Kisha qindra vjeçare, ura dhe shtëpi karakteristike janë rrënuar. Prej vitesh nuk investohet për restaurimin e objekteve të trashëgimisë në qarkun e Lezhës.
Historiani Dom Nik Ukgjini që me iniciativën e tij ka restauruar kishat në Balldre dhe Pllane, thotë se Ministria e Kulturës ka lënë harresë qarkun e Lezhës por dhe veriun në tërësi. Sipas tij, investimet më të shumta i kanë marrë manastiret ortodokse në jug të vendit.
"Ministria e Kulturës duhet të mirëmbajë monumentet në qarkun e Lezhës, normalisht ka dhe bashkia ka rolin e vet, por më pak përgjegjësi se ministria. Unë jam i pakënaqur sepse në veri shumë pak është investuar nga Ministria e Kulturës në krahasim me jugun ku janë restauruar mbi 60 manastire ku normalisht mund të ketë financa dhe nga kisha greke. Unë e kam provuar në lëkurën time, duke restauruar këto monumente në Lezhë me donacione private dhe ministria nuk e çan kokën!", shprehet Ukgjini.
Qarku i Lezhës, ku përfshihen dhe Mirdita e Kurbini numëron plot 26 objekte që gëzojnë statusin monument kulture, por vetëm 4 prej tyre janë të aksesueshme nga turistët. Përkatësisht, kalaja e Lezhës, memoriali i Skenderbeut, kisha e Shën Venerandes dhe e Shën Premtes. Ndërsa plot 22 objekte të tjera, siç janë rrënojat e malit të Shëlbuemit, kalaja antike e Rubikut, rrënojat e kishës së Shën Stefanit, Ura e Zekajve, ura e Shkinës, e shumë të tjera po shkojnë drejt shkatërrimit të plotë.