Rreziku i muxhahedinëve iranianë për Shqipërinë

26 Qershor 2023, 10:33| Përditesimi: 26 Qershor 2023, 10:35

  • Share

Janë pak gjëra që na lidhin ne shqiptarët me Iranin. Krijimet e para të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri kanë qenë në gjuhën perse. “Rregullat e persishtes sipas metodës së re” e botuar prej tij në vitin 1871 ishte e para gramatikë e shkruar për këtë gjuhë dhe kjo kishte për autor shqiptarin Naim Frashëri. Botimin e parë me vjersha dhe poezi, po Naim Frashëri, e pati në gjuhën perse në vitin 1884 me librin “Tehajjulat” (Ëndërrimet). Të dy këto vepra në Iran janë edhe sot pjesë e studimeve dhe leximeve në fushën e gjuhës dhe letërsisë dhe studiuesit iranianë e çmojnë Naimin tonë si të ishte i tyre. Në vitin 1924, Fan Noli, gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit përktheu me aq mjeshtëri “Rubairat” e Omar Kajam-it dhe shqiptarët e kanë njohur poetin e madh pers nëpërmjet mjeshtërisë së Nolit dhe përkthimi i tij vlerësohet si një nga më të mirët në botë. Vendi në Azinë Perëndimore me rreth 90 milionë banorë dhe me sipërfaqe 1.6 milionë kilometër katrorë, për shumë e shumë dekada ka qenë pak i njohur nga ne. Duke qenë se nuk na lidhte pothuajse asgjë, për shumicën e shqiptarëve kishte një perceptim se Irani ndodhej diku në Hënë. Por, gjithçka u përmbys nga kjo histori pa histori mes dy vendeve, teksa në vitin 2012 SHBA dhe BE e lidhën mirë këtë shtet me Shqipërinë. 

Një organizatë me emrin Mojahedin-e-Khalq, shkurt MEC, ose të quajtur ndryshe Muxhahedinët popullorë të Iranit (ushtarët popullorë të Iranit) u lirua nga statusi si një organizatë ushtarake terroriste. Për 47 vjet ata kishin qenë opozita e krijuar në 1965 ndaj regjimit të Shahut atje, por në vitin 2012 SHBA dhe BE morën vendimin që këta opozitarë në ekzil ta mos quheshin më terroristë, por një organizatë me disidentë në ekzil. Kjo opozitë mbetej e vetmja shpresë për të përmbysur regjimin iranian, të cilin SHBA e cilëson prej shumë kohësh si fuqi e rrezikshme dhe një shtet më agresivin gjeopolitikisht. Që nga vitit 1965 kur ishin themeluar e deri në 2012, MEC kishte gjetur strehë në vendin fqinj Irak, por gjendja e krijuar atje bëri që të largoheshin edhe prej andej. Dhe SHBA, me statusin e shtetit që ka pultin e komandimit të sistemin ndërkombëtar, vendosi ti sjellë në Shqipëri. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha pranoi pikërisht ata që për 47 vjet quheshin terroristë, por tashmë nuk e kishin më këtë njollë. Të njëjtën gjë bëri edhe pasardhësi i Berishës, kryeministri Edi Rama i cili në vitin 2017 pranoi edhe pjesën tjetër të mbetur prej tyre duke e çuar numrin në rreth 3 mijë muxhahedinë të mbërritur aty. Që nga viti 2012 në historinë moderne në Shqipërisë marrëdhënia me Iranin mori një raport të çuditshëm. Dalëngadalë shteti shqiptar u cilësua shtet armik për regjimin diktatorial në Iran. Disa ngjarje, veçanërisht sulmet kibernetike ndaj sistemit elektronik qeveritar në Shqipëri më 7 korrik 2022 rezultuan se kishin në prapavijë iranianët. Situata mbërriti deri atje sa më 7 shtator 2022 Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi:

“Ka prova të pakundërshtueshme, sipas të cilave pas sulmeve masive kibernetike më 15 korrikut ndaj institucioneve shqiptare fshihet Irani. Këto sulme kanë synuar që të paralizojnë institucionet shtetërore të Shqipërisë”.

Ky sulm ndaj një anëtar i NATO-s u cilësua nga ana e SHBA si akt i drejtuar nga Tehrani dhe informacionet nga shwrbimet inteligjente e përkufizonin këtë ngjarje gati si një agresion ndaj Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja qw për 24 orë, personeli i ambasadës u detyrua të dëbohej nga Shqipëria. Dhe kjo shërbeu si pikë vlimi e të gjithë historisë.

