Rrëzimi i avionit në Indi

Bota

Rrëzimi i avionit në Indi/ Pilotët debatuan në kabinë, njëri e pyeti disa herë: Pse i fike motorët? Përgjigjja: Nuk isha unë

15 Korrik, 09:06| Përditesimi: 15 Korrik, 09:14

  • Share

Pak para përplasjes së Boeing 787 të Air India-s, në kabinën e pilotimit ka pasur një “diskutim të ashpër” mbi arsyen pse motorëve u ishte ndërprerë furnizimi me karburant në një fazë kritike, duke i nxjerrë ata jashtë funksionit dhe duke shkaktuar rrëzimin e avionit. Njëri nga pilotët i ka kërkuar tjetrit — disa herë — “pse i fikët?”, me një ton “dramatik dhe gjithnjë e më të dëshpëruar”. Ky është një nga detajet më të rëndësishme që del nga dëgjimi i skedarëve audio të kutisë së zezë, sipas asaj që rrëfejnë për Corriere dy burime perëndimore në dijeni të përmbajtjes.

Raporti paraprak

Të njëjtat burime theksojnë se raporti paraprak — i hartuar nga autoritetet indiane — e ka anashkaluar plotësisht këtë moment, të konsideruar thelbësor për të kuptuar çfarë ka ndodhur në bord. Po ashtu, kritikohet vendimi për ta reduktuar në vetëm një rresht e gjysmë — në një dokument prej 15 faqesh — shkëmbimin mes komandantit dhe zëvendëspilotit mbi arsyen e fikjes së motorëve, “kur biseda ka zgjatur disa sekonda dhe një pilot ka pyetur disa herë “pse i fikët?”, zbulojnë burimet.

Aksidenti

Fluturimi AI171 i Air India-s u rrëzua në periferi të Ahmedabad-it rreth tridhjetë sekonda pas ngritjes. Avioni ishte nisur drejt Londrës, në aeroportin Gatwick. Aeroplani — me 242 persona në bord — kishte probleme me motorët që në çastet e para. Në përplasje humbën jetën 260 vetë: 241 mes pasagjerëve (vetëm një person i mbijetuar) dhe anëtarëve të ekuipazhit, si dhe 19 të tjerë që ndodheshin në mensën universitare mbi të cilën u përplas avioni (e jo 29 siç ishte komunikuar më parë).

Fikja e motorëve

Gjithçka në bord ndodhi me shpejtësi, konfirmon raporti paraprak. Tre sekonda pas ngritjes, ndërprerësit që kontrollojnë rrjedhën e karburantit janë zhvendosur njëri pas tjetrit nga “Run” në “Cut off’. Dokumenti nuk saktëson se si janë zhvendosur. Burimet e konsiderojnë këtë një «veprim të qëllimshëm njerëzor». Zyra për hetimin e aksidenteve ajrore të Indisë — përgjegjëse për hetimin — nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e Corriere-s.

Pikat e errëta

Raporti nuk sqaron nëse ishte komandanti ai që e pyeti zëvendëspilotin nëse i kishte fikur motorët, apo anasjelltas. Skedarët audio, sipas burimeve, janë në duart e autoriteteve indiane, të cilat e dinë, bazuar në katër “pista” zanore, se kush ka thënë çfarë. Por pyetja — “e drejtpërdrejtë, jo hezituese” — të lë të kuptosh se njëri prej pilotëve mund të ketë parë diçka. Kutia e zezë regjistron atë që përshkruhet si të bërtitura dhe përsëritjen e pyetjes “pse e bëre?”, e ndjekur nga “nuk kam qenë unë”.

Dhjetë sekonda

Debati dhe habija e përzier me shok mund të shpjegojnë pse janë dashur disa sekonda për të rikthyer rrjedhën e karburantit në të dy motorët. Dhjetë sekonda më vonë, një nga pilotët në kabinë rindez rrjedhën e karburantit për motorin 1 (atë në të majtë), dhe katër sekonda më pas për motorin 2. Një sekuencë që nuk konfirmon nëse ishte komandanti ai që u përpoq të shpëtonte situatën, pa sukses, apo zëvendësi i tij. Po ashtu, nuk sqarohet se cili prej të dyve lëshoi thirrjen e trefishtë “mayday”, gjashtë sekonda para përplasjes.

Buletini i vitit 2018

Raporti i autoriteteve indiane përmban disa pjesë të kritikuara nga përfaqësuesit perëndimorë, sepse — siç shpjegojnë ata — “fut elementë që krijojnë konfuzion”. Si për shembull referenca ndaj një buletini informues të vitit 2018 të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) të SHBA-së lidhur me një “çaktivizim të mundshëm të mekanizmit të bllokimit të ndërprerësit të kontrollit të karburantit”, i cili megjithatë nuk përfaqësonte një “gjendje rreziku” që të justifikonte masa më të rrepta. Air India e ka zëvendësuar dy herë, pas vitit 2018, të gjithë konsolën qendrore ku ndodhen dy ndërprerësit.

Inspektimet

Hetuesit, në raportin paraprak, shkruajnë se deri tani nuk kanë gjetur prova që kërkojnë ndërhyrje në avionët Boeing ose në motorët GE Aerospace. Por kjo ka mjaftuar për të krijuar alarme. Dhe për këtë arsye vetë FAA ka njoftuar ditët e fundit homologët ndërkombëtarë se dy levat “nuk përfaqësojnë një problem sigurie”. Autoriteti rregullator i aviacionit të Indisë ka urdhëruar kompanitë ajrore vendase që të inspektojnë ndërprerësit në avionët 787 (si ai i përfshirë në aksident) dhe 737 “për të verifikuar ndonjë mosfunksionim në mekanizmin e bllokimit”. Air India ka nisur tashmë kontrollet, pa konstatuar deri më tani ndonjë problem.

Pa probleme të konstatuara

Edhe disa kompani ajrore të Lindjes së Mesme kanë filluar të inspektojnë flotat e tyre Boeing. Oman Air ka përfunduar kontrollet në ndërprerësit e karburantit të rreth dhjetë avionëve 787 dhe tani po kontrollon 737-at e flotës së saj, pa gjetur ndonjë problem. Royal Jordanian ka përfunduar një kontroll vizual të levave në avionët e saj 787 dhe as aty nuk janë konstatuar ndonjë problematikë. Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA) ka deklaruar se aktualisht nuk ka në plan inspektime të detyrueshme për modelin Boeing 787./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?