Në vitin 2022 sporti i mundjes i dhuroi vendit një kampion bote si Zelimkhan Abakarov, ndërsa në 2023 qëllimi është që rezultatet të jenë më të larta.
“Është një vit olimpik ku federata jonë shpreson për dy, por kam bindjen që mund të kapim 3 norma olimpike,”-u shpreh Sahit Prizreni, president i FSHFM.
Mirëpo situata që ndodhet aktualisht federata nuk e favorizon aspak arritjen e objektivave, pasi jemi në muajin shkurt, por ende nuk është lëvruar buxheti që duhet të kishte kaluar në llogari që në ditët e para të janarit.
“Me bisedat kofindeciale që kam patur me shokun tim zv.ministrin e Arsimit dhe Sportit Endrin po presim nga dita në ditë lëvrimin e buxhetit, pasi federatat pa të nuk mund të nisin punën në asnjë mënyrë,”-tha Sahit Prizreni, president i FSHFM.
Për rrjedhojë situata e vështirë është edhe tek rinjtë pavarësisht se në qershor në Shqipëri do zhvillohet kampionati europian për të rinjtë.
“Deri më tani kemi vijuar me shpenzimet personale, ndërsa tani e tutje do shohim,”-tha Mikel Tropini, mundës U-17.
“Mbështetja nga ana federatës ka qenë e mirë, por presim edhe më shumë. Shpresoj që në këtë kampionat europian që zhvillohet në Shqipëri të dalim me medalje,”-deklaroi Klevic Preçi, mundës U-17.
Në prill është kampionati europian për të rritur në mundje dhe më pas botërori, që do përcaktojnë shumë nëse sportistët shqiptarë do kualifikohen apo jo në Lojrat Olimpike të Parisit në 2024.