KOSOVË- Situata në veri të Kosovës kulmoi me rrëmbimin e tri policëve shqiptar të Kosovës brenda territorit të vendit, nga serbët. Sot, ata u lanë në paraburgim nën akuzën e trafikimit të armëve, por këtë situatë eksperti i politikës së jashtme, Adrian Shtuni u shpreh se është pasojë e një ‘autogoli’ të Albin Kurtit e gjithë situata që ka ndodhur deri më tani.
Në një intervistë në Pa Protokoll me gazetaren e Report Tv, Anduela Ndreu, ai thotë se koston po e paguan Kosova, por është në fakt personaliteti i një politikani si Albin Kurti që nuk ka sensin e bashkëpunimit ai që na fakt ka sjellë përshkallëzimin në këto përmasa. Ai u shpreh se situata mund të agravojë edhe në humbje jete.
“Koston po e paguan Kosova. Rrëmbimi i 3 policëve është një akt përshkallëzimi. Pretendimi se ata po kryenin sulm terrorist është po ashtu qesharak sepse ata ishin me uniformë, 50-60 vjeç por edhe në vijimësi edhe komentet nga autoritetet serbe dhe paraburgimi tregojnë se ata nuk kanë ndërmend të ulin tensionet por ta mbajnë gjendjen e tillë. Ashtu ka ndodhur edhe me gazetarët që janë kthyer në imazhe të përhershme. Po u cenohet jeta atyre që janë aty duke raportuar, duke qenë syri ynë në atë që po ndodh atje.
Nuk do të shkojmë në luftë. Mund të përshkallëzohet, mund të ketë humbje jete. Ishte KFOR ai që shpëtoi policët e forcave speciale të Kosovës.
Duhet të rritet koordinimi me KFOR. Hyrja e trupave cenon më së tepërmi pozicionin e Kosovës.
Kurti s’është bashkëpunues, duhet të ndërrojë qasje. Ai e ka gabim sepse vetëm Kosova nuk bën dot asgjë.”- tha Shtuni.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elzei bëri përgjegjës Serbinë dhe grupet kriminale serbe për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Ai tha se kjo është taktikë nga ana e Serbisë që të shkëpusë vëmendjen nga kriza e brendshme.
“Shërbime sekrete serbe dhe ruse mund të ushtrojnë aktivitete të tilla me pretekst për të bërë përgjegjëse Kosovës. Vuçiç kërkon justifikime për problemet e brendshëm të Serbisë. Stada e sigurisë s’është problematike vetëm në veri por në çdo popullsi ku ka serb. Bedri Elezi, ekspert i sigurisë
Njëlloj si bashkëfolësit, edhe analisti, Ben Andoni thotë se është moment shumë i vështirë për t’u zgjidhur situata. Megjithatë, ai beson se Brukseli e ka fuqinë ta zgjidhë këtë hallkë mes dy vendeve.
“Në këtë moment është e vështirë të zgjidhet situata. Takimet diplomattike tregojnë që ka shenja. Brukseli ka shkopin që mund të bëjë gjithçka.”- tha Andoni
Si u përshkallëzua situata në veri të Kosovës
Këto zhvillime po ndodhin në kohë kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe janë rritur. Tre efektivë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe në veri. Kosova ka bërë thirrje për t’i liruar menjëherë, por sipas Serbisë ata janë arrestuar pasi janë gjetur duke patrulluar 1.8 km larg kufirit me veriun. Ndërkohë Departamenti Amerikan i Shtetit kërkoi një ditë më parë lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë kufitare të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët. Më 13 qershor, policia e Kosovës, kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviç, si i dyshuar dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.