Një avion i vogël është rrëzuar pak pas ngritjes nga Aeroporti London Southend në Angli të dielën pasdite, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 4 personave.
Shkaku i aksidentit ajror nuk është bërë ende i ditur. Sipas mediave britanike, viktimat janë dy pasagjerët dhe dy pilotët.
Sipas dinamikës paraprake, fill pas ngritjes nga toka, avioni i vogël ka bërë një rrotullim majtas, e më pas humbi lartësi duke u përplasur në një zonë pranë pistës së aeroportit. Avioni shpërtheu në flakë pas përplasjes.
Për pasojë, aeroporti u mbyll përkohësisht dhe të gjitha fluturimet u anuluan deri në njoftimin e mëtejshëm.
Ky incident ka ndodhur një muaj pas një aksidenti tjetër tragjik në Indi, ku një Boeing 787 Dreamliner që fluturonte për në Londër u përplas pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, përveç një personi. Ky aksident shënoi ngjarjen më të rëndë ajrore në një dekadë.
Komente
