Me kapelën republike e buzëqeshjen miqësore, Albano Carrisi thotë se është gati për koncertin e tij në Amfiteatrin e Tiranës... Mungesa afro 4-vjeçare në Shqipëri është e gjatë edhe për të, por çka ndodhur gjatë kësaj kohe e rrëfen për “Report tv” . E tashmja s’do të shpjegohej pa të kaluarën, ndaj rreket të zbërthejë lidhjen e tij të fortë me Shqipërinë, edhe përmes rrëfimeve të të atit, që i tregonte ndër të tjerash për bukën e misrit që shqiptarët ndanin me të në kohë lufte... 3 udhëtimet e tij në diktaturë janë të mbushura me ndjesi, e një lloj çlirimi që sot Shqipërinë e shqiptarët i gjen ndoshta në lirinë e dëshiruar... Paqja është pasaporta drejt kësaj lirie, ndaj përballë saj, ai refuzon simpatinë e politikanëve shqiptarë të diktaturës, e sot të Putinit, e ndalet tek raporti me të në këtë periudhë lufte... ku qëndrimi i tij është i prerë, ndërkohë që strehon një familje ukrainase...
Një sërë ndodhish, që i rrëfen me elegancë, ndërkaq që nuk e fsheh dëshirën për të vizituar Shqipërinë, atë të përtejmen me misterin e maleve e të periferisë...
Para së gjithash ju falënderoj që pranuat të realizonim këtë intervistë për Report tv. Do kisha dëshirë të dija, si ndiheni në këtë rikthim tuajin në Shqipëri?
Për mua është gjithmonë një kënaqësi, sepse rrënja që më lidh me këtë tokë, është jashtëzakonisht interesante e mbi të gjitha e fortë. Kështu që herë pas herë e ndiej të nevojshme të kthehem në këtë tokë... Madje do të më pëlqente ta vizitoja edhe përtej asaj që janë qytetet e bukura të Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës... Do të më pëlqente të vizitoja gjithçka që gjendet mes maleve, sepse atje siç e marr me mend gjendet një tjetër pjesë interesante e Shqipërisë.
Në fakt publikut shqiptar iu desh që për këtë takim të priste pak më gjatë edhe për shkak të pandemisë, si ka qenë për ju kjo periudhë?
Dëmi që shkaktoi kjo pandemi është shumë i madh, saqë më trishton ta kujtoj. Më bëri të humbasë shumë miq të mi.
Ç’ka ndodhur me ju personalisht gjatë kësaj kohe? Keni krijuar pjesë të reja muzikore, keni kultivuar tokat e jeni marrë me verën që po ashtu keni pasion?
Praktikisht gjatë pandemisë kam punuar shumë në televizion, gjë që nuk e kam bërë kurrë më parë në të shkuarën. Po ndërtoj një ndërmarrje të re me verë, që është mrekullisht e bukur dhe mezi po pres të rifillojmë t’i mbushim shishet me verë në kantinën e re, sepse ajo që kishim ishte shumë e vogël.
Kam kaluar nga 500 mijë shishe në 1 milionë e 700 mijë dhe unë parashikoj që do të arrijmë në 5 milionë shishe, ky do të jetë objektivi im për të ardhmen...
Në fakt kam para meje një artist italian, një artist ndërkombëtar të njohur, por mund të them edhe pak shqiptar, duke qenë se tashmë keni edhe nënshtetësi shqiptare...
Unë tashmë jam një shqiptar i vërtetë. Madje jam shqiptar prej sa linda, që në fëmijëri babai im më fliste përherë dhe vetëm për Shqipërinë. Për Shqipërinë që sipas tij e shpëtoi nga lufta. Siç ai tregonte gjendej shumë mirë në këtë vend, edhe sajonte një sërë justifikimesh, shtirej si sëmurë, vetëm e vetëm mos të luftonte kundër shqiptarëve. Dhe më thoshte unë kam qenë në Luftën e Dytë Botërore, por nuk kam vrarë askënd dhe kjo është një pasaportë drejt mjeteve shumë fisnike të civilizimit, atyre që njohin jetën dhe jo vdekjen që të tjerët ndodh që ta imponojnë
Jo vetëm që nuk shtiu mbi asnjë shqiptar, por duket se babai juaj u afeksionua kaq shumë pas Shqipërisë saqë ju vendosi emrin Albano…
Po është pikërisht kështu. Dhe tha “quaje Albano kur të lindë”, dhe do të jetë fati ynë! Dhe mund të them se ka qenë një profet në këtë pikë!
Por çfarë ishte që i la shenjë prej shqiptarëve e Shëipërisë saqë t’i vendoste emrin djalit të vet Al Bano?
