Rriten me 169 mln euro të ardhurat nga turistët për periudhën janar-mars, ekspertët: Paketat turistike, dyfish më të shtrenjta

13 Qershor 2022, 20:50| Përditesimi: 13 Qershor 2022, 20:58

  • Share

Heqja pothuajse e të gjitha kufizimeve anti-COVID, për të hyrë dhe dalë jashtë vendit, ka dhënë impakt të menjëhershëm tek të ardhurat nga udhëtimet. Vetëm në tre muajit e parë të këtij viti të huajt kanë shpenzuar në Shqipëri për turizëm rreth 409 milionë euro, me një rritje prej 169 milionë eurosh në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Agjencitë turistike thonë se këtë vit fluksi i rezervimeve është i lartë, e po ashtu edhe pritshmëritë për sezonin.

“Pritshmëritë këtë vit janë të larta, ndikoi pak lufta me Ukrainë por nuk janë stepur rezervimet. Kërkesat vazhdojnë dhe të jenë të shumta. Duke qenë se Tirana është shpallur kryeqytet i rinisë këtë vit, i ka dhënë një reklamim goxha të madh vendit. Kërkesat janë nga Rumania, Franca, Zvicra, Ukrainas gjithashtu kanë ardhur, kanë ardhur chartera nga Polonia”, pohon Jetmira Hoxha, operatore turistike.

Ashtu si ushqimet, karburanti apo energjia edhe pushimet këtë vit do të kushtojnë dyfish më shumë.

“Çmimet në raport me vitin e kaluar, janë më të larta. Jugu këtë vit, ka çmime dyfish më të larta se vjet, ka ndikuar fluksi i njerëzve, por përsëri nuk i kanë stepur”, thotë Hoxha.

Heqja e kufizimeve, ka hapur dyert edhe për shqiptarët, të cilët rezervimet për sezonin i kanë nisur që në janar.

“Shqiptarët kanë nisur rezervimet që në janar të këtij viti. Turqia po mban rekorde, por pa lënë pa përmendur edhe Greqinë, Spanjën dhe Portugalinë. Edhe për ofertat jashtë vendit ka pasur rritje çmimesh”, pohon operatorja turistike.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë nga janari në mars shqiptarët kanë shpenzuar jashtë vendit për pushime 323 milionë euro me një rritje prej 185 milionë euro në raport me vitin e kaluar. Pritshmëritë se ky vit turistik do të jetë më i suksesshëm rriten edhe nga të dhënat e INSTAT tregohet se deri në fund të prillit në vend kishin hyrë mbi 1 milionë shtetas të huaj, duke u rritur me 42.2% në raport me janar-prill 2021.

SHPENZIME BRENDA VENDIT

Janar-Mars 2022       409 mln euro

Janar-Mars 2021       240 mln euro

Diferenca                +169 mln euro

SHPENZIMET JASHTË VENDIT

Janar-Mars 2022       323 mln euro

Janar-Mars 2021       138 mln euro

Diferenca                  +185 mln euro

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?