Rrëfimi i rrallë i Vasil Rucit: Si na zhveshën në kufi pas ndeshjes në Beograd dhe çfarë ndodhi në përballjet me Barcelonën

31 Mars 2023, 19:00| Përditesimi: 31 Mars 2023, 23:03

  • Share

Bomberi i shquar i “Flamurtarit”, të Vlorës, ai që rrëzoi në gjunjë rradhën e portierëve shqiptarë të viteve ’80-të, si dhe disa portierë të huaj, si Zubizareta, (legjenda e kombëtares spanjolle dhe asaj të Barcelonës), quhet Vasil Ruci, ish-sportisti elitar, i cili ka lindur më 17 shkurt të vitit 1958, në “Vreneze”. Kështu thirret edhe sot ajo, që përmendej si lagja pranë Agjencisë së Udhëtarëve.

Z. Ruci, si e gjetët veten te sporti?

Futbolli, krahasohet me artin, për nga bukuria. Gjithë ato ëndrra u pikëzuan në një ditë. Më mori një shok tek “Shtëpia e Pionierit” dhe më dorëzoi tek Skënder Ibrahimi. “Provoje”, – i tha edhe këtë. Më dha një bluzë. “Futu, më tha, por mos ki frikë”. E kisha ëndërruar të bëhesha futbollist. Ai gjeta në një ditë të gjithë ata që do të mbeteshin yjet e futbollit. Ishte Perlat Musta, Kreshnik Çipi, Hasan Lika, Kokalari, Kristaq Mile, Emil Kërçiç, Halit Gega, Agron Dauti, etj.

Ishte një spartakiadë, ku u shpallën më të mirët. Kishim humbur. Dridheshim në pushim, më saktë qamë kur hymë, fituam 3 – 1. Kështu u bëra protagonist për ekipin e të rinjve. Dy vjet aty, pastaj rreth moshës, 15 – 17 vjeç, kam kaluar me të rinjtë. Më kujtohet që, në një kampionat, kam shënuar 14 gola. Në konceptin e një sulmuesi, golat janë epiqendra e tij. Në fillim kam provuar mesfushën si lojtar, më vonë gjendem sulmues i “Flamurtarit”.

Cila është prezenca juaj e parë në sulmin e “Flamurtarit”?

Me ndihmën e Bejkush Birçes, kam luajtur ndeshjen e parë në vitin 1976, ku përballë ishte “Besa” e Kavajës. Bëra një gol, që më drodhi nga emocionet. Depërtova tek sulmuesit që ishin hijerëndë e me peshë, në futbollin e Vlorës. Ishte një treshe. Shkëlqim Zilja, Spiro Çurri dhe Pano Xhaho. Një ditë të ftohtë para përgatitjes, trajneri Bejkush Birçe, i thotë Agron Sulos, një sulmuesi potent, por që kishte pësuar rënie, se do të qëndronte në stol. “Po qe se do të qëndroj në stol, do të largohem fare”, i tha i madhi Agron, i cili nga ajo ditë u largua, por më vonë, aty rreth viteve ’78-të, u rikthye në Vlorë, por tashmë si trajner.

Ç’ngjau më tej?

Vitet ’80-të do të konsiderohen si një hap cilësor i “Flamurtarit. Askush nuk do të mendonte më vonë se, ky ekip do të pëlqehej aq shumë, do të adhurohej, herë për golat, herë për vallëzimin në fushë, herë për rezultatet.

Por si u arrit kjo?

Ekipet e qyteteve të tjera, ishin të ngjashme me njëri – tjetrin, për nga mënyra se si luanin, si fitonin dhe si humbnin ndeshjet, kupat, apo kampionati. Në atë kohë, kishte ekipe rebele, që fitonin një ndeshje, njëzet humbnin. Kështu në pamundësi për të thyer Tiranën, në jo pak kohë, bëmë bllokimin e saj. Tek ajo ndrisnin dy sulmues Agustin Kola dhe Arben Minga. Sot nuk dihet ku janë shpërndarë ata, por ekipi ynë i viteve ’80-të, përbënte një skuadër dinjitoze, ishin: Petro Ruci, Fred Zijai, Edmond Liçaj, Aagim Canaj, Kreshnik Çipi, Shkëlqim Zilja, Pano Xhaho, Rrapo Taho, etj. Ndërkohë krahas tyre vijnë prurjet dt. lindjes së vitit 1960-të, si: Fred Ferko, Gim Bubeqi, Gjondeda, dhe Memushi. E përshkruar kjo rrugë, është e tillë: 1982 -’83 nën kampion, ’83 dhe ’84 në finale, 1985 -’86, fitues. Prekëm dy kupa. Për fatin tonë jo fort të dëshiruar, mbetëm 6 herë nën kampion. Viti ’83 e në vijimësi, ishin vitet e të mëdhenjve. Tirana mbante peshën. Mbrojtësit e saj, ishin të vështirë për të depërtuar. Tur Lekbello, Arjan Bimo, Skënder Hodja, Millan Baçi, Besim Vladi, etj. Ishte koha e sportistëve “star” të Tiranës.

