Ceremoni përkujtimore për viktimat e Holodomorit në Moldavi (Foto arkiv)

Rreth 9 milionë njerëz vdiqën, Kroacia e njeh Holodomorin si gjenocid

28 Qershor 2023, 13:53| Përditesimi: 28 Qershor 2023, 14:31

  • Share

Parlamenti i Kroacisë votoi të mërkurën për njohjen e Holodomorit si gjenocid.

Ky term nënkupton vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë në vitet 1930, nën udhëheqësin sovjetik, Joseph Stalin.

Regjimi i tij krijoi artificialisht uri, që preku popullsinë e Ukrainës sovjetike, të Kaukazit të Veriut dhe të zonës përreth rrjedhës së poshtme të lumit Vollga, midis viteve 1932 dhe 1933.

Vlerësohet se deri në 9 milionë njerëz vdiqën si rezultat i ekzekutimeve, dëbimeve dhe urisë gjatë Holodomorit.

Më e goditura ishte Ukraina, si zona më pjellore bujqësore e Bashkimit Sovjetik.

Me deklaratën e miratuar, Parlamenti kroat tha se e njeh Holodomorin si gjenocid kundër popullit ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e falënderoi Kroacinë për këtë veprim.

“Bota nuk do t’i pranojë kurrë krimet e Kremlinit - as të shkuarat, as të tashmet”, shkroi Zelensky në Twitter.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, shprehu po ashtu mirënjohje për Kroacinë, duke thënë se “njohja globale e gjenocidit të Holodomorit” vazhdon të rritet me shpejtësi.

Ai shtoi se 27 vende e njohin urinë si gjenocid.

Viktimat e Holodomorit përkujtohen në Ukrainë dhe në mbarë botën çdo vit, në të shtunën e katërt të nëntorit. REL

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?