Ecuria e të ardhurave vijoi trendin rritës edhe në muajin shtator. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat në fund të muajit të kaluar arritën në 477,2 miliardë lekë, ndërkohë që vjet ishin 426,1 miliardë lekë. Për 9 muaj të ardhurat e mbledhura janë rritur me 51 miliardë lekë.
Sipas treguesve performancë pozitive kanë pasur thuajse të gjithë zërat fiskal, përveç TVSH-së, dhe të ardhurat e mbledhura nga bashkitë.
Nga janari deri në shtator janë mbledhur nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar 143,569 miliardë lekë nga 143,907 miliardë lekë që u mblodhën vjet.
Ky ngadalësim i të ardhurave nga ky zë kur të tjerët janë në rritje, jep sinjale për një ngadalësim të konsumit si pasojë e inflacionit. Praktikisht qytetarët po blejnë më pak produkte ushqimore për shkak të çmimeve të larta.
Në të kundërt të TVSH-së është tatimi mbi fitimin, i cili është në rritje të fortë për këtë vit me afërsisht + 11 miliardë lekë. Në total në fund të shtatorit të ardhurat nga ky zë arritën në 44.9 miliardë lekë, ky tregues lidhet direkt me performancën pozitive të bizneseve që kanë pasur fitime më të larta.
Po ashtu me 9.7 miliardë lekë janë rritur arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale, që tregon për rritje të nivelit të pagave e për pasojë edhe të tatimit që paguhet. Ndikim në këtë zë jep edhe plotësimi i DIVA-s, dhe pagesa shtesë nga të dy punësuarit.
Ndërkohë në rënie paraqitet performanca e pushtetit vendor, i cili ka mbledhur 21.3 miliardë lekë nga 22.1 miliardë lekë që ishte vjet.
Kurse sa i takon shpenzimeve, në nëntë muaj arritën në vlerën 425.6 miliardë lekë, nga 409.9 miliardë lekë që ishin vjet.
Por vihet re një ngadalësim i shpenzimeve për investimet publike me 4.9 miliardë lekë, krahasuar me vitin e kaluar, për shkak se nuk janë përdorur fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për projekte të ndryshme.