Rrëfimi i aktorit Bujar Asqeriu: Të gatshëm të debatojmë me Ramën për projektin e Teatrit

10 Prill 2018, 14:38| Përditesimi: 10 Prill 2018, 16:24

  • Share

Aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu në një intervistë për Report Tv shpreh gatishmërinë e tij por edhe të artistëve për të debatuar me kryeministrin Edi Rama në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. 

Ai shprehu entuziamin për projektin e prezantuar nga grupi i arkitektëve Vladimir Bregu, Drilon Zaimi dhe Ejona Belegu ditën e djeshme si dhe dha një mendim për projektin e prezantuar nga arkitekti danez në kryeministri. Në lidhje me takimet e një përfaqësi artistësh me partitë opozitare, Asqeriu deklaron se për këtë çështje duhet të interesohen të gjithë dhe se është i nevojshëm mendimi alternativ. 

Ndër të tjera, aktori i njohur sqaroi për Report Tv takimin e zhvilluar më 14 shkurt në Ministrinë e Kulturës me ministren Kumbaro dhe pse nuk ishte në teatër si pjesa më e madhe e artistëve. Asqeriu rrëfen edhe lidhjen e tij me teatrin, si e mendon ai drejtimin e institucionit më të rëndësishëm teatror dhe punët e tjera që është detyruar të bëjë duke kuptuar kështu vlerën e Teatrit. Për më shumë shikoni dhe lexoni intervistën e plotë. 

Asqeriu sapo ka mbaruar prezantimi i projektit nga ana e artistëve këtë herë. Si ju duk ai projekt? 
Pata një emocion të veçantë, jo vetëm më pëlqeu se mund të paraqiten dhe projekte të tjera po aq të bukura sa  ai i sotmi por u emocionova se kjo është një ndjenjë qytetare, një ndjenjë dashamirëse, një ndjenjë përgjegjësie e qytetarëve e arkitektëve tanë. Dhe mua kjo më emocionon, Teatrin e duam të gjithë, për teatrin janë gati të kontribojnë të gjithë. Në këtë sens më pëlqeu ajo arkitekturë e bukur moderne në mes të kësaj arkitekture të vjetër të teatrit që mbart atë historinë, mbart ato emocionet për të cilat folëm dhe krijohet një kontrast jashtëzakonisht të bukur. Jo më kot, në Londër kur kam qenë Teatri i Shekspirit është Teatri i Shekspirit siç ka qenë para 600 vjetësh. Ndonjëri mund të thotë ‘Po çne që e krahason Shekspirin me historinë e teatrit tonë’. Po ne këtë kemi, këtë histori kemi, të mbajmë e të vlerësojmë këtë që kemi. Të mos bëjmë sikur nuk ka ekzistuar asnjë aktor, regjisor, asnjë skenograf, piktor më përpara nesh. Jo, ata kanë ekzistuar dhe fryma e tyre është këtu, talenti i tyre është këtu. Dhe për këtë ka nevojë edhe spektatori i sotëm. Jam i sigurt se kjo ngrehinë mund të mermetohet, jo vetëm si kujtesë por edhe mund të vazhdojë funksionimin e vetë. 

Mendoni se duhet të ishte i pranishëm zoti kryeministër në këtë dëgjesë?
Po kryeministri është i mirëpritur kurdo që të dojë, është i mirëpritur nga ne. Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe me kryeministrin bisedë, jemi të gatshëm të debatojmë për këtë gjë që ne e dëshirojmë dhe e mbrojmë. Dhe s’ka asgjë të keqe që të rrahim mendimet, të debatojmë me njëri tjetrin s’ka asgjë të keqe. 

Ju nuk ishit prezent në dëgjesën që organizoi kryeministri kur u prezantua projekti nga arkitekti danez?
Jo, unë nuk kisha ftesë. S’ka gjë kështu e panë të arsyeshme të mos më ftonin, me qënëse para ca ditësh kisha folur. 

Si ju duk ai projekt? 
Nuk mund të flas se e pashë nga televizori. Por u ndjeva keq se mu kujtua Laho Konti i Kadaresë, që tek poema në formë monologu thotë ‘ Në mbledhjet e gjata pro dhe kundra kalit, unë kundrat kryesova me tërbim dhe perënditë gjarpërinjtë më hodhën si ndëshkim’. Dhe mua mu duk për një moment sikur ne që folëm kundër asaj që mendonte qeveria, na anashkaluan, nuk na pranuan në atë mbledhje. Dhe ai projekt, nuk mu duk më shumë se një bunker. Dhe absolutisht ne nuk pamë se ç’bëhej brenda kësaj mase, kësaj dopio hinke se atë formë kishte si arkitekturë. 

