Rrëfimi i studiuesit Qerim Vrioni: Si rashë në gjurmët e fotografit Kolë Maca

2 Maj 2019, 11:12| Përditesimi: 2 Maj 2019, 14:41

  • Share

Në një album me fotografi të vjetra të viteve ’20, të botuar para disa vitesh nga arkitekti Piro Stefa për qytetin e Vlorës, studiuesi Qerim Vrioni rastësisht do të ndeshej për herë të parë me emrin e fotografit Kolë Maca. Edhe kështu ai do të niste kërkimin e fotografive me autorësinë e Kolë Macës, në albume, organe shtypi, në libra edhe arkiva. Në një rrëfim për kamerën e “ReportTV”, studiuesi Vrioni ndalet tek formimi i Kolë Macës, fotografitë që ai ka bërë asokohe, por edhe tek studimi i tij për të, “Pikëllim në një foto të vjetër”.

VIDEO/Intervista e plotë

Zoti Vrioni, mbajmë në duar librin tuaj të ri “Pikëllim në një foto të vjetër”, i cili në kopertinë ka një fotografi të Kolë Macës, edhe një foto të  shkrepur prej tij, “Gjon Pali edhe e bija”. Por si ka nisur studimi juaj për të?

Fillimisht Kolë Macën e kam hasur në një album fotografik të arkitektit Pirro Stefa për qytetin e Vlorës. Në të kishte dy fotografi të Kolë Macës, që i ka bërë në Vlorë gjatë viteve 1916 deri në vitet 1920, kur ka punuar si fotograf në Vlorë. Njëra ishte pejzash, ndërsa tjetra trajtonte një temë sociale, dy-tre gra të ngarkuara e shkarpa. Këto fotografi më tërhoqën dhe kështu nisa kërkimet për të. Gjeta se fotografia “Gjon Pali edhe e bija” e shkrepur prej tij, në vitin 1913 ishte botuar në gazetë edhe në ballinën e një libri në Itali. Gazeta ishte e majit të vitit 1913. Artikulli fliste për fundin e luftës ballkanike, kishte lidhje me mosdorëzimin e Shkodrës tek trupat malazeze. Dihet që Rrethimi i Shkodrës ishte nga nëntori i vitit 1912 deri në prill të vitit 1913. Në fund iu dorëzuan malazezeve, por me ndërhyrjen e forcave ndërkombëtare çdo gjë u kthye siç ishte. Fill pas kësaj, në fund të majit botohet kjo fotografi në Itali. Një vajzë pranë të atit, që po vdesë. Vazhdova kërkimet edhe “E bija e Gjon Palit” ishte botuar nëpër libra, revista edhe arshiva. Vërtetova se burri në foto quhet Gjon Pali edhe ishte nga krahina e Shllakut. Ka qenë edhe në librin e At Justin Rrotës, që donte ta botonte me rastin e 50-vjetorit të Rrethimit të Shkodrës, por që nuk u botuara. Në vitin 2010 u botua nga biblioteka françeskane, nën titullin “Gjon Pali i varum tek kryet edhe tek dora, tek kryet e bija”. Më pas botohet në librin e Gino Berrit në ballinë, por pa emër edhe pa autor. Për “Rrethimin e Shkodrës” botohet një libër nga e shoqja e konsullit austriak, Hortense von Zambur, i përkthyer  edhe në shqip, ku sërish gjejmë këtë fotografi.

Çfarë dihet më tjetër për Kolë Macën. Dihet që ka pasur tre studio fotografike, por nga ana tjetër çfarë ka mbetur më prej punës së tij?

Nuk kanë mbetur shumë gjëra nga Kolë Maca. Ai ka shërbyer fillimisht si ndihmës tek Kol Idromeno, më pas ka kryer një kurs për anën teknike të fotografisë në Austri. Ishte fotograf, teknikisht shumë i saktë, por kishte dhe sens artisti, përderisa ka bërë këtë fotografi, që është e rrallë. Fillimisht  ka hapur studio në Shkodër. Më pas, në vitin 1915 kur Vlora u pushtua nga italianët punoi në Vlorë, për këtë kam gjetur edhe një vulë, që mban emrin e tij. Në vitet 1920-‘21 largohet nga Vlora edhe zhvendoset në Tiranë, ku hap sërish një studio të tijën fotografike. Edhe për këtë kam gjetur disa vula. Ka marrë pjesë në grupin e fotografëve që u caktua nga shteti për festimin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Nga jeta është ndarë në vitin 1945. Fotografia e tij e fundit, është ajo që unë kam vendosur në ballinën e librit, nga Geg Marubit.

Sa i përket gjurmëve të fotografëve të parë, duke qenë se ne jemi njohur me Marubët, ndërsa Kolë Maca nuk njihet sa duhet. Çfarë mendoni se duhet bërë më tepër?

Duhet kërkuar, sepse ka shumë fotografi, që njerëzit nuk ua dinë vlerën. Që t’ua marrësh është e vështirë, por duhet bërë një farë sensibilizimi. Kjo fotografi për shembull është botuar në libra edhe ballina gazetash jashtë vendit. Mbase ndonjë nisëm duhet që të bëhet edhe nga Galeria Kombëtare e Arteve apo Marubi, mbase mund t’u jepet edhe një farë shpërblimi.

Dikur ishte e vështirë të kishe fotografi e aq më pak aparat në familje. Sot të gjithë mbajnë në duar celular, që vetvetiu kthehen edhe në fotograf. Si e shihni ju këtë fenomen?

Është e drejta e mbijetesës. Këtë nuk e përcakton ai që e ka bërë fotografinë, por opinioni. Për shembull, kjo fotografi (Gjon Pali dhe e bija) është shfaqur 100 vite pas shkrepjes.

E drejta e autorit tek fotografitë ende nuk njihet sa duhet, si e shihni ju mungesën e kësaj?

Fotot e shtypit sot nuk kanë autorë. Për mua kjo është një mangësi. Para viteve ’90 të gjitha fotot kishin autorë. Ndërsa, tani ka fotografi shumë të bukura në gazeta, por pa emër autori, mbase për shkak të problemeve ekonomike. Por kështu bëhet një dëm, se nuk del në pah individualiteti i fotografit.

Aktualisht me çfarë jeni duke u marrë?

Kam një cikël me personazhe shoqërore dhe artistike të vendit edhe një libër tjetër për fotografi të vjetra shqiptare.

Dhe së fundmi, çfarë u shtyn që të kontribuoni ende për fotografinë shqiptare?

Është pasioni, kjo gjë tani është pjesë e jetës sime. Nuk mundet që ta mendoj dot jetën time pa fotografinë.

Studiuesi Qerim Vrioni ka botuar katër libra për fotografinë, si “Fotografia, një grusht diell”, “150 vjet fotografi shqiptare”, “Fjalor i fotografisë” dhe librin e fundit “Pikëllim në një foto të vjetër” (për të cilën e ndihmuan në botimin e tij, si konsulent dr.Zef Paci; redaktor Pandeli Koçi dhe ballina nga dr.Shpend Bengu).

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?