Lamine Yamal, ylli i ri i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, ka treguar anën e tij personale në një intervistë për podkastin 'Resonancia de Corazón'. Sulmuesi 17-vjeçar foli hapur për ndryshimet që ka sjellë fama, marrëdhënien me familjen, si dhe momentet e vështira në jetën e tij.
“Jeta ime ka ndryshuar në të gjitha aspektet. Më parë, mund të bëja çfarë të doja, dilja me miqtë, por tani nuk është më e mundur. Në turneun e kësaj vere në Kore, Japoni dhe Kinë ishte e pamundur të dilja diku, por jam i lumtur,” tha Yamal.
Ai ndaloi edhe te figura e nënës së tij, Sheila Ebana, të cilën e cilësoi si mbështetjen kryesore të jetës: “Nëna ime është mbretëresha ime, ajo meriton gjithçka. I bleva një shtëpi dhe kjo është mënyra ime për t’i treguar se sa shumë e dua. Ajo gjithmonë kujdesej për mua edhe kur punonte shumë.”
Yamal tregoi gjithashtu për dashurinë e tij ndaj lojërave elektronike: “Më kujtohet kur ajo më bleu një PlayStation 4, ishte gjithçka për mua. Tani luaj shumë PS5. Mund të kisha vilën më të madhe në botë dhe do të qëndroja gjithmonë në dhomën e PlayStation.”
Në intervistë, talenti i Barçës preku edhe një moment dramatik të jetës, kur babai i tij u plagos me thikë: “Isha vetëm 16 vjeç kur mora lajmin. Ishte e vështirë, por të nesërmen u ktheva në stërvitje. Pastaj më telefonoi dhe më tha se ishte mirë.”
Në fund, Yamal iu përgjigj edhe polemikave për festën e ditëlindjes së tij të 18-të: “Nuk jam i zemëruar. Ata u përpoqën të shkatërronin gjithçka në shumë mënyra, por unë jam i qetë.”
Komente
