Seanca në gjyqin për zhdukjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës e cila do të mbahej sot është shtyrë për në datën 21 maj, ku të pandehur janë Dritan Rexhepi dhe të tjerë persona që dyshohet se janë përfshirë.
Aldo Majnishta personi i dyshuar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion për rrëmbimin e Jan Prengës refuzoi të jepte deklarime në seancën e kësaj të mërkure në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.
Shoqërimi i tij nga qelia e paraburgimit në gjykatën e shkallës së parë u urdhërua në seancën e kaluar nga togat e zeza, në mënyrë që Majnishta të jepte dëshmi mbi ngjarjen e ndodhur në muajin janar të vitit 2020.
Përpara gjykatës ai tha, “Nuk dua të flas”, çka shtyu trupën gjykues të ndërpresë seancën dhe të caktojë të radhës në datë 21 maj.
Në seancën e kaluar në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion dëshmoi Dritan Rexhepi i cili u ekstradua pak kohë më parë në Shqipëri për llogari të këtij procesi gjyqësor.
Ndryshe nga Majnishta, Dritan Rexhepi dha shpjegime duke thënë se ai nuk ka asnjë lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e shtetasit Jan Prenga dhe madje mohoi të ketë njohje me familjarët e tij apo me të pandehurit në këtë proces.
Në datë 21 maj, mbrojtësit ligjorë do të bëjnë kundërshtimet e tyre mbi provat e reja të depozituara nga prokurorët Elida Kaçkini dhe Behar Dibra, lidhur me komunikimet në aplikacionin Sky Ecc.
Sipas organit të akuzës, nga autoritetet e huaja kanë ardhur bisedat e zbërthyera mes Altin Hajrit e Dritan Rexhepit, të cilat janë me rëndësi për këtë proces pasi flitet për ngjarjen e janarit të 2020.
Komente
