Beqir Balluku

Rrëfimi i ish-ushtarit, që gjykoi Beqir Ballukun: Tarracat e pallateve, ishin me topa kundër-ajrorë, të hyrja kryesore e burgut, dy autoblinda

20 Prill 2023, 20:59| Përditesimi: 20 Prill 2023, 21:05

  • Share

 “Kur zhvillohej gjyqi i Beqir Ballukut dhe në Tiranë nuk e dinte kush, një ambasadë e huaj, ndiqte nga afër seancat e procesit te porta e 313-ës” Dëshmia e rrallë e Lirim Gjetajt, shfaq më së shumti konturet e një misteri të pazbardhur dhe mbetet në kufijtë e një ngjarje, që nuk ka kaluar pa lënë gjurmë…! Fillimisht, ushtari nga Lezha, e ka vërejtur me shpërfillje, por kjo vetëm disa çaste. Tensioni i trupit gjykues, pas konstatimit tronditës për nxjerrjen e sekretit dhe dyshimi i krerëve të regjimit, për një lidhje të mundshme të puçistëve me agjenturat e huaja, e ka përfshirë dhe atë në vorbullën e makthit. Lirim Gjeta, kujton se, asnjëherë nuk e mori vesh cilës ambasadë i përkisnin diplomatët, që ndiqnin nga afër seancat e gjyqit të bujshëm, por mban mënd se, të gjitha lëvizjet e trupit gjykues, ndiqeshin “rrotë më rrotë” nga një makinë me targa CD.

 Përtej këtij detaji të çuditshëm, ish-gjyqtari 20 vjeçar, zbulon në rrëfimin e tij, mjaft nga rrethanat e ballafaqimit me gjeneralët e kryqëzuar, si “tradhtar e puçistë”. Pas shpjegimeve për mënyrën si është gjendur në krahë të Aranit Çelës dhe përjetimeve nga kontakti me aktakuzën për shtat-madhorët e shpallur komplotistë, Gjetaj, kujton çastet kur është detyruar të pyesë Beqir Ballukun, për idenë e grushtit ushtarak, të aplikuar fillimisht gjatë një stërvitje në Shkodër. Po si ka rrjedhur dialogu i ushtarit-gjyqtar me kreun e shtat-madhorëve të ushtrisë…?!

(Vijon nga numrat e kaluar)

“Pra, në takimin me Nazar Berberin, kujtuat se do të ishit pjesë e grupit që kishte ngritur udhëheqja e ministrisë, për të denoncuar veprimtarinë armiqësore të gjeneralëve…”?!

Të them të drejtën ato momente kështu e vlerësova. Duke qenë anëtar i Partisë, mendova se isha zgjedhur nga radhët e ushtarëve për të bërë sqarimin e njerëzve për aktivitetin armiqësor të gjeneralëve. Në atë kohë praktikohej masivisht organizimi i grupeve të ndryshëm për sqarimin e opinionit rreth problemeve që ngrinte Partia. Në rastin konkret detyra kishte tjetër qëllim. Isha përzgjedhur për të qenë pjesë e trupit gjykues të Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë. Këtë e mora vesh më vonë…!

E njihnit Beqir Ballukun?

Si fytyrë nuk e kisha parë ndonjëherë. Në atë kohë, nuk kishte televizor. Dija detyrën që kishte pasur si zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes dhe së fundi, si gjithë të tjerët, isha njohur me akuzat e udhëheqjes së lartë të Partisë, në adresë të tij si element tradhtar. Vetëm kaq dhe asgjë më shumë. Po kështu edhe gjeneralët e tjerë, disa prej të cilëve nuk ua kisha dëgjuar as emrat deri atëherë…!

Çfarë kujtoni nga çastet kur zëvendësministri i Mbrojtjes u komunikoi detyrën e gjyqtarit në procesin e gjeneralëve?

Nazar Berberi, fillimisht më komunikoi urdhrin se për disa kohë do të transferohesha nga Zall Herri dhe do të vendosesha në garnizonin e qytetit të Tiranës. Pra, që nga ai moment do të sistemohesha në godinën e Policisë Ushtarake (ish-garnizoni i Tiranës) afër selisë së Kuvendit Popullor. Më tha se, gjatë tërë kohës që do të qëndroja aty, nuk duhej të komunikoja me askënd për detyrën që do kryeja. Kur isha duke dale, më pyeti nëse kisha uniformë tjetër, veç asaj që kisha veshur.

