Sociale

Rreziku i analfabetizmit, Shqipëria e pesta me normën më të ulët të regjistrimit në shkollë fillore

22 Nëntor, 09:31| Përditesimi: 22 Nëntor, 10:24

  • Share

22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është festë zyrtare.

“22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”, tha Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme në fillim të vitit 2024, kur u propozua që kjo datë të bëhej festë zyrtare.

116 vite pas Kongresit të Alfabetit, që ishte një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, që sot njihet si “Kongresi i Manastirit”, Shqipëria po bën hapa pas, duke rrezikuar rritjen e analfabetizimit në vend.

Të dhënat e Bankës Botërore, tregojnë se jo vetëm që numri i të regjistruarve në shkollat fillore po bie ndjeshëm, por ai është dhe ndër më të ulëtit në Europë.

Në vitin 2023, Norma bruto e regjistrimit në shkollën fillore në Shqipëri zbriti në 93.7%, nga 105.4% që kishte qenë në vitin 2017, duke shënuar një rënie të fortë pas pandemisë.

Kjo do të thotë që të regjistruarit në shkollë fillore (pavarësisht moshës) ishin sa gati 94% e popullsisë 6-12 vjeç. Ky është niveli më i ulët rekord, që nga viti 1976, kur banka Botërore raporton të dhënat.

Sipas përkufizimit të Bankës Botërore, “Raporti bruto i regjistrimit është raporti i të gjithë të regjistruarve, pavarësisht nga mosha, me popullsinë e grupmoshës që korrespondon zyrtarisht me nivelin e arsimit të treguar.

Arsimi fillor u siguron fëmijëve aftësitë themelore të leximit, shkrimit dhe matematikës së bashku me një kuptim elementar të lëndëve të tilla si historia, gjeografia, shkencat natyrore, shkencat sociale, arti dhe muzika”.

Treguesi jo vetëm që ka rënë në raport me vetveten, por ai është tashmë i pesti më i ulëti në Europë. Nivelin më të ulët të regjistrimit bruto në arsimin fillor në Europë e ka Rumania (84.9) e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (87.2), Ukraina (92.8), Malta (93.5).

Arsimi është baza e zhvillimit të çdo kombi. Sa më i arsimuar, aq më shumë shanse ka që ekonomia e një vendi të rritet, të përparojë në drejtim të teknologjisë dhe inovacioneve, duke përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj dhe duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm për gjeneratat.

Përkeqësimi i këtij treguesi, sipas ekspertëve është i lidhur me disa faktorë si statistikorë, ashtu dhe të sjelljes. Së pari, emigrimi i familjeve që kanë fëmijë në arsimin e detyruar si dhe i atyre në moshën e arsimit të mesëm, ndërkohë që ata vijojnë të figurojnë në regjistrat e gjendjes civile. Ndërkohë vihet re një përkeqësim më i madh i treguesve të shkollimit, jo vetëm në arsimin e mesëm, por edhe atë të detyruar, të vajzave.

Të dhënat tregojnë se ka rrezik të kemi rritje të numrit të të rinjve, që nuk kanë kryer as arsimin e detyruar, çka do të ulë nivelin mesatar të shkollimit në vend. Kjo mund të çojë në rritjen e numrit të analfabetëve në vend, sidomos të shtresave me të ardhura të ulëta dhe të varfra, si dhe zgjerimin e hendekut në shkollimin midis zonave urbane dhe atyre urbane.

Jo vetëm regjistrimi në shkollat fillore që japin formim bazë ka rënë, por edhe cilësia e mësimdhënies ka rënë, siç treguan rezultatet e fundit të testit ndërkombëtare Pisa, ku Shqipëria kishte rënien më të lartë në botë./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?