Rreziku i kakofonisë rreth hapjes së listave

24 Shtator 2020, 22:25| Përditesimi: 24 Shtator 2020, 22:28

  • Share

Sot janë depozituar në Kuvend tre amendamente nga deputetë të opozitës parlamentare, që kërkojnë ndryshimin e draftit të Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, që do të reflektohen në ligjin zgjedhor.

Të treja propozimet bashkohen tek ideja që duhet hequr pragu kombëtar dhe duhet bërë 1 për qind, dhe kjo me sa duket do të realizohet.

Por nga ana tjetër, ato kanë tre opsione të ndryshme në formë, rreth hapjes 100 përqind të listave.

Myslim Murrizi kërkon hapje të listave dhe mundësinë e kandidimit të kryetarit të listës në katër qarqe, Patozi kërkon lënien e mundësisë për hapjen e listave në dorë të çdo partie, sipas modelit danez, duke dashur të testojë me këtë rast vullnetet politike të PS e PD për hapjen e listave, ndërsa Rudina Hajdari kërkon renditje alfabetike të kandidatëve dhe hapje të listës.

Në thelb, të tre kërkojnë hapjen e listave, por fakti që nuk arrijnë të unifikohen para votimit, i jep mundësi shumicës të zgjedhë një opsion jo të plotë dhe ta bëjë të debatueshëm përmbushjen e detyrimit të saj.

Në këtë proces të ndryshimeve kushtetuese, Partia Socialiste ka hyrë me kërkesë të opozitës parlamentare dhe nuk mund ta përmbyllë procesin kundër kërkesave të opozitës parlamentare, pasi nuk mund të vrasë arsyet përse e nisi këtë proces.

Nga ana tjetër, opozita parlamentare duhet të kishte vetëm një amendament për reflektim në ligjin zgjedhor të ndryshimeve kushtetuese. Kjo, jo vetëm për ta qartësuar qëndrimin e saj, por dhe për të treguar një farë serioziteti për atë që kërkojnë.

Tashmë është e qartë që nga opozita parlamentare do ketë tre parti që do garojnë në zgjedhje, “Bindja Demokratike”, partia e Murrizit dhe ajo e Rudina Hajdarit, ndaj pavarësisht se nga sa deputetë ato përfaqësohen në Kuvend, aktualisht ato duhen llogaritur si parti që janë të interesuara për procesin zgjedhor.

Për këtë arsye ka rëndësi të unifikojnë qëndrimin e tyre për formulën e hapjes së listave, ashtu siç e kanë unifikuar për pragun kombëtar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i tërhoqën sot vëmendje kryeministrit Rama, që ndryshimet e 30 korrikut të bëhen mbështetur në besimin e palëve. Dhe së paku në këtë proces duhet të ketë besimin e palës që i ka kërkuar këto ndryshime.

Duke paraqitur tre versione të hapjes listave, nga vetë opozita parlamentare, mund të krijohet një kakofoni rreth asaj që do të ndodhë realisht dhe nëse ato hapen siç kërkon Murrizi, siç kërkon Patozi apo Hajdari, apo siç nuk kërkon asnjëri.

Ndaj është mirë që deri më 1 tetor, të bihet dakord për një version, që të tre palët të jenë dakord dhe që së paku ndryshimet të përmbushin arsyen përse nisi ky proces. Dhe mbi të gjitha, për të kuptuar se sa i do Basha apo Meta realisht listat e hapura, nëse ato hapen realisht.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?