, sepse i mban gati në vendin e parë, në varësi të rezultateve në takimin Ukrainë-Gjeorgji. Kurse kuqezinjve u duhet një fitore pothuajse me çdo kusht për të kapur vendin e parë dhe shpresuar një tjetër rezultat pozitiv me Ukrainën pas katër ditësh. 

Pikërisht për ndeshjen e nesërme, i ftuar në “Studio Live” të Report TV, me moderatorin Arlind Isa, ka qenë edhe ish-lojtari i kombëtares shqiptare, sulmuesi i njohur Altin Rraklli. 

Ish-futbollisti ishte i qartë në idenë e tij se si mund të fitohet ndeshja ndaj Çekisë, të shënohet sa më shpejt dhe “djemtë e kombëtares” të kalojnë të parët në avantazh e më tej të menaxhojnë rezultatin, duke e vrarë takimin me një kundërsulm.

Arlind Isa: Altin Raklli mirëmbrëma, si e sheh kombëtaren? Silvinjo tha se do vendosin shpirtin dhe zemrën për nesër. Si po e sheh sfidën me Çekinë? 

Altin Rraklli: Është dominante dhe me rëndësi të mbizotërojë shpirti i garës, agresiviteti dhe kujdesi në këto ndeshje, pa diskutim. Silvinjo e ka parë ndeshjen e parë me Çekinë që e pësuam në fillim dhe se morën veten. Po ashtu edhe ndeshjen kur ne shënuam të parët dhe e menaxhuam (eleminatoret e Europianit). Besoj se edhe ndeshjen nesër do e demonstrojmë. Çekia nuk është e pamundshme si skuadër, apo që mund të themi se e kemi të pamundur të fitojmë apo që ka kualitete. është e mundshme. Po kështu s’mund të themi ‘Zoti qoftë me ne’, jo, duhet përqendrimi, topi i parë, topi dytë, ndihma në çdo repart dhe përqendrimi gjatë lojës, por dhe të mos pësojmë gol. Te mendojmë për të shënuar dhe të kemi parasysh ndeshjen e parë, para një viti, kur shënuam dhe menaxhuam lojën.

Arlind Isa: A ka luhatje ekipi?

Altin Rraklli: Cekia në atë ndeshje një vit më parë hyri siç hymë ne së fundmi në Çeki, e kishte marrë lehtë, ne e studiuam shumë mirë me agresivitet dhe e zgjidhëm shpejt ndeshjen, kaluam avantazh të parët. Dhe kur kalon në avantazh të parët në fushën tonë, para tifozëve tanë të zjarrtë, apo kartoni i kuq herën e parë, sepse ishte edhe pak fat. Por kryesorja ishte dëshira, përqendrimi, agresiviteti, dëshira për të fituar, këshillat e trajnerit. Por nuk do jetë e lehtë, Çekia do marri masa, s’do jetë e lehtë, por ne duhet të jemi agresivë’ të kujdesshëm dhe të kalojmë të parët në avantazh’ sepse është e rëndësishme të shënojmë të parët.

Arlind Isa: Edhe ata kanë mungesa, a mund të lodhen lojtarët tanë nesër dhe të ndikojë në takimin me Ukrainën? 

Altin Rraklli: Nëse do shënojmë të parët duhet të fitojmë të dyja ndeshjet. Varet dhe nga rezultati Gjeorgji-Ukrainë. Por për të pasur shans real për vend të parë na duhet fitore me Çekinë. Skuadra të mendojë që me të gjitha mënyrat të fitojë ndeshjen nesër.

Arlind Isa: Je optimist për të fituar nesër kombëtarja, mund të jetë një 4-3-3? Formacioni i mundshëm?

Altin Rraklli: Është e njëjta skuadër e aktivizuar në Gjeorgji. Skuadra që fiton nuk ndërrohet, është e qartë. Skuadra u paraqit mirë atje, pavarësisht disa luhatjeve, por niveli ishte i lartë dhe për më tepër ndaj Gjeorgjisë që kanë qenë në nivel shumë të lartë dhe me cilësi këto kohë. Por treguam karakter dhe agresivitet, sikurse patëm edhe fat në disa raste. Po t’i referohem Gjeorgjisë, kur jemi në avantazh, kam disa vërejtje për stafin e trajnerin, kur je 1-0 duhet të sulmosh me lojtar të shpejtë dhe me Gjeorgjinë nuk funksionoi aq mirë, as me zëvendësimet dhe në këtë aspekt duhet të përmirësohemi, pavarësisht se fituam. Ndërhyrja e trajnerit është te zëvendësimet, ekipi kundërshtar kur je 1-0, lë hapësira pas, ti bën zëvendësime të freskëta dhe godet, shënon golin e dytë dhe mbyll ndeshjen. Çdo lojtar është profesionist, e lexon dhe di vetë ndeshjen, sikurse edhe stafi dhe trajneri e përgatisin ekipin. Silvinjo nuk ka bërë keq në këtë sezon në Nation League, por ka ardhur edhe nga raste të veçanta dhe individuale, por ekipi ka pasur edhe dobësi në disa momente.

