Në GJKKO nisi këtë të martë seanca gjyqësore në ngarkim të Dritan Rexhepit, Aldo Majnishtës, Gentian Funiqi, Martin Belta, Korado Gështenja, Artan Doçaj dhe Geraldo Martini, të pandehur për vrasjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës në 17 janar 2020. Seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të Gentian Funiqit, Henrik Ligori. Seanca e radhës do mbahet në 16 prill, ora 14:00.
Në seancën e sotme, do të dëshmonte Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit “Golden Resort” ku u mbajt peng Jan Prenga, i cili është dënuar në Shkallë të Parë me burgim të përjetshëm për këtë ngjarje. Ndërkohë, për Bexhdilin vijon procesi në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Në nëntor 2020, SPAK sqaroi se nga hetimi kishte rezultuar se të pandehurit Dritan alias Gromos Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës Jani Prenga në Kamëz më 17 Janar 2020.
Si bashkëpunëtorë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës akuzohen dhe Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe Altin Hajri, ky i fundit pronari i kompleksit “Golden Resort” në Shijak, ku u rrëmbye dhe u pa për herë të fundit Jan Prenga.
Rrëmbimi i tij dyshohet se është bërë pasi, Astrit Prenga, vëllai i viktimës, kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që iu përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Ekstradimi i Dritan Rexhepit
Dritan Rexhepi u ekstradua nga Turqia më 8 Janar 2025 për t’u përballur me akuzat për vrasjen e Jan Prengës. I konsideruar si “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi u arrestua më 10 Nëntor 2023 me dokumente false kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia, në një vilë luksoze, brenda së cilës u gjetën para dhe bizhuteri.
Në Turqi mundi të hyjë përmes aeroportit të Stambollit, ndërsa autoritetet italiane e gjurmuan dhe njoftuan kolegët turk që e ruajtën për disa ditë në vilë dhe pasi u bindën ndërhynë për kapjen e tij.
Komente
