Përfundimi i luftës në Ukrainë mund të mos mjaftojë për t’i dhënë fund rrezikut në Evropë apo edhe në Shtetet e Bashkuara, mendojnë disa diplomatë të lartë evroipanë, si dhe gjenerali më i lartë i forcave amerikane në Evropë.
Duke folur të enjten në Forumin e Sigurisë në Aspen, të Kolorados, zyrtarët e përshkruan luftën dhe mbështetjen e vendeve të tyre për Ukrainën si të natyrës ekzistenciale, por thanë se një fitore e Ukrainës përballë forcave pushtuese ruse do të ishte vetëm fillimi.
“Rezultati në terren do të ishte jashtëzakonisht, jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha gjenerali amerikan Christopher Cavoli, i cili drejton Komandën Qendrore Amerikane dhe shërben si Komandanti Suprem i Forcave Aleate në NATO.
“Por, nuk mund të kemi iluzione”, tha gjenerali Cavoli. “Në përfundim të konfliktit në Ukrainë, sido që të përfundojë, do të kemi një problem shumë, shumë të madh me Rusinë...”
“Do të kemi një situatë ku Rusia po ringre forcat e saj ushtarake, është e gjendur në kufijtë e NATO-s, është e udhëhequr nga pothuajse të njëjtët persona si tani, dhe është e bindur se ne jemi kundërshtari, dhe është shumë, shumë e zemëruar”, tha ai.
Këshilltari gjerman për çështjet e jashtme dhe të sigurisë, u tregua gjithashtu i drejtpërdrejtë.
“Me dëshirën e Putinit po hyjmë në një fazë konflikti të gjatë dhe të zgjatur me Rusinë”, i tha Jens Plotner audiencës në Aspen.
“Manifestimi i saj më përgjakshëm për momentin, është lufta në Ukrainë. Por, qartazi nuk është e vetmja”, tha zoti Plotner. “Kemi parë aktivitet hibrid në mbarë Evropën. Kemi parë aktivitet hibrid në Shtetet e Bashkuara. Kemi parë Rusinë të shtrihet drejt Afrikës. Kemi parë Rusinë të ripërtërijë lidhjet me Teheranin, madje edhe më keq, me Phenianin”.
“Kështu që mendoj se të gjitha këto janë pjesë e pamjes më të madhe, ekzistencën e së cilës duhet ta vëmë në dukje”, tha ai.
Zoti Plotner nuk pranoi të komentojë rreth njoftimit të bërë këtë muaj fillimisht nga kanali televiziv CNN, për një komplot rus për të vrarë drejtuesin e kompanisë Rheinmetall, një ndër kompanitë kryesore gjermane në industrinë ushtarake. Ai tha megjithatë se janë bërë arrestime dhe agjencitë e sigurisë të Gjermanisë janë në gjendje të lartë gatishmërie.
“E dimë se komplotet që kemi arritur të ndalim nuk kanë qenë të fundit”, tha ai. Rusia ka mohuar çdo përfshirje në komplotin për të vrarë drejtuesin e kompanisë Rheinmetall, duke i hedhur poshtë këto njoftime si të rreme.
“Njoftime të tilla nuk mund të merren seriozisht”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Gjermania dhe vendet e tjera evropiane kanë ngritur gjithnjë e më shumë shqetësime rreth rrjeteve të lidhura me Rusinë që punojnë për të zvogëluar mbështetjen për Ukrainën.
Në prill, autoritetet gjermane arrestuan dy shtetas ruso-gjermanë me akuza për spiunazh, duke akuzuar se njëri prej tyre kishte rënë dakord të kryente sulme në objektet ushtarake amerikane për të sabotuar dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë.
Në fillim të këtij muaji, zyrtarët e inteligjencës amerikane pretenduan se Rusia po kërkon përsëri të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane me një përpjekje për të ndihmuar kandidatët që perceptohen si të favorshëm për Moskën, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë./VOA