Arlind Isa: Ernest Muçi ka shfaqur probleme sipas informacioneve të fundit. Gjimshiti dhe Kumbulla, Manaj dhe Bare që gjithashtu mungojnë. Për cilin keni keqardhje?

Altin Rraklli: Çdo lojtar që na mungon është minus për kombëtaren, trajnerit i heq mundësinë e zgjedhjes dhe konkurrencën. Trajneri i njeh mirë lojtarët, nuk mendoj se do ndryshojë formacionin dhe këta lojtarë që u përmendën sipër nuk ishin ndeshjen e fundit në formacion. Silvinjo është strikt i formacionit dhe mendoj se ekipi do hyjë njëlloj si me Gjeorgjinë, edhe nesër me Çekinë. Por e rëndësishme është që të kalojmë të parët në avantazh. Muçi dhe Hoxha janë dy lojtarë që mund t’i futësh pa frikë, janë të shpejtë, nuhasin portën dhe mund të japin për ekipin. Por ajo që mendoj pse nuk i fut Silvinjo janë dëmtimet dhe ajo që japin, pasi ka edhe të tjerë që janë në formë më të mirë, apo mbrojnë skuadrën në fazën difensive.

Arlind Isa: Kush ka detyrat më të vështira për nesër, si repart dhe çfarë loje presim?

Altin Rraklli: Nuk jemi në kokën e trajnerit çek, mendoj se nuk do na sulmojë ballorë, do jenë më racionalë në lojën sulmuese, sepse edhe barazimi i favorizon dhe ndeshjen e fundit e kanë me Gjeorgjinë dhe nëse fitojnë sigurojnë vendin e parë. Por varet nga momenti në moment, skema dhe faktorë të tjerë. Por besoj se nuk do sulmojnë përballë.

Arlind Isa: Po mbrojtja, si e sheh këtë repart, Ismajli dhe Ajeti?

Altin Rraklli: Ismajli ndeshjet e fundit ka marrë rolin e liderit dhe duhet përgëzuar, dhe ecuria besoj është mirë. Edhe Ajeti ka formë të mirë, Me Çekinë ka bërë ndeshje të mirë, ka qenë formacion, edhe në lojën në ajër ka qenë perfekt. Por çekët luajnë edhe në tokë dhe Ajeti në këtë aspekt ka shumë punë, pasi nuk shfaqet dhe aq mirë. Por unë besoj se Ajeti dhe Ismajli do e përballojnë mirë nesër.

Arlind Isa: Çfarë pritshmërish mund të kemi, lojtarët e rinj apo edhe në kuadër të Botërorit?

Altin Rraklli: Me çfarë shikoj stafi po synon të thërrasë edhe lojtarë të rinj dhe kjo ka të bëjë edhe me përgatitjet e botërorit të ardhshëm dhe kjo është gjë shumë e mirë, sepse duhet të kalosh skuadra elitare që të shkosh në Botëror, të kesh edhe fat në short dhe në lojë. Stafi e ka objektiv furnizimin me elementë të rinj që bëjnë ndeshje dhe lojë të mirë me skuadrat e tyre, që të afrohen me kombëtare.

Arlind Isa: Po në boshtin kryesor të kombëtares, 2 apo 3 vitet e ardhshme, cilin sheh?

Altin Rraklli: Boshti patjetër nis nga porta, por Gjimshiti është kryesori besoj. Në portë kemi Strakoshën, pas Gjimshitit vjen Ismajli, kemi Asllanin dhe Bajramin, por mirë do ishte që edhe Brojën ta kishim në formën e tij më të mirë, ka të dhëna fantastike. Pak a shumë ky është boshti, Asani po kështu që luan çdo ndeshje dhe ka ardhur në formë së fundmi, pasi në Europian u dallua që s’ishte në nivel optimal dhe në formë. Këta janë lojtarët që kanë më shumë minuta dhe që shpresojmë të japin dhe janë në formë.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?