Lorik Cana rrëfehet në Report Tv: Nga projekti me Arbëreshët, raporti me dy fëmijët dhe jeta midis Italisë dhe Shqipërisë

21 Prill 2023, 14:46| Përditesimi: 21 Prill 2023, 15:59

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte ish-kapiteni i Kombëtares së futbollit, Lorik Cana. Ai foli për projektin më të fundit të fondacionit të tij “Lorik Cana 5/LC5” me Arbëreshët e Italisë.

“Së bashku me Arbër Agalliun, kemi nisur një cikël dokumentarësh për të evidentuar kulturën, gjuhën, zakonet me Arbërëshë që kanë gati pesë shekuj e gjysmë që janë ndarë nga Shqipëria” tha në fillim të bisedës kapiteni.

“Me fondacionin “Lorik Cana 5 Foundation” kemi vendosur që të zbulojmë rrënjët, duke filluar nga Arbëria” theksoi më pas ai, duke shtuar se shqiptarët anë e mbanë botës kanë të drejtë të njihen me historinë e tyre, me historinë e të parëve, me historinë e bijëve të Gjergj Kastriotit.

“Kemi detyrën dhe përgjegjësinë të tregojmë se si vëllezërit tanë në Arbëri jetojnë, si flasin gjuhën që trashëguan, si këndojnë, si falen, duke u bërë ne kështu ura lidhëse…Ka ardhur koha që ‘gjaku ynë i shprishur’ të jetë forca jonë kryesore, duke mundësuar kështu sa më shumë njohjen dhe unitetin midis arbëreshëve dhe shqiptarëve kudo që ndodhen” theksoi Loriku.

Më pas ai u ndal tek familja që sipas tij është pasuria e tij e vërtetë.

“Bashkëshortja, ka qenë dhe është muza ime për çdo gjë kam arritur në jetë dhe unë ndihem me shumë fat që e kam në jetën time” tha kapiteni teksa i referohej Monikës.

Më pas ai u ndal tek e bija, Enkeleida, duke thënë se ajo është dielli i jetës së tij, ndërsa i biri, Bojkeni, ka nisur të interesohet për futbollin dhe se Loriku po e lë të lirë që ai të eksplorojë vetë, ndërsa theksoi se po e shijon shumë këtë fazë të jetës së tij kur koha me familjen është shumë speciale, pasi po i sheh fëmijët të rriten çdo ditë.

Loriku është djali i futbollistit të pensionuar Agim Cana. Ai tha se veç futbollit, fushat e tij të interesit janë makinat dhe pasioni për Albanologjinë dhe historinë e Shqipërisë, motiv për të cilin ka një diplomë në Histori.  

MC//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?