Skenarët dhe të dhënat për ecurinë ekonomike sa vijnë e bëhen më të zymta. Besimi në ekonomi i bizneseve dhe i konsumatorëve ka pësuar rënien më të madhe në 18 vite. Në këtë konkluzion ka dalë Banka e Shqipërisë në vrojtimin e saj për besimin e biznesit dhe të konsumatorit në ekonomi.
“Treguesi i ndjesisë ekonomike gjatë tremujorit të dytë shënoi nivelin më të ulët historik që prej fillimit të matjes së tij në vitin 2002”, thuhet në vrojtim.
Në 3-mujorin e dytë të vitit ky tregues është ulur me mbi 50%. Rënia më e madhe e besimit është në sektorin e shërbimeve ashtu edhe besimin e konsumatorëve. Besimi i bizneseve në sektorin e shërbimeve ka rënë me 56.6%, e ndikuar nga dy faktorë kryesor.
Këtu sjellim në vëmendje mbylljen e restoranteve, bareve, lokaleve, hoteleve, apo edhe kategorive të tjera në sektorin e shërbimeve kanë shkaktuar një rënie besimi me 58%, dhe më pas rënia e kërkesës e shkaktuar nga mungesa e konsumatorëve me 55.3%.
Arsyet për rënien e besimit janë pothuajse të njëjta për çdo sektor. Mungesa e aktivitetit, e kontratave të reja, rënia e shitjeve dhe mos-shfrytëzimi i kapaciteteve të tyre janë shkaqet për rënien e besimit.
Konkretisht besimi në sektorin e ndërtimit ka rënë me 29.5%, në sektorin e industrisë me 24%, dhe në fushën e tregtisë besimi u tkurr me 19.8%. Të gjitha këto shifra janë në minimumet e tyre historike.
Nga ana tjetër besimi i konsumatorit ka rënë në tremujorin e dytë me 6.3% duke u pasqyruar përkeqësimi në 4 komponentë. Ka pasur rënie besimi në situatën ekonomike, në gjendjen financiare të pritur të familjes, rënie edhe për blerjet si edhe për shpenzimet.