Kronikë

Rreth 72 orë i bllokuar në galeritë e minierës së Bulqizës, ende asgjë për fatin e minatorit Muharrem Plaku! Kërkimet ecin me ngadalë për shkak të frikës së shembjeve

18 Shtator 2021, 09:51| Përditesimi: 18 Shtator 2021, 13:19

  • Share

Prej gati 72 orësh i bllokuar në galerinë e errët të minierës së Bulqizëqs, shpresat për ta gjetur gjallë minatorin Muharrem Plaku sa vijnë edhe dobësohen. Operacionet e kërkimit vijojnë, por puna po ecën me ritme shumë të ngadalta për shkak të frikës për shembje të tjera në galeri që do të rrezikonin jetën e punonjësve të shpëtimit.

Një ditë më parë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera njoftoi se operacioni është mjaft i vështirë, për shkak se vijojnë të bien minerale.

Për gjendjen shëndetësore të minatorit 60-vjeçar nuk ka ende asnjë informacion.

Në Galerinë 3, që menaxhohet nga kompania minerare "KADURTEX" kanë qenë duke punuar 6 minatorë. 60-vjeçari me profesion teknik ka qenë duke hapur frontin e ri të punës për minatorët që do të nxirrnin më pas mineralin e kromit, por dyshohet se në thellësi ka pësuar shembje pingule masivi shkëmbor. Pesë prej minatorëve mundën të shpëtojnë, me dëmtime të lehta, ndërsa kolegu i tyre mbeti i bllokuar.

Subjekti minerar "KADURTEX sh.p.k." ka administrator Kapllan Duriçi dhe bashkëpronarë vëllezërit e tij Myfit dhe Ilber Duriçi. Ndërsa policia bën të ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, por ende nuk ka asnjë person të ndaluar.

Ora 13:12
Minatori prej 3 ditësh në minierë, kolegu i tij: Shpresojmë të jetë gjallë! Të nxirren përgjegjësit për këto aksidente, shikojnë interesin e parasë dhe jo të punëtorit

Prej 3 ditësh minatori Muharrem Plaku ka mbetur në galeritë e një miniere në Bulqizë dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tij. Ish-minatori Ferat Kurti, i cili ka punuar me Plakun më parë në një minierë tjetër thotë e ekziston mundësia që ai të jetë gjallë por situata është sigurisht shumë e rëndë.

Në një intervistë për Report Tv, minatori thotë se për aksidente të tilla duhen nxjerrë përgjegjësit pasi sa herë ndodhin të tillë incidente shikohet gjithnjë interesi i pronarit dhe jo i punëtorit.

"Unë kam 30-vjet minator, kam punuar në punime vertikale në puse. Këto janë horizontale, s'ka puse. Aty ku minatori ka mbetur brenda në galeri aktualisht është shumë ngushtë. Nuk ka mundësi të rrijë person i tretë. Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Ata kanë menduar hajd të shfrytëzojmë kromin dhe ec. Interesi është i pronarit dhe jo i punëtorit. Punëtori lë jetën për një rrogë mujore.  Muharrem Plaku ka pasë punuar në pus dhe duke qenë se nuk i dilte rroga ka shkuar atje", tha minatori Ferat Kurti.

Ju keni punuar personalisht me z. Muharrem Plaku?

Po unë kam punuar me të në pus. Më vonë ai e la se ishte paga më e vogël atje tek ne. Dhe ai iku për një pagë më të mirë. Rreziqet ekzistojnë por problemi është kush mban përgjegjësi për këto probleme? Ajo minierë është përdorur që nga regjimi i Enver Hoxhës. Këtu hahën këmbët gjithmonë. Dhe mua më merr mendja që ka shembje masive.

Ka teknikë që e menaxhojnë punën?

Po ka, por sicc duket ata marrin pagesat e tyre dhe nuk shikojnë interesat e punëtorëve. S'kam parë ndonjëherë që të dëmtohet një inxhinier, apo teknik apo ku di unë. Punëtori gjithmonë e han.

Ju keni punuar prej vitesh, ka shumë aksidente në miniera?

Aksidente ka  shumë. Merren masa të vogla dhe punëtorit i japin ditën e punës, as raport nuk i japin. Sigurisht që ka edhe minatorë të pasiguruar. Kjo zona është kaq e madhe dhe ka kaq shumë minarorë.

Cila prej kategorive të punonjësve është më e rrezikuar?

Minatori e ka gjithmonë rrezikun me vete. Po të jesh nën tokë rrezikshmëria ekziston.

Ekziston mundësia që të jetë gjallë në ndonjë prej tuneleve të galerisë?

Ekziston ajo mundësi! Por duhet të kuptojmë se ai mund të jetë i plagosur, në errësirë, në gjendje të rëndë psikologjike.

Kush mund të jetë fajtori në këtë rast?

Për këtë duhet të pyesni një inxhinier.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?