Dalja nga karantina dhe izolimi total si pasojë e pandemisë COVID-19, ka dhënë impakt të menjëhershëm në rritjen e të ardhurave për emigrantët. Pas një rënie të fortë në tremujorin e dytë të vitit prill-qershor të prurjeve valutore nga shtetasit shqiptar jashtë vendit, në periudhën korrik-shtator ata kanë sjellë në vend 197 milionë euro me një rritje prej 7% ose 76 milionë eurosh më shumë se në kohën e karantinës.
Prurjet valutore në tremujorin e tretë të këtij viti sipas Bankës së Shqipërisë kanë qenë më të lartat që nga viti 2010 kur emigrantët sollën 219 milionë euro. Kjo rritje e tillë e dërgesave valutore nuk lidhet vetëm me rikthimit të aktivitetit ekonomik dhe daljes nga izolimi por edhe me rritjen e remitancave të ardhura nëpërmjet kanaleve formale. Kjo do të thotë që bllokimi i transportit mes shteteve për të frenuar përhapjen e pandemisë, ka nxitur emigrantët që paratë e tyre ti dërgojnë nëpërmjet transfertave bankare apo edhe shoqërive të tjera jo banka.
Në total që nga janari deri në shtator remitancat kanë arritur në 470 milionë euro, me një rënie prej 51 milionë eurosh nga e njëjta periudhë e një viti më parë kur shtetasit jashtë vendit sollën 521 milionë euro.
Kjo rënie është shkaktuar më së shumti gjatë periudhës së karantinës kur emigrantët sollën vetëm 121 milionë euro, niveli më i ulët që nga viti 2009.