Një anije është rrëmbyer nga disa piratë në Nigeri, e cila mendohet se është në pronësi të një kompanie shqiptare 'STEVIA'. Në lidhje me këtë lajm Report Tv është interesuar në Ministrinë e Jashtme. Sipas Ministrisë mësohet se anija ka qenë me flamur të Kamerunit dhe jo shqiptar.
Nga autoritet shqiptare po pritet nëse pronari i anijes do të kontaktojë me ta. Deri më tani nuk ka asnjë kontakt, qoftë edhe me ambasadën.
Nga Ministria e Jashtme nuk e konfirmojnë nëse pronari është apo jo shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, 28 milje detare përkatësisht 51.8 kilometra larg brigjeve të Nigerisë e ndërsa sot është konfirmuar kombësia e 6 personave të rrëmbyer. Mësohet se peng janë marrë 8 persona, nga të cilat 6 janë konfirmuar se janë shtetas ukrainas, ndërsa kombësia e 2 personave të tjerë nuk dihet, por dyshohet të jenë shqiptarë.
Oleg Nikolenko, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës tha se nisur nga fakti që bëhet fjalë për një anije mallrash shqiptare 'STEVIA' , dy qeveritë, ajo ukrainase dhe shqiptare po punojnë për të shpëtuar të rrëmbyerit.
Anija dhe destinacioni i saj
Të tjera detaje janë mësuar mbi ngjarjen e rëndë të rrëmbimit të ekuipazhit të anijes STEVIA në ujërat e Nigerisë.
Nga burimet zbulohet se anija ka flamur kamerunas dhe është regjistruar në shtetin e Kamerunit. Pronari është shqiptar dhe anijen e ka blerë nga një armator bullgar në pranverën e këtij viti. Anija punon me çarterim për kompani të huaja tregtare.
Në rrugën e fundit ajo ishte ngarkuar me mallra në Kamerun me destinacion portin e Lagos.
Kur gjendej në radën e jashtme të këtij porti ka rënë pre e piratëve nigerian të cilët nuk kanë rrëmbyer anijen por kanë mbajtur peng 8 pjesëtarë të anijes. Janë 6 ukrainas dhe 2 shqiptarë. Piratët kërkojnë para që të lenë të lirë marinarët.
Burime nga kapitenaria e portit të Durrësit bëjnë me dije se në bazë të ligjeve të detit dhe konventave detare është shteti bullgar dhe ai kamerunas që kanë të drejtë të ndërhyjnë për lirimin e marinarëve.
Nga humane në kapitenari janë munduar të sigurojnë informacione lidhur me gjendjen e pengjeve dhe sipas tyre ata nuk janë keqtrajtuar nga pengmarrësit