Historia e Shqipe Selimit mund të cilësohet sa e jashtëzakonshme aq edhe e pabesueshme, e cila u bë ushtare e UÇK-së që 14 vjeç që luftoi për lirinë e Kosovës e deri tek kandidate për deputete me nr. 10 në listat e Vetëvendosjes, numër që dikur e ka mbajtur bashkëshorti i saj Rexhep Selimi, që sot është i paraburgosur në Hagë për krime lufte.
Si ndodhi që ajo u bë ushtare e UÇK që në moshën 14-vjeçare? Selimi tregon në një intervistë për "5 pyetje nga Babaramon" në Report Tv se ajo jetonte në Gjermani me familjen, kishte nisur shkollën atje dhe shqipen e kishte mësuar nga prindërit pasi në familjen e tyre ishte rregull të flitej vetëm shqip. Kur ishte 14 vjeç dhe në Kosovë nisi lufta kundër gjenocidit serb, ajo tregon se i ati e kishte pyetur nëse donte të shkonte në Kosovë dhe t'i bashkohej ushtarëve të UÇK-së.
Përgjigjja pozitive e Shqipes kishte bërë që e gjithë familja të nisje për Kosovë dhe se në Drenicë aty ku u vendosën fillimisht kishte marrë pjesë edhe në luftimin e saj të parë. Selimi tha se për herë të parë kishte veshur një uniformë të qepur me dorë dhe të ngjyrosur me bojëra me dorë duke krijuar idenë e kamuflazhit, ndërsa shprehet se edhe armën që i dhanë si fillim ishte 'gjysmake'.
"Mërgata jonë ka qenë gjithmonë në mbështetje të vendit dhe rrjedhat në Kosovë. Për ne ka qenë e natyrshme të kthehemi në Kosovë për të luftuar. Në momentin që ndodhi sulmi në familjen Jashari ka qenë dhe momenti kur ne të gjithë jemi mobilizuar. Im atë më ka pyetur do vish në Kosovë dhe të luftosh e të bëhesh ushtare? Unë jam përgjigjur po pasi shërbimi për atdheun është gjeja më normale. Ka qenë një nder që ne si familje të shërbejmë për lirinë e vendit tonë. Babai iku në Kosovë në rrugë tokësore, unë me nënë dhe vëllezërit me avion dhe jemi bashkuar në Drenicë. Fillimisht shkova unë në Drenicë duke u bashkuar me babanë dhe pas 2-3 javës erdhi dhe nëna me vëllezërit e tjerë më të vegjël. Si pasojë e luftimeve lëviznim nga një fshat në tjetrin, unë isha me unifromë, ushtare me babin. Nuk kisha prekur armë më parë, por në momentin që kam shkuar pasi në fillim nuk kishte uniforma të mjaftueshme dhe fillimisht kam veshur një uniformë të qepur me dorë dhe i kishin ngjyrosur vetë me ngjyrat e kamuflazhit. Më dhanë një kallashnikov gjysmak dhe ai, ishte pak i rëndë por pastaj u mësova. Që në javën e parë u konfrontova me luftimet e para dhe se di si më erdhi një forcë e brendshme, nuk kisha frikë dhe nga ai moment deri në çlirimin e Kosovës nga maji i 1998 deri në qershor 1999 isha duke luftuar", tha Selimi.
Momentet më të tmerrshmet dhe të paharrueshmet për të janë masakrat e fëmijëve, ndërsa shton se më pas plagët e ushtarëve apo vrasje e qytetarëve u bënë të zakonshme dhe të mos ndihej aq e frikësuar sa në fillim, por që në mendjen e saj këto skena të tmerrshme të gjenocidit serb ndaj qytetarëve të Kosovës nuk do të harrohen kurrë. Megjithatë këto skena Shqipe Selimi tha se i përballi edhe me faktin se afër kishte të atin dhe se ai ishte një mbështetje e madhe për të gjatë luftës.
"Ato momente nuk harrohen pasi ishte një ndryshim që të vije nga Gjermania me një jetë me kushte normale dhe të vije në Drenicë në zemër të luftimeve njerëzit me frikë, të vrarë, të masakruar ishte komplet tjetër gjë. Kisha fatin që kisha babin afër dhe mund t'ia dilja. Më pas u kalita dhe u mësova me njerëz të plagosur dhe të vrarë, si e re u pajtova lehtë me këto pamje që ishin të zakonshme në luftë. Këto kujtime i kam në mendje dhe masakrat e fëmijëve, kam parë fëmijë të masakruar. Ne kemi lëvizur shumë dhe kishim pozicione të ndryshme sipas nevojave", rrëfen ajo.
E pyetur a kishte vajza të tjera të reja që luftonin me UÇK-në si ajo, Seli tha se pas saj iu bashkuan edhe shumë vajza të tjera.
"Pas meje shumë vajza të reja u bashkuan dhe nuk ishin numër i pakët", tha Selimi.
Shqipe Selimi tregon se ajo u njoh me bashkëshortin e ardhshëm, Rexhep Selimi një nga themeluesit e UÇK-së në luftë, por që kontaktet dhe forcimin e marrëdhënies së tyre që u finalizua me martesë ndodhi pas luftës kur ai ishte Ministër i Brendshëm dhe ajo punonte në atë ministri dhe më pas të dy u bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje. Selimi sot është kandidate për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe është renditur me numrin 10 në listën e saj, numër që në zgjedhjet e kaluara e ka mbajtur bashkëshorti i saj Rexhep Selimi, pasi ai që nga koha e luftës njihej me nofkën “Dhjetëshi”. Ai e mbajti këtë numër deri sa u thirr nga Gjykata e Hagës për Krime lufte dhe sot ndodhet i paraburgosur atje në pritje të pastrimit të emrit të tij dhe luftës që ka bërë për çlirimin e Kosovës.
Ajo shprehet e nderuar dhe krenare që sot mban këtë numër, ndërsa tregon se gjykata e Hagës është padrejtësia më e madhe që i bëhet luftës së UÇK.
"Jam futur në politikë dhe nga 2010 jam pjesë e Vetëvendosje për mbrojtje dhe siguri. Mora numrin 10 që e mbante bashkëshorti Rexha dhe mua ma dhanë numrin 10. Nuk e prisja, më nderuan, por ata vendosën . Komunikimin e kemi mes lidhjeve telefonike dhe videove dy herë në javë. Ai na merr sa herë ka ai mundësi, ne nuk mund ta marrim për shkak të pandemisë nuk lejohen takimet. Rexha u thirr në Hagë. Kjo gjykatë pritet nga Rusia apo Serbia, por jo nga parlamenti i Kosovës dhe kjo ëhstë padrejtësi që u ngrit në kurriz të UÇK-së, por se kur do të marr fund nuk e dimë as vetë", tha Selimi.
Histori me partizane.VK.
Përgjigju