Po në tryezën me ministren Kumbaro, ju morët një ftesë. Si ndodhi se u krijua një situatë e paqartë në fakt, ku disa artistë ishin në teatër, ndërkohë që një përfaqësi tjetër ku ishit edhe ju pjesë e saj ishit në Ministrinë e Kulturës... 
U krijua po. Unë mora një telefonatë nga stafi i ministres dhe i thashë ‘Më fal por ne kemi lënë takim në teatër në orën 4. Komuniteti jonë ju pret në teatër’. Dhe ajo përsëri më mori ku më tha se ‘Zoti Asqeriu ne kemi rënë dakord që një përfaqësia juaj të vijë këtu të flas me ministren, për arsye se duke qenë shumë njerëz nuk do arrijmë të shprehim mendimet me njëri tjetrin’. Dhe unë e mirëkuptova në këtë sens që do vinte një përfaqësi. Kur marr vesh unë, nuk kishte as përfaqësi asgjë, kishin ardhur ca kokrra atje. 

Pse nuk lajmëruat artistët e tjerë ju zoti Asqeriu?
Jo, unë e quajta të mirëqenë, se s’mund të dyshoj në stafin e ministres. Unë gjërat zyrtare nuk i dyshoj, atë që del zyrtarisht nga stafi i ministres. S’mund të vë në dyshim unë. Unë mendoj se janë të kopsitura gjërat, nuk mendoj unë se ndryshe këtu ndryshe atje. Prandaj u krijua ky keqkuptimi. 

Doja të ndalesha pak edhe te zhvillimet e fundit që kanë ndodhur me një përfaqësi artistësh ku kanë takuar partitë opozitare. Ju çfarë mendimi keni për këtë z. Asqeriu pasi nuk ju kemi parë në këto takime? 
Po, nuk kam vajtur se kam qenë edhe i angazhuar me një projekt në Durrës. E vërteta është kjo që çështja e Teatrit Kombëtar është çështje e të gjithëve, jo vetëm e shtetit apo e opozitës. Është një çështje kombëtare. Dhe për Teatrin Kombëtar duhet të interesohen të gjitha palët. 

Po pse nuk ndodhi kjo më përpara kur këto parti kanë qenë në pushtet. Mendoni se është e drejtë që të përfshihet politika, këto kanë qenë edhe disa nga reagimet e qytetarëve, zoti Asqeriu... 
Forcat politike që vijnë në pushtet marrin vendime ekzekutive dhe nga këto vendime në qoftëse i marrin të drejta i shërbejnë propseritetit dhe zhvillimit të vendit. Nëse i marrim të padrejta atëherë janë rëndesa të taksapaguesve shqiptarë. Po pse të mos dëgjohet dhe opozita? Të dëgjohet sigurisht, të dëgjohet edhe mendimi alternativ. Sa më shumë të dëgjohet mendimi alternativ, sa më shumë të dëgjohet mendimi kundër atëhere zgjidhja bëhet më objektive dhe e suksesshme. 
-Dhe cila është zgjidhja e duhur sipas jush? 
Atëherë si shkallë e lëvizjes duhet të jetë kjo. Teatri ekzistues të restaurohet, të riparohet të jetë funksional dhe të ruhet ajo kujtesa historike dhe ndërkohë të merren masa për t’u ndërtuar një teatër i ri. 

Po si ja dilni që në këto kushte të vështira, të punoni dhe të jetoni mbi të gjitha? 
Ahh, ka një... jo sekret por një gjë shumë të rëndësishme në këtë mes, është ajo që ne kemi lidhur jetën me këtë profesion. Është dashuria më e madhe ky profesion. Në mesjetë aktorët japonezë shpërbleheshin me një tas oriz, edhe me një tas oriz po të na lënë ne do bëjmë prapë teatër sepse e lidhëm jetën, ne nuk mund të jetojmë ndryshe. Ne vdesim shumë shpejt nëse ikim jashtë Teatrit, sepse ju nuk e kuptoni por ashtu siç na e shkurtojnë jetën emocionet që përjetojmë atje po ashtu dhe na i rrisin jetën. Është një gjë difuze ai teatër, të merr dhe të jep jetën sepse është vend i shenjtë, është magji. Kjo është ajo pse ne mposhtim çdo gjë, që ne luajmë këtu jemi gjithë djerës nga prozhektorët dhe mbrapa perdeve jemi akull. Dhe ne prapë vemi  kollitemi, bronkoplomoni, pimë ilaçe, çaj, luajmë, sëmuremi prapë, vijmë prapë... nuk mposhtemi dhe s’kemi për t’u mposhtur sa të vdesim. 