I thashë se kisha vetëm atë. Sakaq, u afrua tek telefoni, formoi një numër dhe me receptorin te veshi, urdhëroi dikë për të bërë gati menjëherë një uniformë të re. Atë ma dhanë sa shkova te godina e garnizonit, madje specialisti i Punëtorisë Ushtarake që e kishte sjellë, u përkujdes deri në fund për pamjen e saj. Zv/ministri Berberi, më tha se, do të komunikonim bashkë çdo ditë. Dola nga zyra e tij dhe oficeri i rojës që më priste te dera, më dha një dokument tjetër, duke më adresuar tek garnizoni i qytetit.

Aty më sistemuan në një dhomë më vete dhe më pajisën me të gjitha. Mbaj mënd që, gjatë gjithë kohës, për mua përkujdesej drejtpërdrejt komandanti i garnizonit. Të nesërmen, sipas detyrës, u paraqita në Gjykata e Lartë. Aty më priste Nazar Berberi, i cili sa u takuam, më tha se do të futeshim brenda, për t’u njohur me dosjen e puçistëve. Ky si të thashë, ishte kontakti i parë me detyrën e re…!

Nazar Berberi, ua dha dosjen e procesit të gjeneralëve në Gjykatën e Lartë?

Me Nazar Berberin shkuam bashkë në gjykatë. Aty, me sa konstatova, ai ishte në terren të njohur. Nga mënyra si lëvizte dhe komunikonte me punonjësit e saj, dukej si i shtëpisë. Në fund të një korridori të ngushtë, trokiti në zyrën e sekretarisë dhe pasi më prezantoi me punonjësen që ishte aty, i tha të më jepte dosjen e grupit të puçistëve.

Dorëzova dokumentet që kisha me vete dhe u ula për të lexuar materialet që kishte përgatitur hetuesia, për Beqir Ballukun dhe gjeneralët e tjerë, të shpallur tashmë “tradhtarë” e “armiq të popullit”. Ishte një dosje jashtëzakonisht voluminoze me dhjetëra fashikuj e mijëra faqe. Vetëm për t’i lexuar, të paktën duheshin muaj të tërë. Gjithsesi, unë isha aty për t’u njohur me përmbajtjen e tyre.

Çfarë kishit dëgjuar më pare, për veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos?

Në organizatën e Partisë ku militoja, na kishin informuar për këtë veprimtari armiqësore, madje kishim diskutuar e ishim solidarizuar me qëndrimin e udhëheqjes ndaj saj. Më herët, ishim njohur me materialet e Plenumit të Komitetit Qendror, të cilat denonconin me forcë të ashtuquajturën: “tradhti të drejtuesve të lartë të Ushtrisë”. Në vijim, kishim marrë vesh se, Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, ishin arrestuar dhe pritej dënimi i tyre.

Pra, çfarë kishte ndodhur me ta, e kisha mësuar më parë. Këtë me sa mbaj mënd, e dinte në një farë mënyre edhe opinioni publik. Ishte marrë vesh se, gjeneralët ishin vënë në bangën e drejtësisë dhe pritej nga çasti në çast dënimi i tyre. Çudia në rastin, tim lidhej me pjesëmarrjen në trupin gjykues. Unë një ushtar i thjeshtë u vura ballë për ballë me gjeneralët e shpallur tradhtarë…!

Çfarë kujtoni nga leximi i dosjes së Beqir Ballukut?

Të them të drejtën, fillimisht u përqendrova për ta lexuar me vëmendje, por mënyra si ishin hedhur problemet në të, për mua ishte tërësisht e pamundur për t’u orientuar. Megjithatë, çdo ditë, duhej të shkoja aty, të shfletoja, të mbaja shënime dhe të kthehesha në dhomën time, te garnizoni i Tiranës. Për çdo gjë, duhej të isha gojë kyçur. Nazar Berberi, ishte i vetmi me të cilin duhej të bisedoja për çdo paqartësi.

Me një fjalë, e kaluat shkarazi leximin e dosjes në gjykatë…?!

Nuk kisha si ta lexoja ndryshe. E para, për moshën dhe përmbajtjen e çështjeve, për të cilën bëhej fjalë në të, ishte e pamundur që të orientohesha. Termat “organizatë kundërrevolucionare”, “puç”, “grusht ushtarak”, “komplot” etj., me të cilat ishte e mbushur çdo faqe e dosjes, jo vetëm nuk ua dija kuptimin, por mjaft syresh i dëgjoja për herë të parë. Pra, qoftë edhe për kërshëri t’i lexoja fashikujt e saj, përsëri nuk isha në gjendje të kuptoja thelbin e tyre. E në këtë gjendje, asnjëherë nuk duhej të pohoja se, isha “jashtë loje”. Mbi të gjitha isha anëtar i partisë, pastaj isha ushtar që isha thirrur në një gjyq special ushtarak.

Shkurt, duhej ta shtyja pa u ndjerë me bindjen se kishte të tjerë mbi mua që do të vendosnin për fatin e procesit…!

