Konsumi është vënë në pikëpyetje nga çmimet e larta të mallrave që vijojnë të rriten dhe për pasojë tregtia ka filluar të tkurret. Nga janari në korrik sipas të dhënave të tregtisë volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara është ulur me 14.7%. Rënia më e madhe e tregtisë është regjistruar nga mallrat që vijnë në rrugë hekurudhore me 29.7%, ndjekur nga mallrat e transportuara në porte me -14.1% dhe ato nga ajri që janë ulur me 0.3%.
Por pavarësisht se kemi blerë ma pak mallra, çmimet e larta, kanë rritur edhe faturën financiare në krahasim me një vit më parë. Për këtë shkak pavarësisht se tregtia bie në sasi, importet dhe eksportet rriten në vlerë monetare. Në 7 muaj importet në vlerë janë rritur me 23.9% dhe eksportet me 40.1%, krahasuar me vjet vetëm për shkak të çmimeve.
Rënia e konsumit ishte e paralajmëruar edhe më herët nga institucionet vendase dhe të huaja, pasi rritja e çmimeve gërryen xhepat e konsumatorëve, të cilët me të njëjtën sasi parash blejnë më pak mallra. Nga ana tjetër importet me çmime të larta janë edhe shkaku kryesor për rritjen e inflacionit në Shqipëri. Banka e Shqipërisë thotë se inflacioni i importuar është rreth 11.1%.
“Inflacioni i importuar evidentoi një zgjerim të dukshëm, i ndikuar nga efektet e trashëguara të pandemisë dhe pasojat e luftës në Ukrainë”, thotë Banka e Shqipërisë.
Por pavarësisht rritjes së çmimeve Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon me 13.2%, ndërsa më i larti është në Bosnje-Hercegovinë me 24.2%.
Transporti i mallrave në 7 muaj
Tregtia e mallrave
Inflacioni në Ballkan