Cila ishte paraqitja e “Flamurtarit” në Evropë?

Po atë kohë, do të formonin vargonin e pafund të dhimbjes time, në mospjesëmarrjen me “Flamurin” në kupat e Ballkanit. Për herë të parë në këto vite, skuadra zbriti në fillimin e sezonit në takimet me “AEK” të Athinës dhe “Velezh” të Mostarit, të ish-Jugosllavisë së asaj kohe. Nuk më lejuan të merrja pjesë në të dy takimet, duke u kthyer në një spektator të thjeshtë, që vuan tragjedinë e popullit të tij, vuaja “biografinë”. Agron Sulo më tha: “Vasil, ik bëj biografinë në Dhërmi dhe hajde pastaj”. Ekipi iku, dhe në vendin tim, morën Kovaçin dhe ndonjë nga rrethet.

Po me ekipin e madh të ‘Barcelonës’ çfarë përshtypje ruan nga ato ndeshje?

Në atë kohë, ‘Barcelona’ kishte emër të madh në futbollin europian dhe si e tillë, vinte të ndeshej kundra nesh, me autoritetin e ekipit të madh. Në Spanjë, por edhe në Evropë, kishte koleksionuar varganin e pafund të titujve. ‘Barcelona’ mbërriti në Vlorë, në muajin shtator, kur zhvillohej turi i parë i Kupave të Evropës. Kujto se në formacionin e saj, ishin prezent të gjithë yjet e atij ekipi.

Në portë, Zubizareta, që përveç ‘Barcelonës. Ishte portier i parë dhe i kombëtares spanjolle, Geri Lineker, ylli i përfaqësueses së Anglisë dhe golashënues i shquar gjithashtu dhe bashkatdhetari i tij, Hjuxh. Ishin lojtarët e kombëtares spanjolle; Karasko, Alberto, Miguel, Viktor, etj.

Më kanë pyetur të gjithë, (ndonëse kanë rrjedhur vite); si e bëre golin? Sot, po e përmbledh me dy radhë: Një top ka ardhur nga mesfusha, e kam stopuar dhe kam gjuajtur. Unë e ruaja vizionin e portës edhe kur sytë nuk e shohin portën. Zubizareta, i cili ishte një portier i mahnitshëm, me gjithë lëvizjet që bëri, nuk e priti dot. Furia e gjuajtjes ishte e madhe, brenda disa sekondave, topi pushoi në rrjetë dhe e drodhi Zubizaretën. Ky ishte një gol që nuk u ngjante të tjerëve, ndërsa në portë ishte një portier, që gjithashtu, nuk u ngjante të tjerëve. Me aftësitë dhe lartësinë e tij, ai përbënte një portier të madh, i cilësuar si më i miri në Evropë. Barcelona vërtet u befasua, por e mblodhi veten. Na ndëshkuan me një gol.

Thuhet se pas asaj ndeshje, jeni cilësuar si “ekipi i fukarenjve”, që mundi “ekipin e miliarderëve”?

Kur kemi zbritur në “Kamp Nou”, për ne ishte ftohtësirë. Në stadium këndohej, dëgjohej oshëtima larg, përpara stadiumeve tona të vegjël, ai ishte hijerëndë.

Me ‘Barcelonën’ jemi ndarë të barabartë. Jemi ndeshur në vitet ’86 – ’87 dhe bilanci ka qenë i tillë: Një fitore ne, një fitore Barcelona, dy barazime. Në “Camp Nou”, përmes asaj zhaurime për herë të parë, kemi dëgjuar edhe thirrjen shqip. Ishin ca djem kosovarë ,të shpërndarë nëpër Evropë, që na thërrisnin me emër.

Është thënë se në këto takime, ekipi juaj është survejuar shumë, cilat ishin shkaqet?

Në Barcelonë, ekipi ynë shkoi pa portierin e tij, Luan Birçe. Ishin shkaqet absurde të biografisë. Birçen, nuk e futën fare në të dy takimet. Në fakt, thuajse 70% e ekipit, ishte regjistruar me “ftomë”, siç i thonë vlonjatët biografisë. Nga kjo “ftomë”, jo pak kanë vuajtur tek “Flamurtari”: Luan Birçe, deri sa u detyrua largohet, por edhe Fred Zijaj, Kreshnik Çipi, Fred Ferko, Vasil Bifsha, Agim Bubeqi, edhe unë gjithashtu.

