Rrëmbeu biznesmenin Halit Nazifi, Kushtetuesja i 'pret shpresat' për liri të Gentian Cakës, historia e pengmarrjes për 1 milionë USD

14 Shkurt 2022, 17:34| Përditesimi: 15 Shkurt 2022, 10:06

  • Share

Gjykata Kushtetuese ka shuar shpresat Gentian Cakës, për të rrëzuar dënimin me 12 vite burg, për rrëmbimin e biznesmenit Halit Nazifi në vitin 2002, për t’i zhvatur 1 milionë USD. Me 25 nëntor 2021, Caka i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të hedhur poshtë vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit për dënimin e tij për veprën penale të rrëmbimit të personit në bashkëpunim. Caka u shpall fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e rënda në vitin 2007 dhe u dënua me 12 vite burg në mungesë.

Çaka, i cili ka pasur edhe procese të tjera penale, u arrestua në vitin 2015 nga forcat RENEA. Ai ankimoi dënimin e vendimit në mungesë. Në qershor të vitit 2015, gjykata e shkallës së parë pranoi ankesën për rivendosjen në afat të së drejtës. Në korrik të vitit 2015, Gjykata e Apelit për Krimet e rënda vendosi të linte në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 12 vite burg. I dënuari ankimoi këtë vendim në Gjykatën e Lartë. Në korrik të vitit 2021, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit.

Të tre këto vendime, Gentian Caka i ankimoi në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se nuk janë bërë hetime të plota për të vërtetuar fajësinë e tij, se njolla e gjakut në vendngjarje nuk përkon me grupin e gjakut të tij, se dëshmitë nuk kanë lidhje me rrëmbimin, se provat janë mbledhur në mënyrë të paligjshme, se nuk ka pasur avokat në fazën e veprimeve paraprake, se Gjykata e Lartë nuk ka pasqyruar me saktësi dhe vërtetësi faktet dhe rrethanat e çështjes etj.

Gjykata Kushtetuese, në 14 janar 2022, ka rrëzuar pretendimet e Cakës’, duke konfirmuar vendimet për dënimin e tij. Kushtetuesja ka arritur në konkluzionin se “gjykatat e kanë deklaruar fajtor kërkuesin mbi një sërë provash të administruara në gjykim dhe të shqyrtuara e vlerësuara prej tyre në tërësi dhe në harmoni me njëra-tjetrën”.

Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pabaza edhe pretendimet e Gentian Cakës në lidhje me mangësitë e provave nga ana formale, vlefshmërinë dhe fuqinë provuese të tyre. Kushtetuesja thekon gjithashtu se Gentian Caka është përfaqësuar në të gjitha shkallët e gjykimit, fillimisht nga mbrojtësi i caktuar kryesisht dhe më pas nga mbrojtësi i zgjedhur prej tij. Gjithashtu, Kushtetuesja vlerëson se Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nuk rezulton të  jetë alogjik, kontradiktor ose i paqartë në përmbajtjen dhe vlerësimin e tij.

Ngjarja e rëndë
Në qershor të vitin 2002 biznesmeni Halit Nazifi u mor peng nga persona të veshur si efektivë policie. Personat u kërkuan familjarëve të tij 1 milion dollarë kundrejt lirimit të tregtarit. Sipas gjykatës,Kreshnik Spahiu dhe Gentian Çaka, ishin autorët e pengmarrjes së biznesmenit Halit Nazifi. Dy ditë pas rrëmbimit, policia organizoi një operacionin për lirimin e pengut. Operacioni u karakterizua me shkëmbim zjarri, ku një nga pengmarrësit, Gentian Çaka, mbeti i plagosur. Policia arriti të lironte biznesmenin. Gjykata dënoi edhe Kreshnik Spahiun, por ky i fundit arriti të merrte azil politik në Zvicër.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?