Mirel Josa, trajneri i Vllaznisë

'Rrezikohemi nga skuadrat poshtë nesh', Mirel Josa: Vllaznia s'e nënvlerëson Kastriotin

24 Shkurt 2023, 20:17| Përditesimi: 24 Shkurt 2023, 20:18

  • Share

Vllaznia dhe Kastrioti luajnë nesër në 17:00 në "Loro Boriçi" për javën e 23-të të Superligës shqiptare të futbollit. Para mediave foli trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa. 59-vjeçari ka kërkuar nga të tijtë që mos nënvlerësojnë kundërshtarin, pasi krutanët më herët kanë marrë pikë në Shkodër.

"E para e punës unë nuk mund ta quaj skuadër të lehtë Kastriotin sepse përveç kampionatit të sivjetshëm, edhe në kampionatet e tjera ajo ka treguar se ka shpirt gare. Ka cilësi brenda saj dhe këtë e ka treguar në shumë përballje, e tregoi edhe javën e kaluar kur luajti si e barabartë ndaj Tiranës. Ju keni qenë në korent të ngjarjeve që kanë ndodhur më parë në përballjet e Vllaznisë me Kastriotin, teksa kjo e fundit ka ardhur në Shkodër, ka treguar karakter dhe ka marrë edhe pikë. Prandaj unë nuk e konsideroj aspak të lehtë këtë përballje", tha trajneri fillimisht.

Josa foli edhe për sigurimin e objektivit Europë, për të menduar më pas për titullin kampion.

"Unë nuk i konsideroj të fituara ndeshjet para se ato të fillojnë. Do ta vlerësojmë maksimalisht edhe këtë takim sepse pritshmëritë e tifozëve ndaj nesh janë të mëdha dhe ato duan fitore në çdo ndeshje. Fitore duan edhe lojtarët sepse edhe ata kërkojnë të fitojnë titullin kampion por ne nuk duhet të nxitohemi sepse më parë duhet të sigurojmë Europën. Kjo ngaqë skuadrat që janë poshtë nesh në renditje i kanë mundësitë të na arrijnë dhe prandaj duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën tonë", tha Josa.

Përpara takimit që luhet nesër, Vllaznia me 35 pikë mban vendin e tretë, ndërsa Kastrioti me 20 pikë renditet i fundit.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?