Kur shkonim jashtë, na pyesin sa e kishim pagesën, 2 dollarë? Ishte e pa imagjinueshme. Madje në shtypin e asaj kohe, është thënë se “ekipi i fukarenjve”, mundi ekipin e miliarderëve. Në të gjitha ndeshjet, na shoqëronin: “komisarët e Partisë”. Përpara se të shkonin jashtë, thërriteshim në Ministrinë e Jashtme. Aty porositeshin: -Dëgjoni, do t’ju hedhim dollarë tek këmbët, por ju s’duhet t’i pranoni.

Si e kujton ndeshjen kur rrëzuat “Partizanin” e Beogradit?

-“Partizani” i Beogradit në atë kohë, mbërrinte nga ajo pjesë e ngrysur e Ballkanit. Në Vlorë, kjo skuadër, gjeti një tjetër skuadër që ishte gati “ta hante të gjallë”. Ishte politika e kohës, që e konsideronte atë një lojë politike. Situata në Shqipëri, ishte e ndezur. Kurse në Vlorë ishte ca gradë më tepër. Nuk flitej veç për fitore. Ishte harruar gruri e misri. Propaganda ishte drejtuar tek “Flamurtari”. Presionet dhe trysnia, ishte e jashtëzakonshme. Fitorja 2 – 0 në Vlorë, me gol të Iliadhit, dhe një autogol. Temperatura u rrit, përpara se të shkonim në Beograd.

Përpara se të kapërcenim kufirin na thanë: “Duhet të fitoni se, kjo është një lojë politike”. Situata në Beograd ishte tjetër. Ata e konsideronin thjeshtë një lojë. Goli i Sokol Kushtës, na çliroi nga dy përgjegjësi, ajo politike dhe ajo sportive. Pas minutës së ’72, kualifikimi ynë ishte i sigurt. U kualifikuam edhe pse në Beograd, humbëm me 2 – 1. Kështu e rrëzuam “Partizanin” e Beogradit, i cili mbante në skuadër emra të mëdhenj, si: Smajç, Xhurobski dhe Katanec. Ky i fundit, është sot trajner i Sllovenisë, që zhvilloi ndeshje të mëdha në evropianin e fundit.

Si ndodhi ngjarja në Hanin e Hotit?

Si vajtja dhe kthimi, u përshkruan me avion dhe autobuzë. Në Han të Hotit, kemi ndjerë për herë të pare, reprezalje e shtetit. Deri atëherë, ajo ishte drejtuar tërthorazi, por aty gjetëm “fytyrën” e atij shteti. Sapo mbërritëm në kufi, doganierët ishin të ngrysur dhe na thanë se; me një urdhër nga lart, do të kontrollohej autobuzi. Ferko do të thërriste: “Përgatituni për zhveshje, gati i kanë hekurat këta”. Na zbritën, na kontrolluan duke na zhveshur. Çmontuan edhe sediliet, për t’i kontrolluar.

Rrapo Tahos, Fred Ziajt, Çipit dhe mua, na morën nga një televizor që na i kishin dhuruar kosovarët, të cilët kishin ardhur për të parë ndeshjen, nga viset e Kosovës. Populli shkodran na priti me lule. Bllokoi autobuzin dhe bëri festë, sikur të ishim ekipi i tyre.

Disa anëtarë të Komitetit Qendror të PPSh-së, që në atë kohë ishin tifoz me Tiranën, menduan të godisnin “Flamurtarin”, duke parë shkëlqimin e tij në Kupat e Evropës. Zemërimi i tyre u shfaq ngadalë. Gjetëm rastin, ku u kthyem nga Polonia. Gjysma e skuadrës u përjashtua, Çipi, Taho, Ruci, etj. Atëherë gjetën sebepin dhe një gazetar shkroi në “Zëri i Popullit” kritika të ashpra kundër nesh.

Pas kësaj, si e si për të na dëmtuar, kërkuan që ne të bënim 3200–shin, një test të përgatitjes fizike, që asnjëherë nuk e kisha fituar. Kështu me zemër copë, e braktisa sportin. Në 10 vjet të karrierës sime, jam golashënuesi më i mirë shqiptar në Kupat e Evropës. Në 12 ndeshje, 6 gola. Nga Kupat e Republikës, nga 5 finale, kam shënuar 4 gola. U largova nga sporti me një titull që e kanë të gjithë: “Mjeshtër Sporti”./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ari: 01/04/2023 00:55

    Te gjitha te verteta Vasil. Keni qen legjend e flamirtarit po kur u bete drejtusa e vodhet dhe e legenoset ate fanelle.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?