Rrëzimi i avionit të Prigozhin, merret në pyetje inxhinieri, bëri ndërhyrje në avion para fluturimit! Boris Johnson akuzon Putin: Mund ta ketë vrarë ish-kreun Wagner

27 Gusht 2023, 12:26| Përditesimi: 27 Gusht 2023, 14:03

  • Share

Inxhinieri që ka kryer ndërhyrjet e fundit në avionin e shefit të grupit Wagner para rrëzimit javën e kaluar është marrë në pyetje në Rusi dhe më pas nuk dihet asgjë për fatin e tij. Ish-kryeministri britanik Boris Johnson beson se presidenti rus mund të jetë autor i ngjarjes, ndërkohë që Putini ka firmosur një dekret ku kërkon që grupi Wagner të betohet për besnikëri ndaj Kremlinit.  

Autoritetet ruse morën në pyetje një inxhinier i cili kreu riparime të minutës së fundit në avionin me të cilin besohet se u rrëzua dhe vdiq të mërkurën shefi i grupit Vvagner Yevgeny Prigozhin. Lajmi u publikua nga Gazeta britanike “Metro”.

Sipas saj, në një postim në Telegram të Premten një kanal që ka lidhje me shërbimet e sigurisë, theksoi se Sergey Kitrish, 41 vjeç, kreu riparimet e fundit për të zëvendësuar pajisjet e uljes dhe ftohësin e turbos në avionin e Prigozhin.

"Menjëherë pas shpërthimit, inxhinjeri u mor nën kujdesin e shërbimeve speciale dhe u dërgua në vendin e rrëzimit," shkruaji kanali, duke shtuar se nuk dihet çfarë ka ndodhur më pas me Kitrish–si dhe dy inxhinierët e tjerë, Artur Michenkov dhe Aleksey Anshukov. Kanali pretendon se kompania MNT Aero ka thënë për agjencinë ruse kundër korrupsionit, e cila menaxhon avionin e Prigozhin, se ai kishte kërkuar të kursenin para. Media britanike, shkruan se pas rebelimit ndaj Putinit, Prigozhin kishte marrë masa sigurie shtesë për avionin duke ndryshuar shpesh oraret dhe itineraret e fluturimeve. Pak ditë pas rrëzimit të avionit të Yevgeny Prigozhin, Presidenti rus Vladimir Putin ka lëshuar një dekret në të cilin urdhëron ushtarët e Grupit Wagner të nënshkruajnë betimin për besnikëri ndaj Rusisë.

Dekreti, i publikuar në faqen e Kremlinit, detyron këdo që kryen punë në emër të ushtrisë ose që mbështet atë që Moska e quan "operacioni special ushtarak në Ukrainë”, të betohet zyrtarisht për besnikëri ndaj Rusisë dhe tu bindet komandantëve të saj.

Ky akt, vjen pasi zëdhënësi i Putinit, Dimitri Peskov, i quajti gënjeshtra absolute, pretendimet e Perëndimit se Prigozhin ishte vrarë me urdhër të Putinit. Autoritetet ruse ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse trupi i Prigozhin ishte në mesin e dhjetë viktimave pasi avioni privat u rrëzua gjatë udhëtimit nga Moska në Shën Petersburg.

Megjithëse autoritetet e inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se besojnë se kjo është "shumë e mundshme". Ish-kryeministri Britanik, Boris Johnson ka thënë se është e mundshme që Putini të fshihet pas vrasjes së Prigozhin.

Dekreti i Putinit pason rebelimin e shkurtër të grupit mercenar të udhëhequr nga Prigozhin kur trupat e tij marshuan drejt Moskës në qershor në shenjë proteste ndaj drejtimit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Përplasja përfundoi pasi Prigozhin pranoi të largohej nga Rusia për në Bjellorusi. Presidenti i këtij vendi, Aleksandër Lukashenko tha të premten se ai e kishte paralajmëruar dy herë Prigozhin që të bënte kujdes për jetën e tij. “Associated Press” citon se një vlerësim paraprak i inteligjencës amerikane arriti në përfundimin se avioni ku pretendohet se ndodhej Prigozhin dhe disa njerëz të besuar të tij, u rrëzua nga një shpërthim i qëllimshëm.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?