Foto ilustruese

Rritet 16% taksimi mbi pagat, mbyllja e lojrave të fatit kosto 32 mln €

2 Nëntor 2018, 07:24| Përditesimi: 2 Nëntor 2018, 09:39

  • Share

Tabelat shoqëruese të Projektbuxhetit 2019, të miratuara nga Këshilli i Ministrave dhe që kanë mbërritur në Kuvend, kanë rishikuar në ulje të ardhurat, të cilat derdhen në arkën e shtetit nga tatim fitimi, ndaj nivelit të parashikuar nga Akti Normativ 2018 për Buxhetin. Një fakt i çuditshëm, po të mendosh se ky tatim kryesisht përbëhet nga taksimi i të ardhurave të ndërmarrjeve, të cilat mendohet të kenë patur të ardhura të rritura këtë vit, duke qenë se Prodhimi i Brendshëm Bruto llogaritet në 1 trilion e 647 miliardë këtë vit, nga 1 trilion e 552 miliardë vitin e kaluar. Ministria e Financave njofton, megjithatë, se parashikimi në nivelin e 33.5 miliardë lekëve për këtë zë buxhetor më 2019 është 7% më i lartë se ai që pritet të realizohet sivjet, duke shtuar se performanca në tatimin mbi fitimin e vitit 2018 dhe rritja relativisht e ulët krahasuar me vitin 2017, lidhet me situatën energjetike që kaloi vendi në vitin 2018, e cila u reflektua në bilancet dhe kontributet fiskale të kompanive në vitin 2018.

Por, gjithnjë në zërat e të ardhurave, qeveria parashikon, nga ana tjetër, një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, apo nga taksimi i të punësuarve. Këto të ardhura parashikohen me 16 për qind rritje. Në përgjithësi, të ardhurat parashikohen në një rritje në masën 4.7 për qind ndaj rezultatit të pritshëm sivjet. Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohet të jenë 153.3 miliardë lekë, 9.5 miliardë lekë më shumë se pritshmëria për vitin 2018, ose 6.6%. Të ardhurat nga akciza vlerësohen të jenë 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 2.8 miliardë lekë ose 6.2% më shumë se pritshmëritë për vitin 2018.

Qeveria parashikon ulje të taksave nacionale, duke u bazuar, ndër të tjera, në mbylljen e lojrave të fatit, të vendosur për më datë 31 dhjetor 2018. “Të ardhurat nga Taksa Nacionale dhe të tjera vlerësohen të jenë 39.7 miliardë lekë, -1% ose 0.4 miliardë lekë më pak se i pritshmi 2018 dhe bazohen edhe në efektet nga mbyllja e lojrave të fatit e llogaritur në -4 miliardë lekë”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit, ku përmenden edhe efektet e ndryshimeve në taksën e ambalazheve plastike dhe taksën e rentës me rreth +0.5 miliardë lekë. Ndërkohë, nga taksa mbi pasurinë, që pritet të hyjë në fuqi realisht vitin e ardhshëm, shteti mendon të grumbullojë 55.3 milionë euro.

Shpenzimet

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2019 është planifikuar 519.4 miliardë lekë ose sa 29.6% e PBB. Së fundi, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohen në total në masën 5 miliardë lekë. Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 500 milionë lekë, ato për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 20.5 miliardë lekë, në të njëjtin nivel si vitin e kaluar. Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë, sa gjysma e këtij viti, ndërsa për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?