MEK DHE SHQIPËRIA

Organizata ushtarake opozitare MEC u themelua në 1965 dhe deri në 1981 e ka patur qendrën e saj në kryeqytetin e Iranit, Tehran. Por që nga ky vit dhe për gati 5 vjet ata janë larguar pothuajse të gjithë nga atdheu i tyre. Në bashkëpunim mes SHBA-së dhe Francës një pjesë e tyre u strehuan në një kamp në periferitë e Parisit që nga viti 1981 deri në 1986. Në vitin 1986 ata u stacionuan në Irak, në atë që quhej Kampi i Ashrafit. Kjo gjw nw Irak vijoi edhe në vitin 2003 kur u stacionua edhe një pjesë tjetwr e tyre. Por dwbimi nga Iraku solli një situatë të vështirë për ta. Kthimi nw Iran ishte baras me vdekje, Iraku i dëboi dhe Franca nuk pranonte më. Në këto kushte, i vetmi shpetim mbeti Shqipëria. Nga viti 2018 muxhahedinët u stacionuan në Manzë të Durrësit në kampin “Ashraf 3”. 

Që nga ky moment ata u bënë si të shtëpisë në Shqipëri, ndërkohë që autoritetet shqiptare nuk e menduan kurrë se një ditë ata do të ktheehshin në një problem të madh. Kampi në Manzë i ngjante një reparti ushtarak dhe problemet mes Shqipërisë dhe Iranit sa vinin dhe shtoheshin. Është interesante të shtojmë se për drejtues organizata MEC ka një grua. Quhet Maryam Rajavi nga Tehrani, është 69 vjeçe dhe në kampin e Manzës ajo është shefja. Një prej drejtuesëve të protestave të studentëve iranianë në vitet ‘70-të, Rajavi është personi që SHBA beson se mund të udhëheqë lëvizjen për të larguar nga pushteti qeverinë aktuale në Tehran. Por jeta e saj në ekzil dhe sidomos aktiviteti i MEC nuk ka qenë prej engjëlli. Në vitin 2010 Rajavi u dënua nga një gjykatë në Irak për krime kundër njerëzimit në një process jo shumë të qartë. Megjithatë ajo është vlerësuar nga diplomacia dhe politika amerikane personaliteti me anë të të cilës mund të drejtojë dhe udhëheqë lëvizjen antiqeveritare iraniane. Më 16 maj 2022 Maryam Rajavi u fiksua nga kamerat e televizioneve shqiptare dhe ndërkombëtare në një takim me sekretarin e Shtetit Michael Pompeo në kampin “Ashraf 3” në Manzë. Pompeo tha mes të tjerave:

“Do të doja gjithashtu të njoh Presidenten e sapozgjedhur Maryam Rajavi. Nën udhëheqjen e saj, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit po hedh bazat për një republikë të lirë, sovrane dhe demokratike në Iran”.

Ndërkohë, më 24 qershor 2022 Maryam Rajavi u fiksua në një fotografi po në kampin “Ashraf 3” në krah të ish-zëvendëspresidentit Mike Pence si një aleate e ngushtë e SHBA. Por duket se SHBA ka marrë kthesë ndaj MEC dhe vetë ndaj Maryam. Lajmi më i fundit i medias ndërkombëtare lidhur me të është se më 17 qershor 2023 policia e Parisit e arrestoi Rajavin bashkë me 150 pjestarë të tjeërë të MEC për aktivitete terroriste në Francë. Por a mund të ishte ndryshe MEC në Francë dhe ndryshe në Shqipëri? Sigurisht që jo dhe rrjedha e MEC ka marë në të kundërt duke humbur besimin e SHBA.

KRIMET NË KAMP

U desh ngjarja e 20 qershorit që opinioni shqiptar të mësonte se çfarë ishte MEC dhe veçanërisht çfarë rreziku përfaqësonin ata. Këto ditë në media u publikuan me zë dhe figurë dhjetra dëshmi të pjestarëve të dikurshëm të MEC dhe që tashmë nuk janë pjesë e tyre duke treguar me detaje se çfarë ishte kjo organizatë, çfarë aktiviteti kishte brenda kampit “Ashraf 3” dhe cilat ishi qëllimet e tyre. Dëshmitë nga vetë pjestarët e kampit janë në kufijtë ekstremë për të kuptuar se çfarë kemi patur dhe çfarë vazhdojmë të kemi në tokën tonë. Po përzgjedhim vetëm katër prej dëshmitarëve për vetë rëndësinë e atyre që ata treguan për opinioin publik. Dëshmitari i parë tregoi:
“Ne kemi jetuar të armatosur të ndarë në grupe dhe në klasa ku merrnim leksione teorike ideologjike. Ata na mësonin ne se si të ishim më të mirë se qeveria iraniane. Organizata MEC krijonte grupe speciale dhe i çonte ato në Iran për të vendosur bomba duke krijuar atake. Në organizatë kam mësuar gjithçka për armët si dhe për të vrarë njerëzit. Shumë nga këta njerëz qe ju i shihni këtu nuk janë njerëz janë makina lufte”.

