Pas 6 muajsh në rënie të vazhdueshme si pasojë e pandemisë, në muajin shtator eksportet kanë njohur një rritje me 1.2%. Të dhënat e Institutit të Statistikave pohojnë se në muajin e kaluar eksportet ishin në vlerën e 25 mld lekë, duke u rritur me 1,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 30,1 %, në krahasim me Gusht 2020.
Ndikim pozitiv në këtë përmirësim të tregtisë kanë dhënë më së shumti grupi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit me një rritje prej 3.5%, e ndjekur nga kategoria e materialeve të ndërtimit dhe metaleve me +3% dhe grupi i ushqimeve me një rritje të lehtë +0.9%.
Sakaq pandemia vijon të mbajë në gjendje kritike eksportet e sektorit fason. Në muajin shtator vendi ka eksportuar 1.3% më pak tekstile dhe këpucë dhe minerale, lëndë djegëse e energji elektrike 5.3% më pak.
Nga ana tjetër importet janë rritur me vetëm 0.3% në krahasim me një vit më parë duke arritur në vlerën e 52 mld lekëve, duke bërë që deficiti tregtar të jetë në nivelin e 27 miliardë lekëve.
Edhe pse është shënuar një përmirësim në muajin shtator, përsëri tregtia në 9 mujor vijon të jetë në rënie. Sipas të dhënave për periudhën Janar-Shtator vendi ka eksportuar 195 mld lekë, me një rënie prej 13.6% krahasuar me një vit më parë. Vendet me të cilat është shënuar rritje të eksporteve janë Kosova me 12.1%, Greqia me 25.9% si dhe me Francën.
Komente
