Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur sot që të caktojë masën e sigurisë arrest në burg për Sokol Sanxhaktarin dhe Adriano Hajdarin për vrasjen e mikut të tyre Florian Lamce. Gjykata refuzoi kërkesën e të arrestuarve për caktimin e një mase më të butë, arrest në shtëpi, duke i lënë në qeli, raporton gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno.
Florian Lamçja alias “Shabani” në Elbasan u vra me shishe birre dhe karrige nga dy shokët e tij, Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, dhe miku i tij Adriano Hajdari.
Ngjarja ndodhi në 30 korrik të këtij viti në orën 4 të mëngjesit. Sanxhaktari, Hajdari dhe Florian Lamçja ndodheshin në një lokal në zonën e Elbasanit duke konsumuar pije alkoolike dhe nargjile. Të dehur, pas debatit, Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari goditën duke lënë të vdekur shokun e tyre.
Sipas vendimit të gjykatës, Florian Lamçja gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të shumta në kokë karrige me të cilin është qëlluar disa herë në kokë. Por veç dëmtimeve të shumta në fytyrë, kishte një të çarë me mjet prerës në parakrahun e dorës së djathtë.
Dy të arrestuarit para grupit hetimor kanë deklaruar se ishin të dehur dhe nuk mbajnë mend çfarë ndodhi.