A jeni detyruar të bëni ndonjë gjë tjetër veç aktrimit? 
Po kam punuar emigrant, në 91 kam punuar kamarier, ndihmës kamarier nëpër lokale. Dhe nuk e kam për turp unë punën, kam ngritur dhe thasë e arka, nuk e kam për turp. Puna kur është e ndershme nuk është e turpshme dhe duke provuar edhe punëra të tilla në emigracion kuptova më mirë se sa i shtrenjtë është teatri për mua. Po është një profesion që të puth me zotin, që ta bën shpirtin të pasur. Kjo është për mua pasuria më e madhe për njeriun, pasuria e shpirtit, duartrokitjet që merr nga publiku janë të papërshkruara. Është një magji e madhe teatri, kështu që ndaj ne i mposhtim këto kushte, prandaj ne edhe kur na fyejnë nuk mërzitemi. Nuk mërzitemi, le të fyejnë pa problem, do na fyejë ky, do na shajë ai, do na lëvdojë ai tjetri, nuk ka problem fare. Ne përpiqemi për më të mirën, dhe entuziasti ynë më i madh  për ne është kur publiku kënaqet. 

Dhe një pyetje të fundit, me qenëse jemi në zgjedhjen e një drejtori të ri për Teatrin Kombëtar, cili mendoni se është zgjedhja e duhur në krye të këtij Teatri? Duke i njohur kolegët? 
Atë nuk e di unë, sepse duhet të njihem me plan veprimin e secilit për të dhënë një mendim, ky i shërben teatrit apo ky nuk i shërben teatrit. Sigurisht, unë kam një mendim tjetër që në krye të teatrit duhet të jetë një drejtor administrativ dhe një udhëheqës artistik. Unë kështu e mendoj drejtimin e teatrit, me dy figura. 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Intelektuali: 10/04/2018 17:42

    Zoti Asqeriu njoh shume rolet e tu por ata qe une do vecoj jane :Telo tek filmi Njeriu i mire dhe Spiro nje nepunes ne nje ministri .Te kam vleresuar si njeri tek Telo dhe te kam urryer tek Spiro.Sot duke te pare ne televizor ne kerkesat per Teatrin jo se bere kerkesat dhe protesten ,por aty u zbulua karakteri dhe temperamenti juaj si njeri je Spiro .Nje njeri me karakter negativ ne shoqeri, i tille qenke .Kjo eshte nje kritike e drejperdrejte .Ju paski deshtuar ne jete nga karakteri.

    Përgjigju
  • fredi: 10/04/2018 15:59

    Perse duhet te paguajme per nje gje qe nuk e shohim ose nuk na intereson ta shohim per shemull RTSH flas personalisht qe kam vite qe nuk e shoh por ne fatura paguaj dhe tani thone qe duhet te shtohet taksa per televizionin publik ,personalisht skam pse paguaj per nje gje abstrakte ,arti eshte produkt qe shitet dhe si tille ai duhet te jetoj me produktin e tij dhe jo te jetoj si parazit apo te vegjetoj ne meshiren e taksave.

    Përgjigju
  • kasem gahinji: 10/04/2018 15:48

    ti,mendja e ndritur,monument i artit do ulesh me nje njeri te paditur,nje artist te deshtuar?sa po e ul vehten.projekin e bete,financat i gjetet.prisni te vije ne pushtet lulushi me monaliken.ata kane diturine dhe nderin tua ndertojne. sic tha dhe monalikja teatrin do ta mbrojme me trupat tona dhe do ta ndertojme sa te vime ne pushtet.deri atehere refuzoni dhe kontratat,bojkotoni skenen.ne fund te fundit deri tni nje premiere ne vit keni bere.sa per edin tia thoni cope, me fondin e teatrit te ri te rikonstruktojne rrugen e droqit per e durres.

    Përgjigju
  • Qytetari: 10/04/2018 15:21

    Ne BE sallat e teatrove jane shteterore dhe aktoret nga paguhen

    Përgjigju
  • Vlora: 10/04/2018 14:59

    Vetem per aktor qe su bere dot asnjeher Tani provo mbase ne moshe te madhe hyn dhe ne politik..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?