Rrëmuja me ngjyra e Eljan Taninit

7 Prill 2018, 16:29| Përditesimi: 7 Prill 2018, 17:16

  • Share

“Kujtime infatile, njolla të urta, letra të grisura me gjurmët e tyre si vizatim në mur, vese, vëzhgime, shikime fshehtësie, portrete mëkatarësh të ndershëm, motive floriale, personale, habi lumturie, dashuri gogola me gjëegjëza, etj. Kthim te e verdha, si ngjyra më mesdhetare e Tiranës së humbur.

Ekspozita është ndërtuar nga dëshira e fëmijës, që ulet të bëjë detyrat e shtëpisë me kënaqësi”. Me shkrimin e dorës, në një prej faqeve të murit në Galerinë FAB është e ngjitur kjo fletë e shkruar me shkrim dore. Njëjtë si fjalët e shkruara në letër, ngjajnë edhe pikturat e ekspozitës personale të Eljan Taninit “Detyrë Shtëpie” . 

-Eljan, vjen me një ekspozitë tjetër nga ‘Detyrë Klase’ në ‘Detyrë Shtëpie’. Piktura për ty është detyrë?
Është ndër pyetjet më të bukura që më kanë bërë për ekspozitën. Është e detyrueshme dhe shumë personale dhe është një mënyrë pa të cilën unë nuk e di si do kisha jetuar po të mos kisha studiua për pikturë, po të mos merresha për një kohë të gjatë me pikturën. Duhet thënë se unë e kam lënë  pikturën në vitin 2006 dhe kam 1 vit, gati 2 vit që merrem  me të intensivisht. Kështu që është një gjë që më bën të jetoj më mirë, në një vend  si i joni ku të mbysin të gjitha gjërat, që mezi jeton gjallë. E kam si një dëshirë shpirtërore, për të jetuar më mirë. I gjithë ky cikël punësh që shikoni  në këtë ekspozitë është një meditim personal me ngjyrosje.

-Më intrigon fakti se kush të ka shtyrë të bësh detyrat?
Kam një shtysë personale që gjërat duhet të bëhen tani, nuk kam kohë për më vonë. Shumicën e punëve të mia publike janë bërë me këtë mendim. Edhe kjo ekspozitë “Detyrë shtëpie” është krijuar me këtë ide që cikli i punëve duhet mbyllur në këtë kohë, se nuk i dihet ç’ndodh me jetesën në Tiranë edhe më gjerë. Kur thua detyrë, vihesh përballë një detyrimi jo vetëm personal por edhe shoqëror. Pastaj mos harroni që jemi në Galerinë FAB dhe unë e kisha dëshirë që të ekspozoja në këtë galeri, por Tiranës i mungojnë salla të tjera si kjo.

-Pra ti nuk u kthehesh detyrave?
Unë ju rikthehem detyrave për t’u pastruar në mënyrë shpirtërore, si e vetmja gjendje emocionale për të bërë një  detyrë shtëpie me kënaqësi. Është shumë e rëndësishme që segmente të caktuara të jetës të bëhen bukur pastër, ndjeshëm, me dëshirë. Besoj, të gjithë e mbani mend që jemi ulur të bëjmë detyra shtëpie me kënaqësi, me qejf kur të kap ai vrulli i ndershëm me veten.  Edhe unë kështu e kam përjetuar këtë ekspozitë.

-Po sa kohë të është dashur që kjo ekspozitë të hapej?
Më është dashur rreth nga nëntori i vitit 2017 deri në 30 mars para hapjes së ekspozitës. Janë rreth 200 piktura të përmasave të ndryshme, por shumica të përmasës standarde 50X70. Është një përmasë që e dua sepse hyn kudo, në vende ku vendoset piktura. Kam punuar me një vrull personal, nuk kam dalë nga shtëpia, nga studio. Jam mbyllur, nuk më ka interesuar fare asgjë se c’ndodh jashtë kufirit tim mendor. Sa që kur kam lexuar lajme, se cfarë ka ndodhur në qytet apo Shqipëri, kam thënë u sa mirë që skam ditur asgjë. Jam mbledhur në botën time, aq sa me shaka themi se ‘Tani më nuk jam më aktivist por atraktivist’ .  Kam një dëshirë mbylljeje personale.

-Në fakt, pavarësisht se ke atraksionin për të qenë më i mbyllur, ngjyrat mbizotërojnë shumë tek pikturat në këtë ekspozitë. Pse, si na e shpjegon këtë?
Shiko, Kristi më beso është shumë e vështirë, gati e pamundur që të ndash jetën tënde në Tiranë mes pikturës dhe angazhimeve të tjera të aktivistit. Që do të thotë, sigurisht që i bën ato por ose do lësh njërën ose do lësh tjetrën. Është tmerrësisht e pamundur që me kaq shumë ngjyra sa ka në ekspozitë dhe fabula që ka këtu që ti të bësh një angazhim tjetër gjatë ditës, të të marrë gjithë frymën e nevojshme personale dhe shëndetësore por edhe me ligjin, gjërat që kanë edhe të tjerët sot. Tani një njeri duhet të punojë pak edhe të marrë një kënaqësi të veten shpirtërore. Ikën dhe jeta, rrjedh. Unë tani e kam kuptuar që në dy vjet të jetës sime paskam qenë me kaq shumë ngjyra brenda. Sigurisht që e dija, por nuk dija këtë lloj kombinimi. Kisha kohë që sillja në mendje skica të tilla, por ndarja nga bota të bën më të vetëdijshëm edhe më të ndjeshëm. Dhe e gjitha është një terapi shumë e mirë personale për të vizatuar në fillim atë fabulën që ti do dhe për ti hedhur sipër siç ngjyrosin fëmijët në ato fletoret e çuditshme.

-Pashë që ke zgjedhur një pikturë përfaqësuese, pse është pikërisht e verdha ngjyra mbizotëruese dhe ajo pikturë?
Unë jam shumë i dhënë pas të verdhës, është një ngjyrë që më kënaq shumë shpirtërisht. Ka të bëjë me këto fasadat mesdhetare të Tiranës, e cila nuk gjendet më. Ka të bëjë edhe me gjendjen shpirtërore që të jep e verdha, nuk më shqetëson fare. Është një ngjyrë që më jep shumë emocion dhe vazhdimësi.

-Eljan, sa kohë të merr një pikturë?
Varet nga madhësia e telajos, varet nga ajo që ke në mendje, varet nga emocionet e ditës që ke marrë, varet... mund të marri gjithë ditën, mund të marri 1 orë, 2 orë, janë të papërcaktuara.

-Çfarë pret pas mbarimit të ekspozitës?
Sigurisht që pres të shes ca punë... Bëj shaka. Jo, është një mënyrë e mbajtjes së vetes, nuk ka zgjedhje tjetër. Një artist, në përgjithësi duhet të shesi, të mbajë veten. Arti pamor në Shqipëri është i vështirë, duhet ushqyer edhe ekspozita. Pas kësaj ekspozite jam duke përgatitur një instalacion  shumë interesant që do u kushtohet të gjithë fëmijëve. Pres të nis një ekspozitë tjetër, ndoshta në këtë galeri se më pëlqen shumë që do ketë lidhje me të verdhën. Dhe mund të jetë ndoshta ‘From Tanini with yellow’ ose siç e tha dikush tjetër ‘From yellow with Tanini’. Ajo do jetë shumë e madhe si ekspozitë, mund të ketë 3000- 4000 punë, po i përgatis. Edhe më pëlqen që ka nisur që tani mbartsja e ekspozitës së re. Domethënë kjo ekspozitë solli tjetrën.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?