Dëshmitari i dytë tregoi: “Në këtë kamp kanë ndodhur përdhunime si të vajzave dhe të djemve”.
Dëshmitari i tretë tregoi:

“Sa jam në dijeni unë, janë rreth 200 vetë që janë larguar. Nëse bëhesh pjesë e kësaj organizate ata krijojnë disa rregulla që t’i mbajnë njerëzi brenda. Këtu në Shqipëri rregullat ndryshojnë. Ata s’mund t’i mbajnë me forcë njerëzit siç bënin në Irak. Por kanë disa rregulla që ta bëjnë situatën e vështirë që njerëzit të mos largohen dot. Nëse largohesh ti nuk ke para për të jetuar, duke qenë se këtu nuk ke as status, nuk ke mundësi që të punosh. Pra situata është e tillë që njerëzit e kanë të vështirë të ikin.”

“Kur unë isha në Irak, unë u përpoqa të lidhesha me vajzën time dhe ata nuk më lejuan mua. Kishte shumë familje që erdhën në “Ashraf” për të takuar familjarët e tyre, por kjo organizatë i detyroi ata të mos i takonin fëmijët e tyre dhe i sulmuan ata njerëz”.

ÇFARË PASOJASH MUND TË KETË SHQIPËRIA

Ngjarja e 20 qershorit kur RENEA ndërhyri në kamp duke sekuestruar logjistikën kompjuterike ishte një rast kulmor në historinë shqiptare të këtij komuniteti. Ata kundërshtuan me dhunë policinë dhe nuk mjaftoi kjo, por edhe inskenuan vdekjen e një banori të kampit sikur e vrau policia. Të dhënat aktuale janë se në kamp ndodhen 2500 persona. Deri tani 500 persona janë larguar nga kampi, 450 kanë dalë nga Shqipëria dhe vetëm 50 ndodhen në Tiranë. Rezulton gjithashtu se 400 persona kanë ikur ilegalisht nga kufiri. Ngjarja e 20 qershorit tregoi se MEC mbetet një grup i strukturuar me element të mirëfilltë ushtarakë të gatshëm për të kryer aksione. Në një farë mënyre ata janë një shtet brenda shtetit. Kjo ngjarje duket sikur mbaroi me kaq, por pyetja thelbësore është a mbaruan me kaq problemet e shtetit shqiptar me MEC dhe me republikën e Iranit? Sigurisht që jo.

Së pari, pjestarët e kësaj organizate mbeten një potencial i rrezikshëm për Shqipërinë për vetë natyrën e dhunshme të aktivitetit të tyre dhe organizimit ushtarak, të vërtetuar tashmë me prova por edhe të treguar nga vetë pjestarët e kësaj organizate që janë larguar për vetë këto arsye.

Së dyti, ushtrimi i një aktiviteti ushtarak, të armatosur është në kundërshtim me kushtet me të cilat ata janë pranuar të strehohen në vendin tonë. Rrjedhmisht, çdo ndërhyrje e policisë shqiptare atje, pritet të shoqërohet me tensione dhe dhunë nga ana e tyre.

Së treti, Shqipëria rrezikohet nga aktet terroriste që mund të ndërmarrin këta pjestarë të kësaj organizate siç kanë bërë në Irak dhe Francë në shenjë hakmarrje për ndërhyrjen që bëri policia shqiptare. Kjo do ishte fatale për vendin tonë dhe një problem që vjen nga një vullnet i mirë për t’i strehuar, ndërkohë që ata e shfrytëzojnë për të organizuar aktivitet ushtarak dhe kur ndërhyhet për tia ndaluar këtë, ata bëhen agresivë dhe mund të ndërmarrin edhe sulme terroriste.

Së katërti, veprimtaria e tyre mund të vijojë të bëhet shkak që Shqipëria të jetë target i sulmeve të tjera në fushën kibernetike nga Irani. Tashmë vendi ynë, përpos një mijë e një problemeve që ka vetë, i duhet të ketë edhe një çështje të hapur me Iranin zyrtar dhe kjo është kaq delikate saqë nuk është çudi që këto sulme të vazhdojnë duke sjellë dëme të rënda për shtetin shqiptar. Nisur nga e gjithë kjo, qeveria shqiptare, në bashkëpunim dhe bashëkrendim me partnerët amerikanë duhet të ndërmarrin hapa për të gjetur një zgjidhje, një prej të cilave është sigurisht edhe largimi nga vendi ynë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?