Sipas meje kjo lidhet me raportin që kishte me shqiptarët. Ai sajonte sëmundje duke pështyrë gjak, vendosej pranë zjarrit gure të nxehtë që më pas i çonte në fytyrë për tu dukur sikur kishte temperaturë. Dhe kur ata i masnin temperaturën ishte 42 apo 40… Pastaj ai aktronte, thoshte që unë s’jam mirë, po vdes, ju s’doni t’ia dini… Dhe ata e linin .. Kështu më vonë do të më rrëfente se flinte në shtëpitë e shqiptarëve, të cilët e trajtonin mirë. Që i jepnin bukë misri për të ngrënë. Dhe kështu ka jetuar këtë luftë në një paqe perfekte për një popull që për luftë nuk donte t’ia dinte...
Nëse nuk gaboj sajoi një sëmundje edhe për tu rikthyer në Iali ku u martua me dashurinë e madhe të jetës së tij, mamanë tuaj Jolandën.
Dhe u martuan, nëna mbeti shtatëzanë me mua dhe unë jam këtu për ta treguar historinë.
Nga hera e parë që erdhët në Shqipëri, në 1985 si ka ndryshuar Shqipëria në sytë tuaj?
Unë e kujtoj shumë mirë atë moment, sepse babai im sapo kishte kaluar një infarkt. Më kishte kërkuar mua, si më të madhin e fëmijëve, që para se “unë të vdes duhet të më çosh në Shqipëri”. Në Romë në atë kohë ishte ambasadori Bashkim Dino, kështu quhej dhe i kërkova leje, nëse mund të na ndihmonte. Dhe më tha, pas 6 muajsh është një grup që niset. Dhe unë këmbëngula, i thashë: Ambasador babai im sapo ka kaluar një infarkt dhe më ka kërkuar që para se të vdesë dëshiron të vizitojë atë zonë të Shqipërisë ku ka qenë ushtar me detyrim... Atëherë ai më tha më jep dy ditë kohë. Dhe ashtu ndodhi. Më thirri dhe më tha “Albano a doni të niseni, për nga Kakavija do të jetë një delegacion që do t’ju shoqërojë për në Gjirokastër. Shkuam në Gjirokastër dhe pastaj u kthyem. Herën e parë. Herën e dytë erdhëm deri në Tiranë, në 1987. Kështu kur Romina ishtë shtatëzanë, unë përfitoja nga rasti për të bërë ato gjëra që në rrethana të tjera nuk do të kisha mundur …
Por çfarë kuraje të udhëtojë në Shqipërinë e regjimit komunist…
Në fakt unë jam trajtuar mirë, por kam parë Shqipërinë e asaj kohe në çfarë kushtesh jetonte. Më kujtohen ata kamionët kinezë plot me njerëz .Më kujtohen malet plot me dhi të zeza dhe shumë gomerë... Një Shqipëri shumë e varfër... ku ndihej se kishte një regjim që imponohej dhe krijonte trysni, në spiralen normale të lirisë...
A keni takuar ndonjë politikan shqiptar në atë kohë?
Po, po i kam takuar...
Çfarë përshtypje ju kanë lënë?
A e di, kur ka një rrymë politike ku duhet të ushtrojnë atë lloj aksioni politik që imponohet janë të gjithë njësoj, shndërrohen në një ushtri, pastaj historia do të marrë rrjedhën e saj. Nuk e di asnjëherë se kur, por do të ndodhë...
Nëse ti mendon fuqinë e madhe të komunizmit në Rusi, ra edhe ai ... E kështu me radhë fashizmi, nazizmi, gjithmonë rrëzohen sepse populli gjithmonë do të ketë nevojë për një lloj pavarësie që është oksigjen për mendjen dhe për shoqërinë. Quhet liri. Një liri e shëndetshme ndihmon një popull që të krijojë një harmoni perfekte me ambientin, me politikën, me fenë. Një liri e shëndetshme është gjithmonë një ilaç i jashtëzakonshme për çdo popull.
“Liberta”, njësoj si kënga që kënduat në vitin 1989 në Shqipëri. Jeni, i pari këngëtar perëndimor që merrni kurajën të mbani koncert tej kornizave të socializmit në regjimin komunist shqiptar...
Mua më kujtohet diçka shumë e çuditshme. Sepse mbrëmjen e parë këndova në Pallatin e Kongreseve. Dhe ishte një pjesë e publikut që duartrokiste, ndërsa një pjesë tjetër dukej se i krijonte bezdi, ngrihej... Dhe unë pyesja veten: Çfarë dreqin po ndodh këtu. Sepse nuk dija asgjë...
Mbrëmjen tjetër, në stadium, aty ka qenë një shpërthim total... Mbaj mend se erdhi Sigurimi afër meje dhe më tha: Nëse sot ndodh ndonjë incident dije se faji do të jetë vetëm i yti. Dhe unë u thashë: Pra, ju mos ndoshta po më kërkoni që të resht së kënduari... Dhe ata ma kthyen: Jo, jo ti e kuptove mirë se ç’duam të themi...
