Tensionet mes Moskës dhe Kievit vijnë në rritje pas kërcënimeve të SHBA-ve dhe vendosjes së dy nëndetëseve të SHBA-ve afër Rusisë.
Ukraina sulmoi disa rafineri të naftës dhe kreu sulme në zona të ndryshme, kurse Kremlini i është ka kërcënuar me ‘Oreshnikët’. Ukraina gjithashtu ka goditur edhe centralin bërthamor të Zaporizhzhias, të kontrolluar nga rusët, ku pati dëme dhe një viktimë.
Moska deklaroi se kishte 3 të vdekur gjatë sulmit të Kievit dhe 112 dronë të kapur gjatë 48 orëve të fundit, informon 'Corriere'.
Sulmet ukrainase goditën zonat e Rostovit dhe Penzës, si dhe në Samara, larg vijës së frontit. Mbrojtja ajrore ruse, deklaroi Ministria e Mbrojtjes, interceptoi dhe shkatërroi 112 dronë ukrainas mbi rajonet ruse, Detin e Zi dhe Detin Azov mbrëmë.
Një zjarr shpërtheu edhe në zonën industriale pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, pas sulmeve nga Forcat e Armatosura të Ukrainës. Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se ushtria ukrainase përdori një dron për të goditur një kamion zjarrfikës që kishte mbërritur për të shuar flakët.
“Pas granatimeve nga Forcat e Armatosura të Ukrainës në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhisë të pushtuar nga Rusia, një zjarr shpërtheu në zonën industriale. Gjatë një inspektimi të zonës, u gjet edhe një makinë që nuk kishte lidhje me termocentralin bërthamor, në të cilën u gjet një civil i vdekur”, raportoi TASS.
Administrata e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhisë deklaroi se sulmet nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, të cilat rezultuan në vdekjen e një civili dhe u drejtuan kundër personelit të sigurisë bërthamore dhe rrezatimit, janë absolutisht të papranueshme. Nuk pati viktima midis stafit të termocentralit ose zjarrfikësve.
Rusia: Nëndetëset e vendosura nga Trump nuk përbëjnë asnjë kërcënim!
Dy nëndetëset "nuk përbëjnë një kërcënim të ri" për sigurinë kombëtare ruse, tha ish-gjenerali i Forcave Ajrore dhe deputeti aktual i Dumës Shtetërore Leonid Ivlev për agjencinë ruse të lajmeve Tass , duke shtuar se Rusia është plotësisht në dijeni të këtyre manovrave ushtarake amerikane.
Politikanët dhe ekspertët pranë Kremlinit duket se e minimizojnë vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore amerikane pranë Rusisë. Masa, e njoftuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump vetëm disa ditë para skadimit të ultimatumit të tij të 8 gushtit për një armëpushim në Ukrainë, erdhi "në përgjigje të deklaratave shumë provokuese të ish-Presidentit Dmitry Medvedev ".
Viktor Vodolatsky, një tjetër deputet i Rusisë së Bashkuar, e quajti të kotë çdo përpjekje për të frikësuar Rusinë, duke treguar flotën e madhe të nëndetëseve bërthamore të vendit të tij. Nuk është e qartë se ku do të dërgohen nëndetëset, informon 'La Repubblica'.
Kremlini: Pavarësisht kërcënimeve të SHBA, India do vijojë të blejë naftë nga Rusia!
Nga ana tjetër, Kremlini vijon bisedat diplomatike dhe ekonomike, teksa njoftoi se India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia, pavarësisht kërcënimeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për sanksione.
"Këto janë kontrata afatgjata nafte", tha njëri nga burimet. "Nuk është aq e thjeshtë të ndalosh blerjen nga një ditë në tjetrën".
Muajin e kaluar, Trump tregoi në një postim në Truth Social se India do të përballet me sanksione të mëtejshme për blerjet e armëve dhe naftës ruse. Dje, presidenti i SHBA-së u tha gazetarëve se kishte dëgjuar se India nuk do të blinte më naftë nga Rusia. Reuters raportoi këtë javë se rafineritë shtetërore indiane ndaluan blerjen e naftës ruse javën e kaluar pasi zbritjet u ngushtuan në korrik.
"Lidhur me nevojat tona për furnizim me energji, ne shqyrtojmë se çfarë është në dispozicion në tregje, çfarë ofrohet dhe gjithashtu cila është situata ose rrethanat mbizotëruese globale", u tha dje gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane, Randhir Jaiswal.
Komente