Çfarë mbani mend nga dita e parë e gjyqit dhe ballafaqimi me të pandehurit?

Gjyqi, u zhvillua brenda mjediseve të ‘Burgut 313’. Çdo gjë rreth e qark, ishte futur në masa të rrepta sigurie. Për të mbërritur deri aty, duhej të kaloje tre breza me njerëz të armatosur. Në tarracat e godinave, ishin vendosur topa kundërajrorë. Në krahë të portës hyrëse, kishte dy autoblinda. Thuhej se, në pjesën fundore të kompleksit të godinave, ishte instaluar një kompani tankesh. Të vetmit që kalonim këtë kordon të armatosur, ishim ne, pjesëtarët e trupit gjykues, bashkë me prokurorin dhe një sekretar. Niseshim çdo mëngjes nga Gjykata e Lartë, rreth orës 08:00 dhe ktheheshim në orën 13:30, apo 14:00…!

Kush ishin pjesëtarët e trupit gjykues?

Kryetar ishte Aranit Çela. Ndërsa gjyqtarë, Nazar Berberi, Hilmi Telegrafi, Tahir Minxhozi dhe unë. Prokurori që ndoqi procesin nga fillimi në fund, ishte Muharrem Kanani…!

Mund të na thoni diçka për sallën ku u zhvillua gjyqi…?

Ajo nuk ishte një sallë e zakonshme, por një dhomë diku te 50 metra katror, e krijuar nga përshtatja e njërës prej qelive, me një pjesë të korridorit…!

Veç trupit gjykues dhe të pandehurve, kishte pjesëmarrës të tjerë gjatë seancave?

Procesi gjyqësor ndaj Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë, u bë me dyer të mbyllura. Ishte një gjyq special, siç i thoshin atëherë. Veç të pandehurve dhe trupit gjykues, në të morën pjesë forcat e sigurisë, të cilat nuk bëheshin më shumë se dhjetë policë të armatosur. Të ftuar, siç ndodhte rëndom në të tilla procese, nuk kishte asnjë.

A e dinte opinioni ato ditë që zhvillohej gjyqi i puçistëve të ushtrisë?

Njerëzit e thjeshtë jo e jo, por as zyrtarët nuk dinin gjë për procesin e Beqir Ballukut. Seancat gjyqësore bëheshin në terr të plotë dhe në masa të rrepta sigurie. Madje, as shoferët me të cilët e bënim rrugën, nga Gjykata e Lartë, te 313-ta, nuk e dinin përse bëhej fjalë. Vetëm një ambasadë e huaj në Tiranë, kishte mundur ta merrte vesh kalendarin e procesit.

Si e konstatuat që një ambasadë e huaj kishte dijeni për zhvillimin e gjyqit të Beqir Ballukut?

Këtë e konstatuam që ditën e parë. Sa u nisëm nga selia e Gjykatës së Lartë, për te Burgu 313, na u qep nga prapa një makinë CD. Ishte një veturë me ngjyrë kafe në të kuqërremtë, e cila na shoqëroi deri te kthesa në hyrje të 313-ës, gati ngjitur me makinën tonë. Çdo ditë kur vinim për të filluar seancën, ajo bënte të njëjtën gjë.

Qëndronte tek hyrja e burgut, deri sa mbaronte seanca dhe kur largoheshim, na ngjitej përsëri nga prapa. Ka qenë ky një episod që na ka mbajtur në tension gjatë tërë kohës, sidomos forcat e sigurisë. U bë problem deri lart me sa më kujtohet, por natyra delikate e shërbimit diplomatik, e kufizonte shumë reagimin ndaj tyre. Sidoqoftë deri në seancën e fundit ky mbeti një shqetësim serioz…!

Të vijmë te ballafaqimi me të pandehurit. Si e kujtoni reagimin e tyre ndaj akuzës që kishte përgatitur prokurori?

Me sa mbaj mënd në akuzën e prokurorit, bëhej fjalë për një grup, për një kastë ushtarake, që do godiste Komitetin Qendror dhe do eliminonte Enver Hoxhën. Të pandehurit, fillimisht, në përballjen e parë, në mënyrë të përmbledhur, hezituan ta pranojnë akuzën. Të paktën me ndërgjegje, siç pohuan ata, në asnjë rast nuk kishin pasur për qëllim përmbysjen e pushtetit popullor dhe eliminimin e Enverit…!

Çfarë mbani mënd nga qëndrimi i ish-anëtarit të Byrosë Politike, Beqir Balluku gjatë ballafaqimit me këtë akuzë?

