Përleshje të reja shpërthyen mëngjesin e sotëm në kufirin mes ushtrive të Kamboxhias dhe Tajlandës. Incidenti ndodhi pranë tempullit hindu Khmer Ta Muen Thom, përgjatë kufirit mes provincës verilindore Surin në Tajlandë dhe provincës veriperëndimore Oddar Meanchey në Kamboxhia.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Tajlandës, të paktën 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të ushtrisë kamboxhiane ndaj komuniteteve tajlandeze pranë kufirit. Ndër viktimat – sipas burimeve ushtarake në Bangkok – është edhe një fëmijë tetëvjeçar.
Numri më i madh i viktimave është regjistruar gjatë sulmit ndaj një minimarketi brenda një karburanti në Ban Phue, provinca Sisaket, rreth 20 kilometra nga kufiri, ku u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 14 të tjerë. Dy persona të tjerë humbën jetën dhe po aq u plagosën kur u qëllua mbi fshatin Kab Choeng, në provincën e Surinit.
Tajlanda akuzon forcat kamboxhiane për “sulme të qëllimshme ndaj civilëve” dhe ka mbyllur të gjithë kufirin, duke u kërkuar qytetarëve të saj të largohen menjëherë nga zonat e rrezikut, raporton BBC. Sipas Sutthirot Charoenthanasak, drejtues i rrethit Kabcheing në Surin, rreth 40.000 civilë nga 86 fshatra në Tajlandë janë evakuuar në zona më të sigurta.
Ndërkohë, kryeministri kamboxhian Hun Manet i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thërrasë një mbledhje urgjente. “Duke marrë parasysh sulmet e rënda dhe të rrezikshme nga Tajlanda, që kanë kërcënuar paqen dhe stabilitetin në rajon, ju kërkoj me ngulm të thërrisni një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit”, ka shkruar ai në një letër drejtuar presidentit aktual të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Asim Iftikhar Ahmad.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kamboxhias akuzoi Tajlandën për “një agresion ushtarak të paprovokuar”.
Në këtë situatë, Kina ka këshilluar qytetarët e saj në Kamboxhia të shmangin zonat pranë kufirit me Tajlandën, duke u bërë thirrje të dy vendeve që të zgjedhin dialogun në vend të përplasjes. “Ambasada kineze në Kamboxhia u bën thirrje qytetarëve kinezë të ndjekin me vëmendje situatën e sigurisë, të jenë vigjilentë, të marrin masa shtesë sigurie dhe të kujdesen për sigurinë e tyre personale”, thuhet në një njoftim online të ambasadës kineze./ Corriere della Sera
Komente
