Kultura

Rrëfime prekëse/ I mbijetuari i burgut të Spaçit: Më dënuan se u martova me të huaj! Bejko: E kam peng se nuk po gjenden eshtrat e babait

4 Tetor, 15:58| Përditesimi: 4 Tetor, 16:35

  • Share

Dokumentari “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë”, solli mjaft emocione për publikun korçar, mes tyre dhe të mbijetuar të kampit famëkeq. I realizuar nga Besim Ndregjoni, filmi është një akt rebelimi kulturor kundër harresës.

 “Do të kujtojmë sot legjendat e burgjeve shqiptare si Sami Dangëllia, i cili vuajti 20 vite burg politik dhe ishte një ndër organizatorët e revoltës antikomuniste të Spaçit. Po ashtu janë Vasil Korgocka, Nevruz Golka, Ilir Merdani dhe shumë, shumë të tjerë korçarë që kanë qenë pjesëmarrës në atë revoltë”, tha Besim Ndregjoni.

 

“Revolta antikomuniste e Spaçit është një revoltë e të burgosurve politikë me përmasa botërore. Të burgosurit politikë nuk protestuan për uljen e dënimeve të tyre të padrejta nga diktatura komuniste; ata protestuan për të mbrojtur identitetin kombëtar, flamurin kuqezi që komunizmi i kishte vënë yllin e bolshevizmit. Ky film është një akt rebelimi kulturor ndaj harresës”, shton ai.

 

Një dëshmi mjaft emocionuse vjen nga Nardi Bejko, i cili ishte tre vjec kur humbi babanë. Pengu më i madh i tij është se ende nuk ka një varr për ta qarë.

Nardi Bejko, i biri i martirit, Dervish Bejko shprehet se “unë kam qenë shumë i vogël dhe babain tim e kam vetëm një kujtim, mund të them, sepse kam qenë trevjeç në atë kohë dhe nuk mbaj mend shumë gjëra. Megjithatë, nga të gjitha librat që kam shkruar, që kam lexuar dhe nga të gjitha përkujtesat, kam shumë emocione që mund t’i shpreh vetëm në këto momente. Ka shumë për të thënë — është një histori e gjatë, që do kërkonte një emision të plotë për t’u trajtuar.A kam pengje? Po, kam një peng që eshtrat e babait tim nuk jane gjetur dot.

Po aq të fuqishme janë rrëfimet e të mbijetuarve! Vaske Orgocka u dënua vetem se ishte martuar me një të huaj, ndersa Nevruz Golka asokohe u kap duke kaluar kufirin.

Vaske Orgocka: Unë kam bërë një shkollë jashtë vendit, mirëpo në atë kohë  ishte e lejuar që dhe nëse martoheshe në atë vend nuk kishte problem. Dhe jetuam me gruan për 15 vite, duke punuar në minerë në Drenovë. Mirepo erdhi një moment që u prish krushqia dhe Shqipëria u izolua dhe u nda nga kampi i tyre. Kështu që na arrestuan mua dhe gruan dhe na dënuan, gruan 25 vite burg, ndërsa mua dënim me vdekje, por cila është arsyeja? Nuk kishte asnjë arsye. Sepse të martohesh nuk ishte faj apo krim. Por duhet të dënoheshe sepse këtë e kërkonte politika.

Nevruz Golka: Byroja Politike kishte dhënë urdhër që për cdo grup do pushkatoheshin nga 4 veta. Mirepo mediat e huaja e dhanë si lajm, që do pushkatohen nga 4 veta për çdo grup dhe u anulua se desh Zoti që u turpëruan anëtarët e Byrosë. Megjithatë për ne është plagë shumë e madhe, sepse Skendër Daja duke mbajtur një fjalim, i detyroi ushtarët të heshnin, të mos qellonin më.

Në një kohë kur Shqipëria ende nuk i ka gjetur eshtrat e 6 mijë të pushkatuarve politikë, “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë” është një thirrje e fortë për të mos rënë në autokraci.

 

“Një popull që vret frikën, ai së shpejti fiton lirinë. Nëse ne nuk e vrasim frikën, do të vazhdojmë të jetojmë me liri të cunguar, siç kemi jetuar prej 35 vitesh. Kjo është turp për politikën shqiptare se kanë treguar shpërfillje, mosmirënjohje dhe qëndrime antikombëtare, antihumane, sepse nuk mendojnë për 6 mije mijë të zhdukurit që ende nuk kanë një varr”, tha ish-i persekutuari, Ndregjoni .

Revolta e Spaçit e 21 majit 1973 hyri në historinë e Shqipërisë si një nga ngjarjet më dramatike që tronditi regjimin komunist.

R.D/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?