Rrëqebulli i Ballkanit në parkun e Munellës në rrezik, ekspertët i bashkohen qëndresës së banorëve të Thirrës kundër HEC-it

24 Mars, 16:30| Përditesimi: 24 Mars, 19:41

  • Share

Ndërtimi i hidrocentralit dhe i Fabrikës së Ujit në Thirrë të Mirditës përvese po dëmton natyrën, po rrezikon Rrëqebullin e Ballkanit dhe Ariun e Murrmë, kafshë të cilat kanë ngritur strehe në parkun natyror të Munellës.

Shqetësimi është ngritur ekspertët e organizatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.

“Jemi mu në mes të habitatit të rrëqebullit të ballkanit që është lloji më i rrezikuar në nivël kombëtar por edhe më i rrezikuari në kontinentin evropian. Një lloj i mbrojtur nga një seri ligjesh dhe konventash ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar. Në të njëjtën kohë këtu po ndodh një shkatërrim i madh në një vepër infrastrukturore përtej faktit që ndodh në një vend që nuk duhet të ndodhë por po shkatërron dhe një përdorim a një traditë shekullore kulturore që banorët kanë pasur me lidhjen e tyre me territorin me tokën e me burimet ujore që i shfrytëzojnë. U bëjmë apel të gjithë institucioneve përgjegjëse që këtë zonë ta mbrojnë”, tha Aleksandër Trajçe specialist mjedisi.

 “Investime të tilla ndikojnë në degradimin e habitatit dhe në fragmentimin e tij. Kjo sjell pasoja të mëdha kryesisht në popullatën e rrëqebullit të ballkanit e cila është identifikuar në këtë zonë dhe duke e fragmentuar korridorin lidhës midis maleve kryesore në këtë rajon. Kjo bën lëvizshmëria e kafshëve të kufizohet çka sjell ndikim negativ në rënien e popullatës së rrëqebullit ku aktualisht janë identifikuar dy ose tre në këtë rajon. Jemi në situatë kritike”, tha Bledi Hoxha biolog.

Rrëqebulli i Ballkanit është lloji më i rrezikuar në nivel kombëtar dhe evropian, ndaj apelohet për mbrojtjen e parkut natyror të Munellës, zonë në të cilën ka ngritur strehe kjo specie e cila mbrohet nga një sërë ligjesh dhe konventash ndërkombëtare të cilat Shqipëria i ka ratifikuar.

Prej një jave banorët e fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebe janë vendosur në çadra për të mos lejuar kompaninë të vijojë punimet e paligjshme.

Më 28 shkurt bashkia Mirditë pezulloi punimet dhe gjobiti kompaninë me 3 milion lekë, për shkak të mungesave në dokumentacion, por kompania e vijojë punën pavarësisht vendimit. Ndërkohë vijon beteja ligjore e banorëve me kompaninë Sang 1 në Gjykatën e Apelit.

Ndërtimi i hidrocentralit dhe fabrikës së ujit përveç se po dëmton mjedisin po  ju merr burimet ujore banorëve që i përdornin për vaditjen e tokave dhe bagëtinë.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?