Rrëshqitje dherash në kantierin e ndërtimit Lezhë, Inxhinieri Dedaj: Nuk ka rrezik për banorët (VIDEO)

10 Mars 2021, 15:31| Përditesimi: 10 Mars 2021, 15:55

  • Share

Reshjet e shiut janë bërë shkak për shembjen e dherave në themelet e një objekti të ri që po ndërtohet në kuadër të projektit të rindërtimit. Banorët e një pallati 5-katësh në lagjen "Besëlidhja" në Lezhë shprehen të shqetësuar se nga rrëshqitja mund të dëmtohen banesat e tyre.

"Jemi të shqetësuar, kemi qëndruar jashtë. Pallati ynë është i rrezikuar nga punimet që po bëhen këtu pranë", shprehen banorët.

Inxhinieri i firmës zbatuese të projektit Mirdian Dedaj thotë se punimet po kryhen në bazë të studimit gjeologjik dhe problematika shfaqur nga reshjet e shiut nuk përbën rrezik për shembjen e pallatit të vjetër.

"Objekti që po ndërtohet është pjesë e projektit të rindërtimit, blloku "Lezha 1". Nga momenti që është lidhur kontrata me Fondin Shqiptar të Zhvillimit ka filluar rrethimi i objektit dhe është bërë studimi gjeologjik. Gërmimet janë bërë sipas studimit me skarpate në raportin 1 me 2, sipas kushteve teknike të sigurisë", shprehet inxhinieri.

Rrëshqitja e dherave gjatë natës ka sjell dhe dëmtimin e tubacionit të ujit të pijshëm.

"Nga reshjet e shiut, skarpata ka një rrëshqitje të dherave si dhe tubi i furnizimit me ujë të Lezhës që ndodhet jashtë gërmimit. Janë marrë masa nga ujësjellësi i Lezhës që të bëjë furnizimin me ujë të Lezhës, ndërsa ne po punojmë në përforcimin e skarpatës dhe mbrojtjen e saj. Këto punime nuk sjellin asnjë rrezik për banorët", theksoi Dedaj.

Në kantierin e ndërtimit po punohet me ritme të shpejta për pallatet e reja ku do të strehohen 184 familje që mbeten pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?