E vërteta është se Beqir Balluku, e kundërshtoi akuzën për tradhti të lartë ndaj atdheut. Deri në ato momente, ish-ministri i Mbrojtjes, ishte njohur vetëm me problemet që kishin dalë në linjë partie dhe kryesisht, me diskutimet që ishin bërë në Komitetin Qendror, për punën e “tezave në ushtri”. Pas arrestimit të Beqir Ballukut, ishte bërë një kontroll i zgjeruar në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili kishte evidentuar mjaft probleme të tjera, siç ishin ato të përkthimeve të literaturës ushtarake, probleme ideologjike, ekonomike etj.

Me to, kuptohet, Beqiri u njoh gjatë procesit. Me sa mbaj mënd, ai kundërshtoi prerazi akuzën se, merrte pjesë në një organizatë kundërrevolucionare, por pranoi se, ishin bërë gabime, ndoshta dhe faje, por jo të qëllimta. Të pavërtetë vlerësoi ish-ministri i Mbrojtjes dhe akuzën për agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor. Pak a shumë kjo ishte pamja e përgjithshme në përballjen gjyqësore…!

Si pjesëtar i trupit gjykues, bëtë ndonjë pyetje për të pandehurit dhe cili ishte reagimi i tyre?

Unë e shpjegova se, prania ime në trupin gjykues, ishte si të thuash për dekor. Megjithatë, përtej këtij dimensioni, që kishte të bënte me formën, njerëzit që drejtonin procesin përkujdeseshin, që unë mos të mbetesha në pozicionin e një dëgjuesi të thjeshtë. Së paku në aspektin e jashtëm. Në maratonën e seancave, kryetari Aranit Çela, më dha një letër, në të cilën kishte shkruar me dorën e tij, dy pyetje, që duhej t’ia adresoja në proces të pandehurve. Ishte ky momenti më delikat për mua…!

Cila ishte përmbajtja e këtyre pyetjeve dhe si i pritën të pandehurit gjatë procesit?

Në pyetjen e pare, u kërkoja gjeneralëve të pandehur shpjegime, për idenë e një stërvitje, që ishte bërë në atë periudhë, në zonën e Shkodrës, nëpërmjet dinamikës së të cilës synohej, rrethimi me tanke dhe armë të tjera, i Komitetit të Partisë së Rrethit. Ishte kjo një çështje, që kishte dalë gjatë procesit të hetimit, ku dëshmitarë nga radhët e Ushtrisë, denonconin komandantin e Korpusit të Shkodrës dhe Shtabin e Përgjithshëm, se kishin dashur të bënin eliminimin e këtij forumi të lartë partiak.

Madje, thuhej se pas provës me Komitetin e Partisë Shkodrës, ishte përgatitur një stërvitje për rrethimin dhe asgjësimin e Komitetit Qendror të Partisë. Pyetja e dytë, me sa më kujtohet, lidhej me problemin e gradave në ushtri. Gjeneralët, penalizoheshin nga akuza se, në kohën që Partia kishte hequr sistemin e gradave nga ushtria, ata në një mënyrë, apo në një tjetër, ishin përpjekur për ta sabotuar këtë reformë të saj.

Çfarë përgjigje u dhanë të pandehurit në sallën e gjyqit?

Sa për stërvitjen e Shkodrës, ata pohuan pas njëri-tjetrit se ajo, kishte qenë një demonstrim rutinë, ku forcat e Korpusit të Veriut, realizonin një skenar stërvitor, me objektiv mbrojtjen e Komitetit të Partisë të rrethit, i cili atëherë, vlerësohej si objekt i rëndësisë së veçantë, në kushtet e një agresioni nga fuqitë e huaja. Gjeneralët dëshmuan se të tilla demonstrime, ishin bërë edhe në rajone të tjera. Pra, sipas tyre, gjithçka bëhej në përputhje me misionin kushtetues të ushtrisë për sigurimin e sovranitetit kombëtar, ku ruajtja e objekteve strategjike dhe atyre të rëndësisë së veçantë, ishte detyrë prioritare.

Një moment në sallë u kristalizuan dy palë me qëndrime katërçipërisht të kundërta: Nga njëra, anë trupi gjykues i bindur se këto demonstrime ishin prova të një grushti shteti mbetur në tentativë dhe nga ana tjetër, të pandehurit për të cilët gjithçka, kishte qenë një ushtrim stërvitor brenda rregullave të kohës. Unë, as që bëhej fjalë se mund të konceptoja gjë nga ai debat i improvizuar, me pyetjen time të huazuar nga Aranit çela. Sa për pyetjen e dytë, që kishte lidhje me gradat, mbaj mënd që, gjeneralët u përgjigjën në përgjithësi, së paku kështu më tingëlloi mua, gjyqtarit 20-vjeçar me 20 ditë nën uniformë…!/Memorie.al

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?