Foto Ilustruese

Kronikë

Rregullorja e re e Policisë së Shtetit, nga leja vjetore te shpërblimet dhe detyrat! Përveç shoqërimit, efektivit i shtohet e drejta e ndalimit

8 Mars, 20:32| Përditesimi: 8 Mars, 22:46

  • Share

Shtohen kompetencat e Policisë së Shtetit. Rregullorja e re, tashmë botuar në Fletoren Zyrtare detajon me hollësi kompetencat, mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë, si dhe risitë e pranimit të donacioneve dhe lejimin e mësimdhënies.

Policët duhet të identifikohen te qytetarët dhe t’i informojnë paraprakisht për arsyen e ndalimit, duke i kërkuar fillimisht zbatimin vullnetar të urdhrit të ndalimit dhe zbrazjen e mjeteve të rrezikshme.

Mënyrat e zbatimit të ndalimit të përkohshëm policor përfshijnë shoqërimin në këmbë, nga vendi ku ndalohet personi deri në strukturën përkatëse policore; ose me automjetin e shërbimit policor apo mjete të tjera, që merren apo vihen në dispozicion të Policisë.

Në raste të veçanta, kur verifikimi i identitetit të personit nuk është i mundur, struktura përkatëse policore bën publike pamje, regjistrime ose përshkrime të personit, për të mundësuar identifikimin e tij, duke i shfaqur në mediat e shkruara dhe në ato audiovizive vendore ose kombëtare për aq kohë sa është e nevojshme.

Rregullorja përcakton gjithashtu veprimtaritë e lejueshme private për punonjësit e Policisë, që mund të kryhen jashtë detyrës e që nuk përbëjnë konflikt interesi dhe që nuk lidhen drejtpërdrejt më veprimtarinë policore.

Llojet e veprimtarive private mund të jenë nga në mësimdhënia deri te kurset profesionale, palestrat sportive, menaxhimi i bizneseve,  konsulencë në fusha të teknologjisë, menaxhimit të projekteve jashtë veprimtarisë policore;  investime në pasuri të paluajtshme, veprimtari imobiliare, dhënie me qira shitje dhe blerje të pronave.  Në asnjë rast, ushtrimi i veprimtarive private apo dytësore nuk duhet të ndikojë në ushtrimin e detyrave, kohën e punës dhe veprimtarinë policore.

Për herë të parë, Policia e Shtetit vlerëson dhe pranon donacione përjashtimisht vetëm nga subjekte të cilat plotësojnë kriteret ligjore sipas nenit 139, të ligjit nr. 82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, dhe legjislacionit në fuqi mbi konfliktin e interesit.

Sa i përket të drejtës së pushimit vjetor, rregullorja përcakton se për punonjësit e Policisë është 30 deri në 40 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas vjetërsisë dhe gradave. Punonjësi i Policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara: 40 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Drejtues” deri “Drejtues madhor”; 35 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Nënkomisar”, “Komisar” dhe “Kryekomisar”.

30 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Inspektor”. Pushimet vjetore mund të jepen të ndara në ditë kalendarike, me miratimin e titullarit përgjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.

Në rastet e fatkeqësisë, familja e punonjësit, që jetonte me punonjësin e Policisë në kohën e humbjes së jetës për shkak të detyrës, në ditën përkujtimore të punonjësit, përfiton ndihmë financiare në masën e një page mujore referuese, e njësuar si pagë mujore, në kohën e dhënies së kësaj pagese. 

Paga mujore referuese e punonjësit të Policisë përbëhet nga paga për gradë, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesa për natyrë të veçantë pune që kishte punonjësi, e cila njësohet si pagë mujore, në kohën e dhënies së kësaj pagese. Dhënia e ndihmës financiare miratohet nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe përballohet nga buxheti i miratuar i njësive shpenzuese përkatëse në Policinë e Shtetit.

Një tjetër risi është kompetenca për rekrutimin në nivelet e larta drejtuese. Drejtori i përgjithshëm i Policisë se Shtetit shpall vendet vakante për funksionet zëvendës drejtor të Përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit, e cila qëndron e hapur për 7 (shtatë) ditë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ali Senjefi: 09/03/2025 16:41

    Lejoni edhe marrien pjes ne mbledhjet e parties dhe punen si bari te police check se keshtu rritet niveli profesjonal I policeve

    Përgjigju
  • leon: 08/03/2025 22:27

    Grada inspektor gjithmonë në polici ka qenë dhe është përsëri e persekutuar,gjatë kësaj periudhe që quhet demokraci janë vrarë mbi 250 polic (yjet janë në oborrin e MB)dhe nga këta 2 ose 3 kanë qenë drejtues pra policët vriten drejtuesit shpërblehen këto janë turpet skandaloze.

    Përgjigju
  • Kimi: 08/03/2025 22:00

    Edhe Polic edhe biznesmen?? Jane ne terezi keta, apo gjeten menyren per te pastruar parate e bashkepunimit te ngushte me krimin? Policin e ndalon ligji te beje ndalimin pervecse ne kushtet e flagrance dhe kete mase duhet ta legjitimoje prokurori. Dmth sipas rregullores Proda, nga 10 ore shoqerim tani policu mund te te mbaje 48 ore? Se kuptoj cfare risie per mire paska kjo rregullore pervecse do te shtoje rradhet e abuzuesve dhe shkelesve te ligjit ne polici.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?