Të kanë penguar të jesh i lirë ndërsa këndoje “Liberta”...
Jo! Vetëm kur zbrita në mes të publikut për të kënduar “O sole mio” , që është një moment i jashtëzakonshëm... Këtu më thanë ato fjalë që duhej të tregohesha i kujdesshëm që mos të ndodhte gjë. Dhe unë u thashë, “jam këtu për të kënduar jo për të krijuar kaos...”
Për fat të keq edhe në ditët e sotme na duhet të flasim për diktatorë, e luftëra, siç është ajo në Ukrainë...
Ajo është një tragjedi, është një tragjedi e madhe... ku mund të përdorim atë shprehjen “atje është një mace e madhe që po luan me një mi”...
Por në fakt ju keni refuzuar që të këndoni në Rusi?
Po, po..... Madje më duhet ta them. Unë kam qenë një admirues i madh i Putinit. Kur nuk mund të flitej , mua s’më interesonte dhe flisja, sepse ndieja nevojën që të shprehja lirshëm mendimet e mia. Dhe nëse do të më kishin thënë “shiko se Putini ndoshta do të sulmojë Ukrainën”, unë do t’u thosha: Gaboni! Por në fakt gaboja unë!
E keni takuar nga afër?
Unë këndoja 5 herë për Putinin, kishte simpati dhe dashuri të madhe për Italinë, por edhe dëshirë për Perëndimin. Problemi është që NATO ka pushtuar toka që duheshin respektuar pak më shumë... Siç bënë në kohën e tyre Krushov dhe Kennedy. Kur Krushov çonte raketat në Kubë, sepse kishte fituar komunizmi i Fidel Kastros. Atëherë Kennedy i thotë: I dashur Krushov, je ti babai i kësaj lufte të tretë botërore, do t’i marrësh ti të gjitha përgjegjësitë duke ditur se çfarë ndodhi në të dytën? Pra, do vërtetë të fillosh Luftën e Tretë Botërore? Krushov kuptoi riskun dhe anijet që ishin në qendër të Atlantikut u kthyen pas dhe çuan raketat nga ishin nisur. Dhe kësaj here ndodhi ajo që nuk ndodhi radhën e shkuar...
Është e vërtetë që ju keni marrë në shtëpi një familje ukrainase?
Po, është diçka normale për mua...
Mund të na tregoni diçka më shumë rreth kësaj?
Më morën në telefon dhe më thanë, po vijnë shumë ukrainas... e me pyetën dëshiron që të mirëpresësh prej tyre? Dhe u thashë sigurisht, 4 veta... I mora në shtëpi dhe më kujtohet mbrëmja kur erdhi ajo zonjë me fëmijën e saj dhe dy djem të tjerë. Vështrimi i fëmijës ishte sikur t’i kishin dhënë dy grushte të forta në sy, i lodhur, me rrathë të zinj në sy.... Janë skena që njeriu s’do të përballet kurrë! Kurrë! Më kujtohet zonja që sapo më pa më tha: Ti je Albano këngëtari, edhe u duk sikur ju kthye çehrja në fytyrë. Tani janë në shtëpinë time, janë mirë, dhe është një emocion i madh...
Në fakt ju keni strehuar edhe shqiptarë...
Po edhe shqiptarë...
Në mos gaboj mes tyre është edhe Aksinja Xhoja, bijë arti (vajza e aktorit Nikolin Xhoja) mike e familjes suaj dhe mësuesja e fëmijëve tuaj në piano...
Po me të vërtetë ajo është një pianiste e jashtëzakonshme.. Kanë jetuar tek unë për një kohë të gjatë dhe pastaj së bashku me bashkëshortin vendosën që të vendoseshin në Brindisi, por miqësia mbetet
Po shqiptarët sot këtej Adriatikut si ju duken, krahasuar me ndrydhjen që kishit hasur në fillim?
Po ka ndodhur një evolucion i vërtetë... Më parë shikonin vetëm një kanal televiziv dhe duhej të jetonin vetëm në një mënyrë që iu ishte përcaktuar, ndërsa tani, ku sigurisht që edhe televizioni luan rolin e vet si mësues... truri është i lëvizshëm, mjaftojnë disa impulse ndonjëherë që mund të të ndihmojnë për të përmirësuar veten nëse je i hapur për të bërë këto hapa ndaj vetes por edhe ndaj të tjerëve
Vitin që vjen mbushni 80 vjeç, keni arritur majat artistike, çfarë tjetër mbetet për tu ëndërruar në sferën artistike... Besoj se kënga do të vijojë...
Dua të bëj një koncert të madh në Verona, në Arenën e Veronës... Dhe patjetër që do të këndoj... Sa të kem jetë e dëshirë do të vijoj...
BRAVO ALBANO,,SEI UN GRAND UOMO....
PërgjigjuFantastik si Njeri dhe Artist legjende!!