Aksi Berat-Skrapar është një nga rrugët më problematike për drejtuesit e mjeteve dhe më të rrezikshme për to për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe dherave. Sa herë bie shi, kjo rrugë bëhet edhe më kërcënuese për drejtuesit e mjeteve, pasi rrëshqitja e gurëve dhe dherave është edhe më e madhe. Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan vijon rrëshqitja e gurëve në rrugë duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks, ku shkëputja e gurëve nga faqja kodrinore theksohet edhe më shumë gjatë dimrit dhe reshjeve të rrëmbyeshme të shiut. Edhe gjatë ditës së sotme gurët kanë bllokuar rrugën , por ende askush nuk e ka pastruar. Drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo rrugë është problematika sa herë që bie shi dhe mjaft e rrezikshme në qarkullim ,sidomos gjatë natës pasi aksi nuk ka drita. Sipas drejtuesve të mjeteve, shmangia e rënies së gurëve mund të kryhet vetëm nëpërmjet rrethimit me rrjetë hekuri të zonës kodrinore përgjatë këtij aksi.
“Nuk është hera e parë që ka gurë në rrugë. Kjo është një pjesë shumë e rrezikshme, unë e bëj pothuajse përditë këtë rrugë dhe sa herë ka reshje shiu, gjendja është e keqe, kemi frikë të ecim pasi ka pasur raste që kanë prishur dhe mjetet, është shumë e rrezikshme, shteti nuk ka ndërhyrë. Të pastrohet rruga dhe të vendoset një mure më i lartë mbrojtës”, tha një drejtues mjeti.
“Po të na bien mbi makinë na bën copa”, tha një drejtues
“Është shumë problematike, ka rrëshqitje gurësh, është e rrezikshëm”, tha një tjetër.
Aksi nacional Berat-Skrapar është një aks me shumë kthesa dhe i pandriçuar, gjë që jo vetëm sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve kur në rrugë ka prezencë të shtuar gurësh por shpesh-herë është shndërruar edhe në burim aksidentesh. Prej vitesh është folur për një projekt madhor siç është rrethimi i zonës kodrinore me rrjeta metalike por projekti nuk është hedhur asnjëherë në letër.