Komisioni Hetimor për Inceneratorët

Opinion

Rreziku i abuzimit dhe shantazhit kur bankat u japin politikanëve dokumente konfidenciale (dhe a kanë të drejtë t'i japin?)

29 Nëntor 2021, 16:06| Përditesimi: 29 Nëntor 2021, 16:16

  • Share

A kanë të drejtë bankat të shkelin sekretin dhe t’i dorëzojnë një komisioni hetimor parlamentar të dhënat personale të klientëve të tyre? Për herë të parë kjo çështje është bërë aktuale në këto ditë, pasi opozita propozoi dhe ngriti një komision parlamentar hetimor mbi konçensionin e inceneratorëve. Një çështje, që të paktën prej dy vjetësh, është në qendër të akuzave nga ana e opozita. Tani, përmes këtij komisioni, kërkon të tregojë marrëdhëniet e jashtëligshme mes këtij konçesioni dhe qeverisjes LSI-PS që e ka firmosur. Shumica socialiste nuk e ka kundërshtuar këtë hetim, me sa duket e bindur se të gjitha procedurat janë bërë transparente dhe ligjore. 

Por konflikti politiko-ligjor-institucional fillon në momentin kur komisioni, me propozim të opozitës, u ka kërkuar të gjitha bankave kopje të lëvizjes së parave (statements) të bëra nga shoqëritë koncensionare, por edhe nga administratorët e saj dhe pronarët. Komisioni ka shkuar edhe më tej duke kërkuar lëvizjet e parave të bëra në llogaritë bankare private të zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ish-ministrit Damian Gjiknuri, ish ministrit Lefter Koka dhe ish sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako. 

Disa banka refuzuan të dorëzojnë dokumentet e kërkuara, duke argumentuar se sipas ligjit mbi sekretin bankar, të cilin bankat duhet ta respektojnë, këto informacione janë konfidenciale dhe se mund t’iu dorëzohen personave të tretë vetëm me autorizim të vetë klientëve. Dy banka të tjera kanë pranuar dhe rezultati është se pas pak orësh disa nga ato dokumente bankare shumë konfidenciale, përfunduan në media, të shparndara nga një anëtar i komisionit të hetimit. Mes të tjerave, një nga bankat që nuk ka hezituar të shkelë sekretin, duket se ka gabuar identitet dhe ka shpërndarë të dhënat e një klienti tjetër, vetëm homonim me një nga pronarët e inceneratorëve, duke thyer në këtë mënyrë totalisht dhe arbitrarisht privatësinë e një qytetari të thjeshtë që nuk kishte fare lidhje me hetimin. 

Kjo çështje është komplekse dhe ngre disa pyetje delikate. Objeksioni i parë është:  Deri në ç’pikë një komision parlamentar hetimor mund të çojë hetimet e veta dhe a ekzistojnë limite? Ligji nr. 8891 i datës 2.05.2002 që rregullon kompetencat e komisioneve parlamentare të hetimit fikson në nenin 14 kompetencat e komisionit. Sipas këtij neni ''Në ushtrimin e funksioneve të tij, komisioni ka të drejtë të:

a) kryen hetime, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj; 

b) thërret titullarë institucionesh për pyetje, si dhe kërkon nga ata informacione ose dokumente zyrtare; 

c) merr në pyetje dëshmitarë dhe persona të tjerë;  

Pra ligji i jep të drejtë komisionit vetëm të thërrasë titullarë “institucionesh” dhe t’i kërkojë institucioneve “informacione ose dokumenta zyrtare”. Kjo është nyja: Bankat private mund të konsiderohen institucione njësoj si Drejtoria e Tatimeve? Dhe statsments me lëvizjet e parave të klientëve që banka ruan nën sekretin bankar, mund të konsiderohen “informacione apo dokumente zyrtare”?

Prokuroria ka të drejtë të thyejë sekretin bankar për të marrë informacione të dobishme për një hetim, ashtu si edhe inspektorët e tatimeve. Por të gjitha këto autoritete nuk janë të autorizuara në asnjë mënyrë të shpërndajnë të dhënat konfidenciale të marra, të cilat mund të bëhen publike vetëm gjatë një procesi, me vendim të një gjykatësi. 

Në të vërtetë, edhe anëtarët e komisionit parlamentar hetimor duhet të ruajnë sekretin. Neni 17 i ligjit mbi komisionet thotë se ''Anëtarët dhe personeli ndihmës i komisionit janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit shtetëror gjatë hetimeve, sipas rregullave të parashikuara në nenet 159,160 dhe 161 të Kodit të Procedurës Penale''. Praktikisht anëtarët e komisionit hetimor duhet të respektojnë gjithashtu sekretin profesional që ndalon edhe avokatët, mjekët ose prokurorët të nxjerrin informacione konfidenciale apo hetimore. Janë dy qëllimet kryesore se përse nuk bëhen publike këto informacione: 1) Mosshkelja e privatësisë së qytetarëve 2) Moskompromentimi i hetimeve.

Problemi thelbësor është se asnjë prej këtyre objektivave superiore, nuk i përkasin opozitës. Qëllimi i komisionit parlamentar hetimor mbi inceneratorët (ashtu si dhe komisione të tjera), në fakt nuk është zbulimi i të vërtetës, por vetëm të mbledhë informacione konfidenciale për t’i përdorur për të goditur kundërshtarët. Kjo opozitë është e njëjta që vodhi të dhëna konfidenciale nga database e tatimeve e që më pas i manipuloi për të shantazhuar gazetarë. Si mund të habitemi që do të bëjë të njëjtën gjë duke mbledhur të dhëna konfidenciale nga bankat për të shantazhuar sipërmarrësit? Nëse deputetët nuk tregojnë etikë dhe respekt ndaj ligjit, duhet që të jenë bankat ato që duhet të refuzojnë të dorëzojnë dokumentet e kërkuara, edhe atëherë kur ligji ua lejon. Është një linjë e kuqe (që ruan një shtet nga kaosi dhe abuzimi) që nuk duhet të shkelet kurrë, nga askush.

Komento

Komente

  • Bureto: 29/11/2021 19:06

    Nese ka shkelje ligji nga bankat, anetare te komisionit parlamntar apo perfaqesues te tyre, siç artikulli ve ne dukje ateher kur ka shkelje ligji perben akt enal dhe ne keto ratse duhet te nderhyje prokuroria duke kryer edhe hetime kryesisht. Po nuk u be keshtu atehere ajo qe thuhet ne fund te artikullit i hapet (i eshte hapur) kaosit dhe abuzimit dhe ne kete aspekt vetem shtet ligjor nuk mund te thuhet se kemi.

    Përgjigju
  • Kadriu: 29/11/2021 18:51

    Po. Konfidencialiteti,jo sekretet bankare, shkelet dhe banka ka detyrim te mos jape dokumente pa autorizim te klientit ose nese nuk kerkohet ne zbatim te nje ligji. Komisionet e Kuvendit veprojne nen rregulloren e Kuvendit pra nuk jane ligj. Redaksia ka bere shume mire qe ngre problemin edhebpse prek nje pakice shume te vogel njerzish. Me te njejten fryme dhe qendrim do te ishte e mirpritur e njejta qasje mbi shkeljen e paligjshme te konfidencialitetit te te dhenave personale sensitive te 4.2 milione shtetasve shqiptare nga nje organizate politike duke cenuar rende lirine kushtetuese shprehjes se lire ne zgjedhje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?