TIRANË- Ekonomia e vendit është përmirësuar edhe në tremujorin e tretë të këtij viti që përkon me sezonin veror, dhe kjo dëshmohet tek të ardhurat e mbledhura.
Sipas ministrisë së Financave në fund të shtatorit të ardhurat arritën në 367 miliardë, ose rreth 58.9 miliardë lekë më shumë se në vitin e kaluar. Me këtë realizim është tejkaluar edhe plani i financave. Ministrja Ibrahimaj tha në parlament se të ardhurat janë rritur edhe më shumë se në 2019.
“Pa dashur të bëhem përsëritëse më lejoni të ritheksoj se: Në 6 mujorin e parë ekonomia shqiptare u rrit me rreth 11.89 %, rritja më e madhe e rajonit. Importet u rritën me 26.2% dhe eksportet me 22,5 % deri në Gusht 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Të ardhurat 19% me 2020: 6.9% me 2019 ose 104.4 % të planit të 9-mujorit. Treguesit e tërthortë tregojnë për rritje të mëtejshme të ekonomisë dhe për këtë ne presim që rritja ekonomike të arrijë ne nivelin 7.6%”, u shpreh Ibrahimaj.
Kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave e ka dhënë TVSH-ja duke sinjalizuar një përmirësim të konsumit. Bazuar në tabelat fiskale të ardhurat nga TVSH-ja në 9 muaj arritën në 111.2 miliardë lekë me një rritje prej 18.3 miliardë lekësh krahasuar me vitin e kaluar.
Po ashtu në rritje janë edhe të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore si dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale, duke treguar që ka një përmirësim të punësimit, por nga ana tjetër ndikim pozitiv sipas financave ka dhënë edhe dorëzimi i deklaratës individuale të të ardhurave. Ndikim pozitiv në shtimin e fondeve që mblidhen nga punësimi ka dhënë edhe rritja e pagave në fillim të vitit si dhe rritja e pagës minimale në shkallë vendi.
Por në anën tjetër edhe pse situata me pandeminë nuk ka kërkuar paketa shtesë, shpenzimet janë rritur me 35.4 miliardë lekë ose 9.6% më shumë se në vitin e kaluar. Ndërsa deficiti zbriti me 23.6 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si pasojë e rritjes së të ardhurave.
TOTALI I TË ARDHURAVE
Janar-Shtator 2020 308,234 mld lekë
Janar-Shtator 2021 367,158 mld lekë
Diferenca 58,924 mld lekë
TË ARDHURAT NGA TVSH
Janar-Shtator 2020 92,901 mld lekë
Janar-Shtator 2021 111,277 mld lekë
Diferenca 18,376 mld lekë
TOTALI I SHPENZIMEVE
Janar-Shtator 2020 367,645 mld lekë
Janar-Shtator 2021 403,026 mld lekë
Diferenca 35681 mld lekë