Një pyetje që duhet të qëndrojë pezull në kokat tona. Pse mungon vëmendja institucionale ndaj artistit të madh Ramiz Kovaçi (1929-1994) kur Opera e Izmirit, në Turqi, vetëm për katër vjet kontribut atje, e përkujton me një memorial?!
Ramona Tullumani mbesa e tij, një soprano e talentuar, të cilën “e rrëmbeu” menjëherë në gjirin e saj Opera e Sofias, më tregon se pas vitit 1991, Ramiz Kovaçi ka punuar për Operën e Izmirit. Tani që ai nuk jeton më, institucioni ka ngritur një bust për nder të tij. Po Shqipëria vet për cilin prej artistëve të shquar ka ngritur ndonjëherë bust në institucion? Një tjetër pyetje pa përgjigje...!
Ramona ishte vetëm 7-vjeç, kur gjyshi u nda nga jeta, por ajo s’do ta harrojë kurrë interpretimin me të, kur ai këndonte dhe ajo i binte pianos. Ramiz Kovaçi (që mban titullin Artist i Popullit) vdiq pa e marrë vesh kurrë se mbesa e tij do të bëhej soprano e shquar.
Le ta ndjekim Ramonën me një rrëfim emocionues, jo vetëm për baritonin e shquar shqiptar, që pati fatin ta ketë gjysh, por edhe për koncertin e saj në Tiranë, për arritjet në dukje të thjeshta, siç është vetë Ramona, por që në të vërtetë janë vepra që pakkush mundet t’i realizojë në jetë.
Ramona, si ndodhi që një ditë të bukur ti u përfshive si soliste në një opera madhshtore siç është ajo e Sofias?
-Në një audicion. Këtu në Tiranë bëhej opera “Traviata” dhe unë mora rolin e Violetës. Ishte hera e pestë ose gjashtë që e interpretoja, dhe bëra një produksion që më vajti mirë e më pëlqeu jashtë mase. E paraqita këtë produkion me DVD dhe ata më kërkuan në një orë të caktuar për dëgjim live. Kam kënduar para një komisioni arien e Violetës së Puçinit, etj. Mbas këtij konkursi më kanë telefonuar dhe kam filluar punën në Teatrin e Sofies.
Do të doja që t’i lidhni kujtimet e tua me faktin që ti je mbesa e Ramiz Kovaçit. A mund të na i kujtosh përmes figurës së tij ëndrrat e tua për të qenë një këngëtare lirike?
-Jam lindur dhe jam rritur me zërin e tij, Në shtëpi gjatë gjithë kohës dëgjohej vetëm muzikë klasike. Kam dëgjuar regjistrimet e tij, provat. Një nga këngët që më ka ngelur më memorie është aria e Zhermonit që unë nuk e dija se kush ishte, por e dëgoja gjithmonë, ashtu si dhe arien e Figarosë, dhe për mua ai është një nga Figarotë më të rrallë që kam parë. Dhe sot kur e shikoj të regjistruar, shoh se nga ana teknike ishte shumë i përsosur. Ai ka qenë bariton. Unë kam qenë shumë e vogël kur u nda nga jeta.
E mësoi ai që ti mund të këndoje opera?
- Jo nuk e mësoi. Kujtimi im i fundit me të është që unë i bija pianos dhe ai këndonte. Ai ka punur në Turqi 4 vjet dhe atje ka vdekur.
A është shkruar apo arkivuar qartë vepra dhe përvoja që la pas për artin shqiptar Ramiz Kovaçi?
-Mua më vjen keq që këtu sido të shkojë gjëja, kushdo drejtor të vijë, thotë “Historia nis nga unë”. Kjo gjë nuk më pëlqen. Këtu ka njerëz që më thonë na lodhe ti “mbesa e Ramiz Kovaçit”. “Jo u them, po të mos ishte ai, unë nuk do të isha ajo që jam sot”. Ka pasur balerinë, skeografë, instrumentista pa fund që e kanë krijuar Teatrin e Operës. Gjyshi im përvecse kontributit të jetës së tij në Tiranë, vitet e fundit ‘90-‘94 ka punuar në operën e Izmirit dhe ata atje kanë vënë një bust të vogël në Operën e Izmirit, ndërsa këtu nuk ka as një fotografi në Operën e Tiranës.
Keni ardhur nga Sofia në Tiranë, ku aty luani role të mëdhaja, dhe jeni në prag të përgatitjes së recitalit tuaj. Pse jeni përfshirë edhe në skenën shqiptare?
-Gjithmonë unë jam tërhequr kur më është thënë që duhet të bësh një recital. Kam pasur më shumë dëshirë të kem role në opera, dhe e pëlqeja përfshirjen në role sepse më dukej si një lojë që të isha në petkun e dikujt tjetër. Më pëlqente të isha gjithmonë një personazh e të këndoja me personazhe të tjerë. Duke qenë se më thoshin shpesh që duhet të bësh një recital, u bë shkas Teatri i Operës dhe Baletit që më nxiti. Insistuan për një koncert recital, por duke ma lënë mua të drejtën e menaxhimit të programit, madje duke e menduar edhe me piano me Ardita Vuthaj. Dhe kështu mori një frymë shumë të gjerë ky koncert, që unë nuk e prisja.
