Temperaturat e larta nuk po shkaktojnë vetëm zjarre, por edhe rreziqe shëndetësore tek qytetarët, kryesisht ata të moshave të treta.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, iu kthye vëmëndjes për kujdesin shëndetësor në këto ditë të nxehta vere, me këshilla për qytetarët.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ministrja ka ndarë sot (26 korrik) për qytetarët edhe këshillat e mjekut për ta përballuar më lehtë të nxehtin, duke iu referuar sugjerimeve të një mjekeje.
“Të gjithë jemi të rrezikuar nga temperaturat e larta. Ndër këshillat që ne rekomandojmë është mos ekspozimi në temperaturat e larta, këshillojmë shmangien e daljeve gjatë kohës së pikut, këshillojmë të mbajnë shtëpinë e freskët, trupin të freskët. Nëse duhet të dalim, duhet të vishemi me rroba sa më të lehta, me ngjyra të çelëta, të mbajmë kapele, syze apo edhe çadër.
Gjithashtu e rëndësishme është edhe ushqyerja. Duhet të ushqehemi me vakte të shpeshta, të lehta, të pasura me perime të freskëta dhe fruta”, u shpreh mjekja në video-mesazhin që ka shpërndarë ministrja.
Gjithashtu vetë Koçiu thekson se duhet të shmanget ekspozimi në diell në orët e pikut.
“Në këto ditë me temperatura të larta, kujdesi për shëndetin është më i rëndësishëm se kurrë. Mjekët këshillojnë të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve të pikut, të konsumohet shumë ujë dhe të qëndrohet në ambiente të freskëta. Kujdesuni për veten dhe për të afërmit tuaj”, shkruan ajo në postimin e saj.
Komente