Dhe kështu mendova të ketë një gamë më të madhe dhe të ketë edhe orkestër. Më erdhi mirë që u tregova e kujdesshme që në fillim të realizimit të këtij recitali për përzgjedhjen e programit dhe mendova për publikun më të gjerë, për ata që pëlqejnë edhe operën edhe muzikën shqiptare që mund të futet në operetë dhe futa edhe mikse si arien e Rozinës nga “Berberi i Seviljes” edhe arie të tjera në opera dhe me pas do të ketë disa thyerje nga dy tenorë të ftuar Denis Skura dhe Ergys Mita. Pra kam marrë një arie nga “La boheme”, si dhe një nga ariet e Manonit të Massenet. Një nga ariet më të bukura. E kam kënduar në koncertin e “Tre tenorëve” dhe kam pasur sukses dhe mendova pse mos të këndojë arien e dytë në koncert.
Si u bë përzgjedhja e repertorit shqiptar?
- Janë dy pjesë, e para është si këngë “E dehur jam”, varianti i Nexhmije Pagaraushës, i riorkestruar nga Bujar Llapaj për koncerin e “Tre tenorëve”, dhe unë e kam marrë dhe i kam bërë me piano e violinë të dyja pjesët dhe “Dashnor t’u bana” të bëra nga Bujar Llapaj. Janë shumë interesante dhe të bukura për publikun. “E dehur jam” është edhe në variantin turqisht dhe këtë e kam kënduar edhe në Turqi. Kam menduar edhe opereta për në fund nëse është nevojshme. Kemi edhe një çift baleti, pra tani kemi një grup.
Jemi kurioz të dimë edhe për aktivitetet që ju do të keni në Sofie?
-Në fund të janarit kam bërë Violetën e “Traviatës” në Operën e Sofjes. Atje jam në vendin tim, sepse unë e bëj Violetën në çdo produksion. Tashmë në Sofie unë jam soliste e brendshme. Nga agjencia që menaxhohem më është thënë për një kontratë në Rusi, por janë gjëra në diskutim, ndërsa do të jemë gjithmonë e pranishme në Sofie dhe në Tiranë. Në Sofie do të jem për “Rigoleton” me Xhildën tani në maj.
Ka ndryshime klima kulturore në Sofie nëse e krahason me Tiranën?
-Pa dashur të fyej askënd, sepse edhe këtu artistët lodhen shumë, por janë pa opera, pa institucion. Ta themi hapur, jemi si nata me ditën, dhe mua më vjen mirë që në fakt pritet të bëhet teatri. Është shumë me vlerë që të realizohet gjithçka brenda një teatri.
Po nga mënyra sesi trajtohet këngëtari në realizimin e produksionit, cili është ndryshimi?
-Këtu është vetëm një gjë që të lodhin shumë. Këngëtari po u lodh shumë, nuk jep dot në shfaqje maksimunim, sepse janë një mori provash të cilat të kanë rezauruar padashur. Atje janë programet e provave që të bësh të paktën gjysmë dite pushim që të mos dëmtohet ana vokale. Kërkojnë shumë, punohet fort, por me atë që kërkojnë, janë ata që të bëjnë të sfidosh me shfaqjen. E mendojnë ndryshe dhe i japin rëndësi këngëtarit në prova.
Dimë që në Sofje ka një teatër skenik të zhvilluar, po Teatri i Operës së Sofjes në çfarë niveli është duke e krahasur me vendet europiane apo me operën e Tiranës?
-Unë do ta krahasoja me një nga ato teatrot që përpiqet që të ketë një zhvillim të madh të brendshëm në vetvete. Është një nga teatrot që përpiqet të zhvillohet me vepra të rëndësisshme dhe të rënda, që i realizon brenda një jave si “Turandot” dhe këto duan turma njerëzore për t’u realizuar, që nga “Traviata” e te “Rigoletto”.
Kjo s’do të thotë që ngjiten në skenë me një javë prova?
-Jo janë të përgatitura. Është realizuar skena, janë katër skena në një skenë. Është repertori, janë kostumet gati, historiografitë janë gati. Atje janë katër skena brenda një skene.
Jemi kurioz të dimë sa kushton bileta në Operën e Sofies?
-Bileta më e lirë është 60 euro dhe mund të kapi deri tek katet e katërta. Ka edhe lozha të shtrenjta, të zëna dhe të prenotuara, është një pjesë e skenës dhe salla e ribërë me flori. E kanë bërë shumë gjigante skenën për shkak të këtyre skenografive, të vendosura në mënyrë të tillë që jenë të fshehura që të realizohen brenda një jave. I prek këto detaje, sepse janë elementë që i kanë shumë opera në Europë...